Qendrat e vaksinimit në Kosovë do të punojnë edhe në fundjava dhe në festa zyrtare
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se duke filluar nga kjo javë, qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë do të punojnë edhe në ditët e fundjavës, e po ashtu edhe gjatë festave zyrtare.
MSH-ja ka thënë se vendimi është marrë nga ministri Arben Vitia, ndërsa është marrë për të lehtësuar procesin e vaksinimit dhe për t’iu përgjigjur kërkesës së madhe të qytetarëve për vaksinim.
“Mbështetur në vendimin e Ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, me të cilin është aprovuar Plani i Veprimit për Vaksinimin Masiv, që nga kjo javë qendrat e vaksinimit në gjithë territorin e Kosovës do të punojnë gjatë fundjavëve dhe festave zyrtare. E gjithë kjo për të lehtësuar procesin e vaksinimit dhe për t’ju përgjigjur kërkesës së madhe të qytetarëve për vaksinim”, thuhet në njoftimin e MSH-së në Facebook.
Vaksinimi masiv në Kosovë ka filluar në mesin e qershorit.
Në Kosovë janë administruar afro 1 milion vaksina antiCOVID. Deri më tash 344.277 qytetarë janë vaksinuar me dy doza të vaksinës e 299.464 me një dozë.
Rruga Press