Qëndrimi në shtëpi në mesin e bombardimeve izraelite
Sipas njoftimeve izraelite, rreth 350 mijë palestinezë ndodhen akoma në veri të Gazës. Zyrtarët ushtarakë kanë detyruar vazhdimisht lëvizjen e palestinezëve drejt jugut, megjithatë nuk kanë treguar nëse prezenca e numrit të madh të civilëve do të ishte faktor për të vendosur nëse do të dërgoheshin tanke dhe këmbësoria
Mahmoud Shalabi nuk u largua nga shtëpia e tij në veri të Gazas, ani pse u përball me urdhrin e ashpër të ushtrisë izraelite që ka paralajmëruar për bombardime të reja teksa po vazhdon luftën kundër grupit militant të Hamasit.
Punëtori i organizatave humanitare është në mesin e qindra palestinezëve që kanë qëndruar nëpër shtëpitë e tyre. Të tjerët që fillimisht respektuan urdhrin e Izraelit për t’u evakuuar në jug të Gazës, janë kthyer përsëri në veri. Në këtë pjesë të Gazës Izraeli pretendon se qëndrojnë bashkëpunëtorët e mundshëm të Hamasit.
Shalabi thotë se braktisja e shtëpisë në Beit Laha ishte e pakuptimtë, duke marrë parasysh bombardimet e pamëshirshme izraelite edhe në jug të Gazës, ku Izraeli u ka kërkuar vazhdimisht më shumë se 1 milion banoreve të veriut që të kërkojnë strehim diku tjetër. Shalabi dhe të tjerët që mbetën në pjesën veriore theksojnë se strehimoret e mbingarkuara dhe mungesa e ujit dhe ushqimit ne jug ndikuan në vendimin e tyre.
Ata thonë se jeta e tyre rrezikohet kudo në Gaza, ashtu si në vendin ku aktualisht jetojnë.
Largimi do të ishte i pranueshëm vetëm nëse Izraeli do të ndalonte sulmet në jug, thotë Shalabi, punonjës në organizatën që ofron ndihma mjekësore për palestinezët “është absurde për mua ta lë shtëpinë time për të shkuar të vritem në një kamp në jug të Gazës”, u shpreh ai.
Rreziqet për ata që qëndrojnë në veri me shumë gjasa do të rriten në rast të ofensivës tokësore izraelite, pas bombardimeve të rënda më shumë se dy javore, që tashmë, sipas njoftimeve të Hamasit për Ministrinë e Shëndetesisë në Gaza, kanë marrë jetën e më shumë se 7 mijë njerëzve.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u shpreh se Izraeli të mërkurën po përgatitet për pushtim tokësor, bashkë me dhjetëra mijëra trupa ushtarake të grumbulluar përgjatë kufirit me Gazën, ndonëse nuk pranoi të tregonte se kur do të fillonte ky sulm.
Zyrtaret ushtarakë izraelit kanë thënë se janë të vendosur të shtypin Hamasin si kundërpërgjigje ndaj sulmit brutal të 7 tetorit ndaj komuniteteve izraelite, ndërkaq shënjestra e tyre do të jetë veriu, duke përfshirë edhe qytetin e Gazës ku janë pajisjet, tunelet dhe bunkerët e grupit të Hamasit.
Sipas njoftimeve izraelite, rreth 350 mijë palestinezë ndodhen akoma në veri të Gazës. Zyrtaret ushtarakë kanë detyruar vazhdimisht lëvizjen e palestinezeve drejt jugut, megjithatë nuk kanë treguar nëse prezenca e numrit të madh të civilëve do të ishte faktor për të vendosur nëse do të dërgoheshin tanke dhe këmbësoria.
Megjithëse Izraeli thotë se shënjestra e tyre është Hamasi dhe jo civilët, zyrtarët shëndetësorë të Gazës thonë se shumë nga të vrarit kanë qenë gra dhe fëmijë. Këto shifra pritet të rriten nga një ofensivë tokësore, e cila mund të shkaktojë luftime të ashpra brenda zonave të populluara urbane.
