Bota

Pushteti absolut nga Vuçiqi në Serbi – nuk i mjafton kontrolli i plotë mbi mediet, kërkon nga Meta të dhëna edhe për qytetarët

Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia ka bërë numrin më të madh të kërkesave te kompania Meta për të dhëna për përdoruesit e rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram.

Që nga viti 2013, Meta ka publikuar çdo gjashtë muaj në faqen e saj raporte, ku përfshihen kërkesat e institucioneve shtetërore për ndarjen e të dhënave.

Shtetet kërkojnë të dhëna nga Meta si pjesë e hetimeve zyrtare dhe shumica e këtyre kërkesave kanë të bëjnë me çështje penale, si grabitje apo rrëmbime.

Më shpesh kërkohen informacione bazë, si emri, data e regjistrimit dhe kohëzgjatja e përdorimit të rrjetit social.

Përveç kësaj, shtetet mund të kërkojnë regjistrime të adresave IP ose përmbajtjes së vetë llogarisë.

“Për çdo kërkesë që marrim, ne kontrollojmë me kujdes nëse është e pranueshme ligjërisht. Ne mund t’i refuzojmë ose të kërkojmë më shumë detaje rreth tyre, nëse gjërat janë të paqarta”, thuhet në faqen e Metas.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

Sipas medieve serbe, si në vitin 2021 ashtu edhe në vitin 2022, ky vend dërgoi numrin më të madh të kërkesave në kompaninë Meta në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Në raportin e saj të transparencës, Meta publikon edhe se sa për qind e informacionit të kërkuar është shpërndarë realisht dhe në këtë statistikë përfshihen rastet kur kompania ka dhënë ndonjë informacion për përdoruesin me kërkesë të qeverisë së një vendi.

Kujtojmë se Meta kishte mbyllur mijëra profile të rreme të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.

Rrjeti bot-ve dhe troll-ve të kësaj partie kishte 5,374 llogari, 12 grupe në Facebook dhe 1,060 profile në Instagram. Siç deklaron Meta, partia e Aleksandar Vuçiqit kishte shpenzuar mbi 150 mijë euro, të cilat paguheshin edhe në dollarë.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Meta shton se rrjeti i SNS funksiononte ndryshe nga “fermat e troll-ve” tradicionale, të zbuluara më parë në Rusi dhe që menaxhoheshin nga një qendër e vetme, pra një zyrë apo një grup zyrash. Ndryshe nga ai sistem, operacioni i SNS-së bazohej në individë që “publikonin” në të gjithë Serbinë.

Këto profile postuan edhe përmbajtje duke kritikuar opozitën, ndërsa përveç rrjeteve sociale, komentet në mbështetje të pushtetit u bënë drejtpërdrejt edhe në faqet e medieve.

Po ashtu, në vitin 2020 rrjeti social Twitter kishte mbyllur mbi 8 mijë llogari të rreme pro-qeveritare në Serbi. Në gusht 2021, kishte identifikuar disa media në Serbi “që bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë”.

Rruga Press

YouTube player