Putini i mban larg edhe ministrat e tij
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është fotografuar i ulur në një tjetër tryezë konferencash shumë të gjatë, për takime individuale me ministrat e qeverisë së tij, rreth tensioneve të Rusisë me Ukrainën.
Presidenti rus u fotografua i ulur në fund të tryezës së gjatë, në një distancë prej të paktën katër metrash nga ministri i jashtëm Sergei Lavrov dhe ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu.
Imazhi nga media shtetërore ruse u postua në Twitter nga analisti i çështjeve globale Michael Bociurkiw, i cili vuri në dukje se më 10 shkurt, Putini ishte ulur pranë presidentit të Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev “i ndarë vetëm nga një tavolinë e vogël kafeje”. Ndërkohë që ministrat e kabinetit të tij i mban larg.
Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe gjatë takimit ditë më parë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, duke mbajtur distancë të madhe me të, në një tavolinë shumë të gjatë.
Ndërkohë më pas u raportuar se Putini e kishte mbajtur Macronin në distancë për shkak se ky i fundit kishte refuzuar të bënte test PCR për COVID-19 në Rusi, për shkak të shqetësimeve se Rusia do t’ia merrte ADN-në.
Po ashtu është raportuar se 69-vjeçari Putin, frikësohet se mund ta marrë koronavirusin dhe se për këtë arsye shumicën e takimeve i kryen përmes telefonit. Sipas mediave, edhe ata pak persona që ai i takon fizikisht, duhet të vetë-izolohen për një javë para takimit me të.
Rastet e takimeve në tavolina shumë të gjata kanë ngjallur tallje në publik, derisa shumë njerëz në rrjetet sociale kanë krijuar pamje qesharake nga fotografitë e takimeve.
Rruga Press