Putini pritet të vendosë për njohjen e territoreve të kontrolluara nga separatistët
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se do të vendosë të hënën nëse do të njohë apo jo “pavarësinë” e territoreve në lindje të Ukrainës, Luhansk dhe Donetsk, të cilat janë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Moska.
Deklarata e Putinit ka ardhur gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë më 21 shkurt në Moskë, pas kërkesave që i janë bërë atij nga liderët separatistë të dy rajoneve në disa video të sinkronizuara.
Kjo gjë mund të jetë vendimtare për Evropën, teksa Kievi dhe liderët e Perëndimit paralajmërojnë se një sulm ushtarak rus ndaj Ukrainës mund të ndodhë shpejt.
Perëndimi thotë që më shumë se 150,000 trupa ruse gjenden afër kufirit të Ukrainës.
Putin ka shtuar se nuk ka “asnjë perspektivë” për plan të paqes që t’i jepet fund konfliktit në lindje të Ukrainës, ku Kievi ka luftuar me separatistë të mbështetur nga Moska prej vitit 2014.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë javën e kaluar se beson që Putin të ketë vendosur për sulm dhe mediat në Shtetet e Bashkuara kanë raportuar se inteligjenca amerikane sugjeron se janë dërguar urdhra te komandantët taktikë të Rusisë.
Liderët separatistë kanë njoftuar për evakuime dhe mobilizime në ditët e fundit në zonat që kanë nën kontroll.
Në takimin e Këshillit të Sigurisë, që është transmetuar në televizion, Putin ka thënë se diskutimet aktuale nuk janë për të “shtuar”, zonat e kontrolluara nga separatistët në territorin rus.
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka paralajmëruar më 21 shkurt “se ne presim që ata (të dërgojnë tanket ruse në kufi me Ukrainën) në orët apo ditët në vijim”.
Rruga Press