Bota

Putini synon një shtet të NATO-s, si po përgatitet aleanca

Nga Charlie Duxbury “Politico.eu

Në bazën ushtarake Tapa të NATO-s në Estoninë Qendrore, pushtimi rus i Ukrainës e ka forcuar ndjenjën e detyrës në mesin e trupave që ndodhen atje. Ditët e fundit, pavarësisht reshjeve të mëdha të dëborës së madhe, ka pasur shumë shenja aktiviteti brenda dhe përreth kampit të vijës së parë, vetëm 160 kilometra larg nga kufiri rus.

Ndërkohë ushtarët pyesin se cilat mund të jenë planet e ardhshme të presidentit rus Vladimir Putin. Në qytetin Tapa, në veri të bazës, rekrutët e armatosur estonezë praktikojnë patrullimet në rrugë, dhe kontrollojnë në një mënyrë metodike rrugët dytësore për pushtuesit e mundshëm.

Më pranë kampit kryesor, një makinë policie bllokon trafikun e automjeteve, përpara se një kolonë prej 8 kamionësh ushtarakë të kalonte aty, në kuadër të një ushtrimi stërvitor. Mjetet e blinduara mund të shiheshin duke inspektuar skajin e një pylli pak më tej.

Brenda kampit, koloneli Andrus Merilo, që në cilësinë e drejtuesit të brigadës së parë të këmbësorisë në Estoni,është edhe komandanti i bazës, tha se vendimi i Moskës për të nisur një pushtim të plotë të njërit prej fqinjëve të saj, e kishte përqendruar mendjen e njerëzve në detyrën e tyre kryesore:mbrojtjen kombëtare nga kërcënimi i mundshëm që mund të paraqesë Rusia për Estoninë.

“Vigjilenca është sot elementi thelbësor. Ne duhet ta ushtrojmë atë tani, në mënyrë që të mos humbasim asnjë shenjë se kërcënimi rus do të drejtohet edhe ndaj Estonisë”- thekson Merilo.

Ai shton se trupat e tij janë të përgatitura prej kohësh për një skenar të tillë, bazuar në mësimet nga historia e vendit, që ishte e pushtuar nga Bashkimi Sovjetik për 48 vjet, por edhe nga agresioni i Rusisë kundër fqinjëve të saj gjatë viteve të fundit.

“Sistemi ynë është ndërtuar në një mënyrë të tillë, që ne e kemi parashikuar tashmë këtë situatë. Ukraina gjendet aktualisht nën pushtimin rus, por ne jemi përgatitur që Estonia, Letonia, Lituania dhe i gjithë rajoni i Detit Baltik, mund të përballen me të njëjtin inkursion ushtarak nga Moska”- thekson ushtaraku i lartë estonez.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Në fakt, liderët baltikë e kanë vënë në dukje që në vitin 2008 rrezikun e agresionit rus në rajon, kur Rusia pushtoi një pjesë të Gjeorgjisë. Ish-kryeministri letonez Valdis Dombrovskis, tani një nga komisioneret e BE-së, deklaroi javën e kaluar se nëse arrin qëllimet e tij ushtarake në Ukrainë, Putini ka të ngjarë të shënjestrojë edhe shtetet baltike, për të zgjeruar qasjen e vendit të tij në Detin Baltik.

Udhëheqësit baltikë, kanë kërkuar që trupat e NATO-s të vendosen përherë në baza të tilla si Tapa në baza. Por tani për tani, ato qëndrojnë aty në kuadër një sistemi me një rotacion të përhershëm. Jashtë zyrës së Merilos, mund të shihen trupat britanike duke mbajtur mbi supe një grumbull raketash të reja.

Flamujt e NATO-s, Estonisë, Britanisë së Madhe, BE-së, Francës dhe Danimarkës. Valëviten mbi kokat e tyre. Përtej terrenit ku bëhen paradat, në selinë e kampit të grupit të betejës të Regjimentit Mbretëror të Tankeve Britanike, nënkoloneli Simon Worth, thotë se sulmi i ri u Ukrainës ndaj Rusisë, shpjegon edhe faktin pse trupat e tij janë dërguar në Estoninë rurale.