Grupet e të drejtave ndërkombëtare kanë kritikuar ashpër urdhrat izraelit për evakuim, duke thënë se sipas ligjeve ndërkombëtare, ato nuk mund të shihen si paralajmërues efektiv për civilët si pasojë e mungesës të opsioneve për ata që ikin.
Njerëzit që ndodhen momentalisht në veri po presin për gjëra edhe më të tmerrshme. Ata po jetojnë mes rrënojave të lagjeve dikur plot zhurmë, derisa po përballen me mungesë të karburanteve, ushqimit dhe ujit në kohën e mbylljes edhe të spitaleve.
Shërbimet në veri të Gazës janë përkeqësuar pas më shumë se 700 mijë palestinezë janë larguar në drejtim të jugut. Shumë shtëpi kanë mungesë të energjisë elektrike, ushqimit dhe karburanteve.
Dëbimi masiv
Agjencitë e OKB-së thonë se më shumë se 1,4 milionë nga gjithsej 2.3 milionë banorë të Gazës janë zhvendosur tani Rripit të Gazës, ndërkaq strehimoret e OKB-së janë tashmë të mbushura trefish më shumë se kapaciteti i tyre.
Lagje të tëra në veri të vendit janë kthyer në rrënoja.
“Kudo ka gërmadha, makina dhe shtëpi të shkatërruara. Është shumë e vështirë të shkosh nga një vend në tjetrin sepse nuk ka karburant”, u shpreh Shalabi.
Ai tregoi se eci dy orë për të gjetur një furrë që ende shiste bukë për të ushqyer familjen e tij 10 anëtarësh. Raftet e dyqaneve janë të zbrazura, banorët po jetojnë me fasule të konservuara, ananas dhe misër.
Edhe ajo sasi e vogël e karburantit që ka mbetur, shitet me çmime marramendëse. Disa japin me qira motor pompash uji me çmimin rreth 12 dollarë në orë, që konsiderohet shumë e papërballueshme për një banor mesatar në Gaza.
Këtë javë Shalabi mbeti pa para dhe megjithëse kërkoi për të gjetur një bankomat funksional në blloqet e rrugëve të rrënuara, nuk kishte asnjë.
Rreth 50 mijë njerëz janë strehuar në mjediset e spitalit Shifa, që është spitali më i madh në qytetin e Gazës. Ky spital është mbingarkuar nga një numër i vazhdueshëm i njerëzve të plagosur nga sulmet ajrore, mes paralajmërimeve se ekziston rreziku i mbylljes së tij si rezultat i mungesës së karburantit që nevojitet për funksionimin e gjeneratorëve. Karburanti nuk është lejuar të transportohet në Gaza që prej sulmeve të 7 tetorit.
Megjithatë, të lodhur nga lëvizjet e vazhdueshme nga një vend në tjetrin, nën sulmet e Izraelit, shume palestinezë po rikthehen në veri të Gazës pasi që strehimoret po bëhen të mbipopulluara dhe vështirë të banueshme. Monitoruesit e OKB-se thonë se 30 mijë palestinezë tashmë janë kthyer përsëri në veri.
Një ndër ta ishte edhe Ekhlas Ahmed, e cila u largua nga qyteti i Gazës një javë më parë, pas urdhrave të përsëritur për tu zhvendosur në jug. Ajo u rikthye pasi shtëpia ku ishte strehuar së bashku me 14 anëtarë të familjes u godit nga një raketë izraelite.
“Ishte ndërtesë e banuar me njerëz dhe ata e bombarduan”, thotë ajo.
Më tutje, ajo shpreson që të ketë armëpushim. “Jam tepër e frikësuar. Të gjithë jemi të frikësuar”, shprehet ajo. /koha/
Rruga Press