EditorialKryesore

Putini heroi i gjenocidit rus mbi Ukrainën 

Gjatë gjithë kohës që lexoni këtë shkrim rus, duhet të mendoni që autori është i bindur se Rusia e ka pushtuar Ukrainën.

Fondapol.org

Fondacioni për rinovimin e politikës ka përkthyer në frengjisht versionin e plotë të një editoriali të agjensisë ruse Ria Novosti. Autori duket se është Pyotr Akopov, ndërsa titulli është “Ngritja e Rusisë dhe bota e re”. Data e botimit 26 shkurt 2022. Artikulli në parim duhej të botohej pas pushtimit të Ukrainës, ndaj dhe u hoq shpejt nga linja. Por ja që mbeti në arkivin e Webit.

Mendimi politik rus shprehet si vijon:

“Një botë e re po lind para syve tanë. Operacioni ushtarak rus inaguroi një epokë të re, në tre dimensione. Pa harruar një dimension të katërt, të brendshëm, për Rusinë sot nis një epokë e re, nga këndvështrimi ideologjik dhe ai socioekonomik. Por kjo çështje meriton të trajtohet më vonë.

Rusia po rivendos bashkimin e saj. Tragjedia e 1991-shit, kjo katastrofë e tmerrshme e historisë sonë, kjo zhvendosje e kundërnatyrshme, më në fund u mposht. Ky restaurim kërkon sakrifica të mëdha, përmes ngjarjes tragjike të një pothuaj lufte civile ku vëllezërit, të ndarë ngaqë i përkasin ushtrive ruse e ukrainase do të vrasin njëri-tjetrin, por nuk do të ketë më Ukrainë antiruse. Rusia u rivendos në tërësinë e saj historike që e bashkon botën ruse, popullin rus: Rusët e mëdhenj, rusët e bardhë, rusët e vegjël.

Ta braktisësh idenë e këtij ribashkimi, ta lësh ndarjen e përkohshme të zërë vend gjatë shekujve, do të thotë të tradhtosh kujtimin e të lashtëve tanë dhe të mallkohesh prej pasardhësve të tyre duke e lënë të shpërbëhet tokën ruse.

Vladimir Putini e ka marrë mbi supe, pa e tepruar aspak, përgjegjësinë historike duke marrë vendimin të mos ua lërë çështjen ukrainase brezave të ardhshëm. Domosdoshmëria e zgjidhjes së problemit të Ukrainës mbetej prioriteti i Rusisë për dy arsye thelbësore. Çështja e sigurisë kombëtare të Rusisë, pra të mos e lësh Ukrainën të bëhet anti-ruse, nuk ëhstë arsyeja më e rëndësishme.

Arsyeja kyçe është kompleksi i përjetshëm i popujve të ndarë, kompleksi i turpërimit kombëtar nga fakti që vatra ruse ka humbur si fillim një pjesë të themeleve të saj (Kievin) dhe duhet të durojë ekzistencën e dy shteteve, të dy popujve. Të vazhdosh e të jetosh kështu, do të thotë të pranosh idenë e çmendur se “vetëm Ukraina është Rusia e vërtetë”, ose, tek shtrëngon dhëmbët i pafuqishëm, të kujtosh epokën “kur e humbëm Ukrainën”. Përgjatë dekadave, ribashkimi i Rusisë me Ukrainën po bëhej gjithnjë e më i vështirë: ndryshimi i kodeve, derusifikimi i rusëve që jetojnë në Ukrainë dhe propaganda anti-ruse mes rusëve të vegjël ukrainas u rrit. Perëndimi e forcoi kontrollin gjeopolitik dhe ushtarak në Ukrainë, kthimi i Rusisë u bë i pamundur ngaqë rusëve u duhej të përballeshin me tërë bllokun atlantik.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Tashmë ky problem nuk ekziston më: Ukraina u ribë ruse. Ky rikthim nuk do të thotë se Ukraina do ta humbë statusin e shtetit. Vetëm se ajo do të shndërrohet, riorganizohet dhe do të marrë gjendjen e saj zanafillore si pjesë përbërëse e botës ruse. Në cilët kufij? Në cilën formë? A do të vendoset aleanca me rusët nëpërmjet OTSC-së dhe Baskimit Ekonomik euroaziatik, apo si shtet që bën pjesë në bashkimin e Rusisë dhe Biellorusisë? Kjo do të vendoset sapo të mos ekzistojë më Ukraina anti-ruse. Sido që të jetë, epoka e ndarjes së popullit rus ka prekur fundin.

Këtu nis dimesnioni i dytë i epokës së re. Ai shprehet kështu: ai ka të bëjë me marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, jo vetëm i Rusisë, por i botës ruse, pra i të tre shteteve si një njësi e vetme gjeopolitike. Këto marrëdhënie kanë hyrë në një fazë të re, dhe Perëndimi e sheh Rusinë të kthehet në kufijt e saj historikë në Evropë. Kjo e nxeh keq, edhe pse thellë brenda vetes duhet të pranojë se do të ndodhë ndryshe.

Cili në qytetet e lashta të Evropës, Paris apo Berlin, do të besonte se Moska do të hiqte dorë nga Kievi? Që rusët do të ishin popull i ndarë përgjithnjë? Tamam kur Evropa po bashkkohet, kur elitat gjermane dhe franceze rreken t’ia rimarrin kontrollin e integrimit evropian anglo-saksonëve dhe të ndërtojnë Evropën e bashkuar! Duke harruar që bashkimi i Evropës u bë i mundur vetëm duke bashkuar Gjermaninë, gjë që u bë e mundur vetëm falë mirësisë, edhe pse jo aq e zgjuar, të vullnetit rus. Çdo pretendim për tokat ruse është maja e mosmirënjohjes, është marrëzi gjeopolitike. Perëndimi në tërësinë e tij, Evropa në veçanti, nuk e kishte mundësinë të mbante nën ndikim Ukrainën. Të mos kuptosh këtë, do të thotë të jesh budallë në gjeopolitikë.

Që të jemi më të përpiktë, le të themi se Perëndimi përpiqet sot të ndëshkojë Rusinë ngaqë ua ndaloi perëndimorëve të pasuroheshin në dëm të saj, duke ia ndalur shtrirjen në Lindje. Dhe për të na ndëshkuar, ai niset nga besimi se relacionet tona me të janë të rëndësisë jetike. Por kjo nuk është e vërtetë prej kohësh. Bota ka ndryshuar, dhe evropianët dhe anglo-saksonët që qeverisin Perëndimin, e kuptojnë. Çdo trysni perëndimore mbi Rusinë do të jetë e kotë. Dëmet prej përshkallëzimit do të jetë të dyanshme, por Rusia është moralisht dhe gjeopolitikisht e përgatitur, ndërkohë që rëndesa e kundërshtisë do ta çojë Perëndimin në shpenzime të mëdha, që nuk do të jenë vetëm ekonomike.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Evropa, si Perëndim, e dëshiron autonominë. Por, projekti gjerman i një Evrope të madhe të integruar është i pakuptimtë nëse anglo-saksonët mbajnë kontrollin ideologjik, ushtarak dhe gjeopolitik mbi botën e vjetër. Ky projekt nuk mund të funksionojë sepse anglo-saksonët kanë nevojë për një Evropë që e kontrollojnë. Evropës i duhet megjithatë autonomia edhe për një arsye tjetër: në rast se izolohen amerikanët (për shkak të konflikteve të brendshëm në rritje), ose nëse përqëndrohen në rajonin e Paqësorit ku po zhvendoset graviteti i sotëm gjeopolitik.

Anglo-saksonët do ta shpien Evropën në konflikt me Rusinë dhe do t’i privojnë evropianët prej çdo pavarësie. Evropa po përpiqet të nxisë ndarjen nga Kina. Nëse atlantistët sot po kënaqen që “kërcënimi rus ” e bashkon bllokun perëndimor, Berlini dhe Parisi duhet të kuptojnë se nëse e humb shpresën e autonomisë, projekti evropian do të shembet në afat të mesëm. Ndaj dhe evropianët me shpirt pavarësie nuk janë aspak të interesuar për ndërtimin e një perdeje të re të hekurt në kufijt e tyre të lindjes, gjë që do të shndërrohet në burg për Evropën…

Dimensioni i tretë i ngjarjeve aktuale është përshpejtimi i ndërtimit të një rendi të ri botëror, gjë që vjen ngaqë po prodhohen konturet prej mondializimit të shpërhapur anglo-sakson. Një botë me shumë pole po bëhet realitet. Në këtë operacion në Ukrainë, vetëm Perëndimi po i kundërvihet Rusisë, sepse pjesa tjetër e botës e kuptojn fare mirë: ky është konflikti mes Rusisë dhe Perëndimit, përgjigje ndaj shtrirjes gjeopolitike të atlantistëve, është dhe kthimi i Rusisë në hapësirën e vet dhe vendin e vet në botë.

Kina, India, Amerika latine, Afrika, bota islamike dhe Azia jug-lindore nuk besojnë se Perëndimi e drejton rendin botëror, as nuk i përcakton rregullat e lojës. Rusia nuk po sfidon vetëm Perëndimin, por po tregon se epokës së sundimit perëndimor i ka ardhur fundi. Bota e re do të ndërtohet nga të gjithë civilizimet dhe të gjitha qendrat e pushtetit, dhe natyrisht në bashkëpunim me Perëndimin (ose jo), por ky nuk mund të imponohet as në terma e as në rregulla”.
/Përktheu nga frengjishtja Rruga Press/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *