Putini me listë të kufizuar urimesh për Vitin e Ri, përfshin Serbinë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka përfshirë Serbinë në listën e kufizuar të shteteve të cilave ua ka uruar Vitin e Ri 2023. Në letrën drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Putini ka thënë se raportet ndërshtetërore “kanë vazhduar së zhvilluari zhvilluar në vitin 2022, bazuar në parimet e partneritetit strategjik”, ka shkruar uebfaqja e Kremlinit.
Në letrën e urimit, Putini ka thënë se raportet Rusi-Serbi janë zhvilluar nëpërmjet bashkëpunimit praktik në tregti, ekonomi e sfera kulturore e humanitare. Po ashtu është thënë se ka pasur rritje të dialogut politik e koordinimi në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale është thelluar, “që është sidomos e nevojshme në situatën gjeopolitike aktuale, të vështirë”.
“Llogaris në faktin që përpjekjet e përbashkëta do të kenë sukses në sigurimin e rritjes së bashkëpunimit dypalësh konstruktiv dhe shumëpalësh për të mirën e popujve vëllezër të Rusisë dhe Serbisë”, ka thënë Putini, sipas “Sputnikut”.
Pos Serbisë, urim nga Putini kanë marrë edhe krerët e Indisë, Hungarisë, Sirisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Kazakistanit, Bjellorusisë, Turqisë, Brazilit, Venezuelës, Vietnamit, Kinës.
Serbia është ndër të paktat shtete në Evropë që s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë që nisi pushtimin e Ukrainës në fillim të vitit.
Rruga Press