KryesoreOpinion/Aktualitet

Pyetje retoriko-diplomatike për Quintin: Përse kërkoni “Asosiacion të komunave serbe” në Kosovë?

Shkruan Shaban Murati

Pyetje retoriko-diplomatike për Quintin

-A ka “Asosiacion të komunave meksikane” në ShBA?

-A ka “Asosiacion të komunave algjeriane” në Francë?

-A ka “Asosiacion të komunave turke” në Gjermani?

-A ka “Asosiacion të komunave afrikane” në Britaninë e Madhe?

-A ka “Asosiacion të komunave shqiptare” në Itali?

Përse kërkoni “Asosiacion të komunave serbe” në Kosovë?

Nëse nuk ka qeveri të një shteti të Quintit të guxojë të shkelë Kushtetutën e vendit të vet dhe as të shkelë vendimet e Gjyatës Kushtetuese të vendit të vet, nuk kuptohet logjika e Quintit që i kërkon qeverisë së Kosovës të shkelë Kushtetutën e vendit dhe të shkelë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të ashtuquajturin “asosiacion të komunave serbe”. Nuk mund të mos quhet çudi diplomatike ose shkurtpamësi gjeopolitike fakti që nuk paska mjaftuar vatra vullkanike e destabilizimit serb dhe e separatizmit të të ashtuquajturës “serpska republika” në Bosnje-Hercegovinë, që po sjell vërdallë gjithë Perëndimin prej 27 vitesh, por iu dashka diplomacisë së Perëndimit një “serpska republika” tjetër në Kosovë, një vatër e re trazirash rajonale.

Lexo më shumë  Qeveria Kurti do të sfidohet vetëm nga ballafaqimi me limitet e saja, dhe jo me ato të qeverisë Rama, moralit mbizotërues korruptues në Shqipëri, apo opozitës aktuale në Kosovë

Me dashje apo pa dashje dikush apo disa në diplomacinë perëndimore po bëjnë lojën e Rusisë për një Ballkan Perëndimor si gjenerator i destabilizimit të pëhershëm. Mund të flasësh plot fjalë të bukura dhe të bësh komunikata të gjata për frenimin e influencës së Rusisë në Ballkan. Por nëse krijon artifise diplomatike dhe gjeopolitike mina me sahat si “serpska republikat” e njëpasnjëshme në Bosnje-Hercegovinë dje, në Kosovë sot, dhe nesër në Malin e Zi, kjo nuk është më vetëm dashuria gjenetike shekullore e një apo dy shteteve europiane për Serbinë. Në thelb kemi të bëjmë me një intrigë bizantine, që në strategjinë e saj të largët i shërben Rusisë dhe zgjerimit të influencës ruse në Ballkanin Perëndimor.

Lexo më shumë  Mëvetësia e penguar

Nuk besoj se ka njeri iluzionin që diplomacia perëndimore nuk e din që faktori serb në Ballkan është faktor rus. Diplomacia perëndimore e din si dreqi, e megjithatë po ushtron mbi Kosovën presione të jashtëzakonëshme, të papërputhëshme me normat ndërkombëtare dhe me ligjet e vendit përkatës, që të hapë derën e prishjes së shtetit dhe të vendosë gjeneratorin e destabilizimit me emrin “asosiacion i komunave serbe”. Që ironia të jetë sa më e madhe, disa diplomaci europiane bëjnë sikur janë shqetësuar për fatin e Donbasit në Ukrainë, dhe nga ana tjetër po kërkojnë krijimin e një Donbasi serb (dhe rus) në Ballkan.

Duket sikur po vjen era Mynih 1938.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *