BotaKryesore

“Putini bëri gabim që dërgoi delegacion të nivelit të ulët”, Rutte komenton takimin Ukrainë-Rusi

Nga Tirana, ku po zhvillohet Samiti i Komunitetit Politik Europian, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka komentuar zhvillimet më të fundit rreth përpjekjeve diplomatike për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë, përfshirë takimin e paralajmëruar që do të mbahet në Stamboll.

Në një deklaratë për mediat, Rutte kritikoi ashpër vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin për të dërguar në bisedimet në Stamboll një delegacion të nivelit të ulët, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë të mungesës së vullnetit politik për paqe.

“Putin bëri një gabim të madh kur zgjodhi të përfaqësohej nga një delegacion i nivelit të ulët. Kjo tregon mungesë serioziteti në një moment kur bota kërkon një zgjidhje të menjëhershme për konfliktin. Topi është në fushën e tij – ai duhet të tregojë vullnet për paqe. Kam pasur kontakte të shumta me të gjatë kohës kur isha Kryeministër i Holandës dhe kjo sjellje është në vazhdën e politikës së tij për të shmangur përgjegjësinë,” deklaroi Rutte.

Lexo më shumë  113 vjet nga themelimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Ai vlerësoi lart përbërjen dhe qëndrimin e delegacionit ukrainas, duke theksuar se ata janë të vendosur për të arritur një zgjidhje diplomatike dhe të qëndrueshme.

“Ukraina ka dërguar një ekip të përgatitur, me përfaqësues të lartë që kanë treguar qartë se janë të gatshëm të negociojnë me përgjegjësi dhe qëllim konstruktiv. Kjo është një mundësi reale për progres, nëse pala ruse tregon të njëjtin angazhim,” shtoi ai.

Rutte gjithashtu theksoi rolin aktiv që po luajnë Shtetet e Bashkuara në këtë fazë të ndjeshme të negociatave, duke përmendur përpjekjet e administratës amerikane për të ndërmjetësuar dhe ushtruar presion mbi Kremlinin.

“Jam i inkurajuar nga angazhimi i SHBA për të zhbllokuar situatën. Ndërhyrja e tyre është jetike për të mbajtur të gjallë rrugën diplomatike dhe për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit,” tha Rutte.

Takimi i ardhshëm në Stamboll pritet të jetë një provë kyçe për gatishmërinë e Rusisë për t’u përfshirë në bisedime të sinqerta. Përfaqësues nga BE, OKB dhe vende të tjera partnere pritet gjithashtu të marrin pjesë si vëzhgues, në përpjekje për të garantuar një proces transparent dhe të besueshëm.

YouTube player