Putini paralajmëron se Rusia mund të sigurojë armë për ta goditur Perëndimin
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se Moska mund t`i armatosë vendet me synimin për t`i sulmuar objektivat perëndimore. Putin nuk specifikoi se cilat vende mund t`i furnizojë Moska me armë.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e bëri deklaratën duke kritikuar dërgimin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga Perëndimi në Ukrainë.
Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, i kanë dhënë Ukrainës dritën jeshile për të goditur objektivat brenda Rusisë.
Një veprim i tillë mund të çojë në “probleme shumë serioze”, u tha Putin gazetarëve të huaj. “Nëse dikush mendon se është e mundur furnizimi me armë të tilla në një zonë lufte për të sulmuar territorin tonë dhe për të krijuar probleme për ne, pse nuk kemi të drejtë të furnizojmë armë të së njëjtës klasë në rajonet e botës ku do të ketë goditje mbi objektet e ndjeshme të atyre vendeve”, tha presidenti rus.
Putin veçoi Gjermaninë, e cila kohët e fundit i tha Ukrainës se ishte e lirë të godiste objektivat brenda Rusisë me armë me rreze të gjatë të prodhimit gjerman.
Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka dhënë Ukrainës lejen për të përdorur armë të furnizuara nga Amerika për të goditur objektivat në Rusi, por vetëm pranë rajonit të Kharkiv. Shtëpia e Bardhë ka thënë se Ukraina nuk mund të përdorë raketa ATACMS me rreze të gjatë veprimi në tokën ruse.
Luftimet e ashpra janë ndezur në veri-lindje të Kharkiv që nga një shtytje e re ruse përtej kufirit verior të Ukrainës. Kharkiv, qyteti i dytë i Ukrainës, është vetëm 30 km nga kufiri.
Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Lord Cameron ka thënë se i takon Ukrainës të vendosë se si të përdorë armët britanike dhe këmbënguli se ajo ka të drejtë të godasë objektiva në territorin rus.
Ukraina thotë se raketat e Koresë së Veriut po përdoren brenda territorit ukrainas dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës thonë se Rusia ka përdorur dronë të prodhuar nga Irani në konflikt.
Rruga Press