Pushtimi i Ukrainës, Kosova i kërkon SHBA-ve bazë të përhershme ushtarake e anëtarësim në NATO
Nisur nga situata aktuale mes Rusisë dhe Ukrainës, Kosova i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës vendosjen e një baze të përhershme ushtarake në vend si dhe anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ministri i Mbrojtjes në vend Armend Mehaj shprehet se dy kërkesat e parashtruara janë nevojë e menjëhershme “për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.”
Shtetet e Bashkuara kanë tashmë 635 ushtarë në vendin fqinj për të ruajtur paqen në Kosovë si pjesë e një misioni paqeruajtës të NATO-s.
Më tej në postimin e tij, Mehaj u bën thirrje vendeve anëtare të NATO-s, që të mos hezitojnë në njohjen e realitetit shtetëror të Republikës së Kosovës.“Kjo është koha që të gjitha kombet e përgjegjshme të mos përjashtojnë askënd në vizionin e përbashkët dhe para së keqes së përbashkët. Kosova dhe populli i saj, në këtë kohë, të sfidës së përbashkët, si gjithmonë, qëndrojmë fuqishëm së bashku me ju në anën e duhur të historisë. Gjithashtu, është koha të ripërsëris edhe tani, kërkesën time adresuar aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake të Forcave Amerikane, si garancë e plotë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.”
Kujtojmë se Kosova i është bashkuar vendeve të tjera në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Më herët, Mehaj është shprehur se qeveria është e gatshme t’i ofronte ndihmë Ukrainës për çdo operacion ushtarak, nëse kjo do të kërkohej nga Uashingtoni.
Pavarësia e Kosovës në vitin 2008 është njohur nga më shumë se 110 vende, kryesisht vende perëndimore, por jo nga Serbia apo aleati i saj tradicional Rusia. Katër anëtarë të NATO-s refuzojnë gjithashtu të njohin pavarësinë e Kosovës, e cila ende nuk është as anëtare e Kombeve të Bashkuara për shkak të kundërshtimeve të Rusisë.
Rruga Press