GjeopolitikëKryesore

Putini po bën një gabim historik

Ish Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine AlbrightThe New York Times

Në fillim të vitit 2000 unë u bëra zyrtarja e parë e lartë amerikane që u takua me Vladimir Putinin në cilësinë e tij të re si ushtrues detyre i presidentit të Rusisë. Ne në administratën e Klintonit nuk dinim shumë për të në atë kohë, vetëm atë se ai e kishte filluar karrierën e tij në KGB. Shpresoja se takimi do të më ndihmonte të merrja masën e njeriut dhe të vlerësoja se çfarë mund të nënkuptojë ngritja e tij e papritur për marrëdhëniet SHBA-Rusi, të cilat ishin përkeqësuar në mes të luftës në Çeçeni. E ulur përballë një tavoline të vogël në Kremlin, u godita menjëherë nga kontrasti midis z. Putin dhe paraardhësit të tij bombastik, Boris Yeltsin.


Ndërkohë që z. Yeltsin kishte provuar të bindë, ulërasë dhe të bëjë lajka, z. Putin foli pa emocione dhe pa shënime për vendosmërinë e tij për të ringjallur ekonominë e Rusisë dhe për të shuar rebelët çeçenë. Duke fluturuar për në shtëpi regjistrova përshtypjet e mia. “Putini është i vogël dhe i zbehtë,” shkrova unë, “aq i ftohtë sikur me qenë thuajse zvarranik”. Ai pretendoi se kuptonte pse Muri i Berlinit duhej të binte, por nuk priste që i gjithë Bashkimi Sovjetik të shembet. “Putini është i turpëruar nga ajo që i ndodhi vendit të tij dhe i vendosur të rivendosë madhështinë e tij”.


Muajt ​​e fundit më është kujtuar ajo seancë gati tre-orëshe me z. Putin, teksa ai kishte grumbulluar trupa në kufirin me Ukrainën fqinje. Pasi e quajti shtetësinë ukrainase një trillim, në një fjalim të çuditshëm televiziv ai nxori një dekret duke njohur pavarësinë e dy rajoneve të kontrolluara nga separatistët në Ukrainë dhe dërgimin e trupave atje. Pohimi revizionist dhe absurd i z. Putin se Ukraina ishte “krejtësisht e krijuar nga Rusia” dhe efektivisht e grabitur prej Perandorisë Ruse është plotësisht në përputhje me botëkuptimin e tij të deformuar. Më shqetësuesja për mua: Ishte përpjekja e tij për të krijuar pretekstin për një pushtim në shkallë të gjerë.

Nëse ai e bën këtë, do të jetë një gabim historik.
Në 20 vitet e çuditshme, që kur u takuam, z. Putin ka hartuar rrugën e tij duke hequr dorë nga zhvillimi demokratik për skenarin e Stalinit. Ai ka mbledhur pushtetin politik dhe ekonomik për veten e tij , duke bashkëvepruar ose duke shtypur konkurrencën e mundshme, ndërkohë që ka shtyrë për të rivendosur një sferë të dominimit rus përmes pjesëve të ish-Bashkimit Sovjetik. Ashtu si autoritarë të tjerë, ai e barazon mirëqenien e tij me atë të kombit dhe opozitën me tradhtinë. Ai është i sigurt se amerikanët pasqyrojnë cinizmin dhe epshin e tij për pushtet dhe se në një botë ku të gjithë gënjejnë, ai nuk është i detyruar të thotë të vërtetën. Për shkak se ai beson se Shtetet e Bashkuara dominojnë rajonin e tyre me forcë, ai mendon se Rusia ka të njëjtën të drejtë.

Lexo më shumë  Rikonstruksioni i komisariateve/ SPAK çon në gjykatë një tjetër deputet të Ramës, Plarent Ndrecën


Z. Putin ka kërkuar për vite të tëra të lustrojë reputacionin ndërkombëtar të vendit të tij, të zgjerojë fuqinë ushtarake dhe ekonomike të Rusisë, të dobësojë NATO-n dhe të përçajë Evropën (duke krijuar një pykë midis saj dhe Shteteve të Bashkuara). Ukraina veçohet në të gjitha këto.

Në vend që të hapte rrugën e Rusisë drejt madhështisë, pushtimi i Ukrainës do të siguronte turpin e z. Putin duke e lënë vendin e tij të izoluar diplomatikisht, ekonomikisht të gjymtuar dhe strategjikisht të cenueshëm përballë një aleance perëndimore më të fortë dhe më të bashkuar.

Ai tashmë e ka vënë në lëvizje këtë duke njoftuar të hënën vendimin e tij për të njohur dy enklavat separatiste në Ukrainë dhe për të dërguar trupa ruse si “paqebërës”. Tani ai ka kërkuar që ajo të njohë pretendimin e Rusisë ndaj Krimesë dhe të heqë dorë nga armët e saj të avancuara.

Veprimet e z. Putin kanë shumë pasoja në sanksione masive, me shumë të tjera priten që të zbatohen nëse ai fillon një sulm në shkallë të gjerë dhe tenton për më shumë. Këto do të shkatërrojnë jo vetëm ekonominë e vendit të tij, por edhe rrethin e ngushtë të miqve të tij të korruptuar, të cilët nga ana tjetër mund të sfidojnë udhëheqjen e tij. Ajo çka pa asnjë dyshim do të jetë një luftë e përgjakshme dhe katastrofike do të thajë burimet ruse dhe do të kushtojë jetë qytetarësh rusë – ndërkohë që i krijon një nxitje urgjente Evropës që të shkëpusë varësinë e saj të rrezikshme prej energjisë ruse. . (Kjo ka filluar me vendimin e Gjermanisë për të ndaluar certifikimin e tubacionit të gazit natyror Nord Stream 2.)

Një akt i tillë agresioni do ta shtynte pothuajse me siguri NATO-n që të përforconte ndjeshëm krahun e saj lindor dhe të merrte në konsideratë vendosjen e përhershme të forcave në shtetet baltike, Poloni dhe Rumani. (Presidenti Biden tha të martën se po dislokonte më shumë trupa në Baltik.) Dhe kjo do të gjeneronte rezistencë të ashpër të armatosur ukrainase, me mbështetje të fortë nga Perëndimi. Tashmë është duke u zhvilluar një përpjekje dypartiake për të krijuar një përgjigje legjislative që do të përfshinte intensifikimin e ndihmës me armatime për Ukrainën. Do të ishte larg nga një përsëritje e aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014-n; do të ishte një skenar që të kujton pushtimin fatkeq të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1980.

Z. Biden dhe liderë të tjerë perëndimorë e kanë bërë këtë shumë të qartë, raund pas një raundi të kësaj furie diplomatike. Por edhe nëse Perëndimi është në një farë mënyre në gjendje ta pengojë z. Putin të shkojë drejt luftës gjithëpërfshirëse, gjë që nuk është aspak e sigurt tani, është e rëndësishme të kujtojmë se gara e preferuar e tij nuk është shahu, siç hamendësojnë disa, por xhudoja. Ne mund të presim që ai të vazhdojë të kërkojë një shans për të rritur ndikimin e tij dhe për të goditur në të ardhmen. Do të jetë në dorën e Shteteve të Bashkuara dhe miqve të saj t’ia mohojnë atij këtë mundësi duke mbështetur një shtytje të fuqishme diplomatike dhe duke rritur mbështetjen ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Edhe pse z. Putin, sipas përvojës sime, nuk do të pranojë kurrë se ka bërë një gabim, ai ka treguar se mund të jetë edhe i duruar, edhe pragmatik. Ai është gjithashtu i vetëdijshëm se konfrontimi aktual e ka bërë atë edhe më të varur nga Kina; ai e di se Rusia nuk mund të përparojë pa disa lidhje me Perëndimin. “Sigurisht, më pëlqen ushqimi kinez. Është kënaqësi të përdorësh shkopinj”, më tha ai në takimin tonë të parë. “Por kjo është thjesht diçka triviale. Nuk është mentaliteti ynë, që është evropian. Rusia duhet të jetë vendosshmërisht pjesë e Perëndimit”.

Z. Putin duhet ta dijë se një Luftë e dytë e Ftohtë nuk do të shkonte domosdoshmërisht mirë për Rusinë, madje edhe me armët e saj bërthamore. Aleatët e fortë të SHBA-së mund të gjenden pothuajse në çdo kontinent. Miqtë e z. Putin, ndërkohë, përfshijnë njerëz si Bashar al-Assad, Alexander Lukashenko dhe Kim Jong-un.

Nëse z. Putin ndihet i ngjeshur në një cep, për këtë duhet të fajësojë vetëm veten. Siç ka vënë në dukje z. Biden, Shtetet e Bashkuara nuk kanë dëshirë të destabilizojnë apo privojnë Rusinë nga aspiratat e saj legjitime. Kjo është arsyeja pse administrata dhe aleatët e saj kanë ofruar të angazhohen në bisedime me Moskën për një gamë të hapur çështjesh sigurie. Por Amerika duhet të insistojë që Rusia të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare të zbatueshme për të gjitha kombet.

Z. Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, duan të pretendojnë se ne tani jetojmë në një botë shumëpolare. Ndonëse kjo është e vetëkuptueshme, kjo nuk do të thotë se fuqitë e mëdha kanë të drejtë ta copëtojnë globin në sfera influence siç bënë perandoritë koloniale shekuj më parë.

Ukraina ka të drejtën në sovranitetin e saj, pavarësisht se cilët janë fqinjët e saj. Në epokën moderne vendet e mëdha e pranojnë këtë dhe kështu duhet të bëjë edhe z. Putin. Ky është mesazhi që nënvizon diplomacinë e fundit perëndimore. Ai përcakton dallimin midis një bote të qeverisur nga shteti i së drejtës dhe një bote që nuk i përgjigjet asnjë rregulli.

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *