Putini provokon NATO-n – Reagime të forta pas shkeljes së hapësirës ajrore polake
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, i ka dënuar veprimet e Rusisë si një “shkelje të pamatur dhe të pashembullt” të hapësirës ajrore të Polonisë.
Ajo deklaroi se më shumë se 10 dronë rusë Shahed hynë në Poloni. Dronët rusë u zbuluan nga forcat polake mbrëmjen e kaluar dhe u goditën nga trupat e saj ajrore në bashkëpunim me ato të NATO-s.
Në fjalimin e saj, Von der Leyen u shpreh: “Evropa qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë. Mesazhi është i qartë dhe përgjigjja jonë duhet të jetë po aq e qartë.
Na duhet më shumë presion mbi Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave. Na duhen më shumë sanksione. Po punojmë në paketën e 19-të, në koordinim me partnerët tanë. Ne po shqyrtojmë konkretisht një heqje më të shpejtë graduale të lëndëve djegëse fosile ruse, po shqyrtojmë flotën në hije dhe vendet e treta, dhe në të njëjtën kohë, na duhet më shumë mbështetje për Ukrainën.”
Në një deklaratë publike, presidenti ukrainas Zelensky tha se sulmi nuk ishte aksidental dhe se po shfaqen gjithnjë e më shumë prova se bëhet fjalë për një veprim të planifikuar.
“Po vijnë më shumë informacione rreth ndërhyrjes së dronëve sulmues rusë në territorin polak. Deri më tani, dihet për 8 dronë. Gjithnjë e më shumë prova tregojnë se kjo lëvizje, ky drejtim i sulmit, nuk ishte aksidental.”
Zelensky kujtoi se ka pasur edhe më herët incidente ku dronë individualë rusë kanë kaluar kufijtë, por jo në këtë përmasë dhe me një shënjestrim kaq të drejtpërdrejtë.
“Këtë herë po regjistrojmë një shkallë shumë më të madhe dhe një shënjestër të qëllimshme.”
Presidenti ukrainas tha se Ukraina është e gatshme t’i ofrojë Polonisë të gjitha të dhënat e disponueshme për këtë incident, si dhe të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi efektiv paralajmërimi dhe mbrojtjeje kundër kërcënimeve të ngjashme ruse.
Ai theksoi se agresioni rus përbën rrezik për çdo vend të pavarur në rajon dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë evropian për siguri të përbashkët.
“Precedenti i përdorimit të avionëve luftarakë nga disa vende evropiane njëkohësisht për të rrëzuar armët ruse dhe për të mbrojtur jetët njerëzore është shumë domethënës.”
Zelensky ripërsëriti thirrjen për krijimin e një sistemi të përbashkët evropian të mbrojtjes ajrore, për të siguruar mbrojtje efektive ndaj dronëve dhe raketave ruse.
“Së bashku, evropianët janë gjithmonë më të fortë. Rusia duhet të ndiejë se përgjigja ndaj këtij hapi përshkallëzues dhe akoma më shumë ndaj një përpjekjeje për të poshtëruar një nga vendet kyçe të Evropës, do të jetë e qartë dhe e fortë nga të gjithë partnerët.”
Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë se shkelja e hapësirës ajrore polake nga Rusia është “e papranueshme”.
“Lufta ruse e agresionit kundër Ukrainës përbën kërcënim të sigurisë për të gjithë Europën”- ka deklaruar ai.
“Polonia ka gjithë të drejtën të mbrojë hapësirën e saj ajrore. Ne i shprehim mbështetjen tonë të plotë Polonisë, si aleate e NATO-s dhe si anëtare e BE-së. Suedia dhe Polonia janë bashkë në përkrahjen tonë për Ukrainën”.
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, ka postuar në X duke shprehur “përkrahjen e solidaritetin e plotë” për Poloninë dhe aleatët.
Ai ka thënë se “agresioni rus në Ukrainë ndikon direkt te ne dhe se duhet të merren masa të duhura”.
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, i ka quajtur “krejtësisht të papranueshme dhe thellësisht shqetësuese” veprimet e fundit rus. Ai ka shprehur mbështetje të palëkundur të Norvegjisë për “aleaten tonë Poloninë dhe për vlerat tona të përbashkëta për sigurinë europiane”.
Në një reagim në rrjete sociale, presidenti francez Macron e cilësoi ngjarjen si “thjesht të papranueshme” dhe dënoi ashpër veprimin e Moskës.
“Depërtimi i dronëve rusë në hapësirën ajrore polake është i papranueshëm. E dënoj me fjalët më të ashpra. I bëj thirrje Rusisë që t’i japë fund këtij përshkallëzimi të pamatur,” deklaroi Presidenti francez.
Macron theksoi se Franca qëndron në krah të Polonisë dhe aleatëve të saj.
“I përsëris popullit polak dhe qeverisë së tyre solidaritetin tonë të plotë. Ne nuk do të bëjmë kompromis për sigurinë e Aleatëve,” shtoi ai, duke paralajmëruar se së shpejti do të zhvillojë një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Reagimi i Macron vjen në një kohë kur Polonia dhe NATO janë në gatishmëri të shtuar pas ngjarjes së ndjeshme, e cila shënon një precedent të ri në përshkallëzimin e tensioneve në lindje të Evropës.
Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se teguesit e hershëm sugjerojnë se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore evropiane ishte e qëllimshme, jo aksidentale.
Ajo ka shkruar të mërkurën në X se lufta e Rusisë po vazhdon të përshkallëzohet.
“Ne duhet të rrisim koston për Moskën, të forcojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të investojmë në mbrojtjen e Evropës. BE-ja luan një rol të madh dhe ne do të mbështesim iniciativa si linja mbrojtëse e kufirit lindor”, ka shkruar Kallas.
Ajo e ka përshkruar sulmin rus, ku dronët hynë në hapësirën ajrore polake, si “shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia që nga fillimi i luftës”.
Kallas ka shtuar se është në kontakt me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe zëvendëskryeministrin e Polonisë, Radosłaë Sikorski.
“BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë”, ka thënë Kallas.
Rruga Press

