Qëndron gjithë kohës nën ujë, ekspozohet riprodhimi i pllakatit që i jep emrin Shkodrës
Ekspozohet një nga zbulimet më të rëndësishme të misionit Shqiptaro-Polak në Shkodër; një mbishkrim latin që daton në shekullin I pas Krishtit, zbuluar në sterën 2 (ndërtime mesjetare) në Kështjellën Rozafa. Zbulimi ka të bëjë me një dedikim që lidhet me emrin zyrtar të qytetit “colonia Scodranorum”, i cili me sa duket i ka dhënë edhe emrin qytetit.
Për shkak të pamundësisë së aksesit për ta vizituar, në sit, këtë objekt që qëndron gjatë gjithë kohës i mbuluar nga uji, u bë e mundur riprodhimi i një kopjeje të tij.
Falë bashkëpunimit të Misionit Shqiptaro-Polak dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, u realizua riprodhimi i mbishkrimit, punuar mjeshtërisht nga specialisti Petrit Bilali, dhe ekspozimi i kopjes për vizitorët në pavijonin e antikitetit në Muzeun e Kështjellës, shoqëruar dhe me informacionin përkatës për vizitorët.
Misioni Shqiptaro-Polak i cili në vitet 2011-2017 hulumtoi në gjurmët e Shkodrës antike, nxori në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e tij, sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët e tij.
Rruga Press