“Tani për tani, konteksti strategjik dhe furnizimi i vazhdueshëm me lajme, do të thotë se nuk ka nevojë për ndonjë shpjegim shtesë, se pse kjo stërvitje është kaq shumë rëndësishme. Ndjenja e qëllimit është diçka e mahnitshme”- thotë ai.

Në një magazinë poshtë një rruge të prishur, gjëmonte zhurma e një motori, dhe një vinç ngriti një motor mbi një automjet të blinduar, ndërsa inxhinierët udhëzonin ndihmësit mbi mënyrën e vendosjes. Një tank britanik “Challenger 2” i parkuar jashtë, ishte gati për stërvitjen e tij të radhës.

Komandanti i tankeve, më tha se ushtarët e tij ishin vendosur muajt e tyre në Estoni, për të mësuar se si ta përdorin tankun në kushtet më mot të lagësht, me pyje më të dendura, dhe me temperatura më të ftohta nga sa janë mësuar në Britani.

Temperaturat këtu ranë në minus 26 gradë në dhjetorin e vitit të kaluar, duke e detyruar grupin e betejës që ta përshtaste shpejt qasjen e tij, thotë Worth. “Edhe vetëm të jetosh në këtë mjedis është sfiduese. Të luftosh është edhe akoma më e vështirë”- shprehet ai.

Lexo më shumë  Ndihma norvegjeze për Ukrainën do të arrijë në 2.7 miliardë dollarë në 2025

Një pararendëse e bazës Tapa u ndërtua nga Ushtria e Kuqe sovjetike gjatë pushtimit të Estonisë, që zgjati në vitet 1940-1941 dhe sërish midis viteve 1944-1991, kur u shemb Bashkimi Sovjetik. Largimi i forcave sovjetike zgjati për disa vite, dhe komandanti i kampit Merilo – që është pjesë e ushtrisë estoneze që nga viti 1992 – tha se puna e tij e parë si rekrut, ishte të ruante një bazë estoneze, në rast se rusët do të vendosnin të sulmonin në vend se të tërhiqeshin.

Së bashku me dy shtetet e tjera baltike, Estonia iu bashkua BE-së dhe NATO-s në vitin 2004, duke e forcuar pozicionin e saj midis vendeve perëndimore.  Që atëherë, bazat si Tapa në Estoni dhe Adazi në Letoni janë modernizuar dhe zgjeruar, por shqetësimet e vendeve baltike se forcat ruse mund të rikthehen, nuk janë zhdukur asnjëherë.

Pasi Rusia e pushtoi Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe Ukrainën në 2014-ën, vendet baltike i kërkuan NATO-s të vendoste trupat e saj në skajet e saj lindore. Në vitin 2016, në një samit të aleancës në Varshavë, udhëheqësit e NATO-s vendosën që të vendosin trupa të përhershme në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.

Tani, udhëheqësit baltikë thonë se trupat e NATO-s duhet të vendosen përgjithmonë këtu me më shumë pajisje dhe të një cilësi më të mirë. Estonezët kanë frikë se qëllimi përfundimtar i Putinit shtrihet përtej marrjes së pushtetit në Ukrainë.

Merilo beson se aneksimi i Ukrainës është vetëm “një synim i ndërmjetëm” për Vladimir Putinin, dhe se NATO duhet të përgatitet pasi ai mund të vazhdojë më tej. Merilo shton  se netëve e bën ende gjumin e qetë, por jo sepse nuk beson se nuk do ketë telashe.

“Ajo për të cilën jemi përgatitur për dekada po ndodh tani. S’ka asgjë më shumë për t’u habitur. Tani për tani duhet të pushojmë, për sa kohe që kemi ende mundësinë ta bëjmë këtë”- përfundon ai. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *