Punojnë më shumë se gjithë Europa, por fitojnë më pak: Ku gabon Shqipëria sipas The Ekonomist?
Të qenit i pasur nuk është vetëm çështje të ardhurash të larta, por lidhet ngushtë me koston e jetesës dhe orët e punës. Revista prestigjioze “The Economist” ka analizuar 178 vende, përfshirë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (përjashto Kosovën), duke përdorur tre tregues kryesorë: të ardhurat nominale për frymë, fuqinë blerëse dhe të ardhurat për orë pune. Rezultatet nuk janë inkurajuese për Shqipërinë.
Në treguesin bazë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, Shqipëria renditet pas Malit të Zi dhe Serbisë, me 10 mijë dollarë në vit, por përpara Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, kur në analizë përfshihet kostoja e jetesës dhe koha reale e punës, pozicioni i Shqipërisë përkeqësohet ndjeshëm.
Sipas të dhënave të përpunuara nga “The Economist”, të ardhurat e rregulluara për çmime dhe orë pune në Shqipëri janë vetëm 26.4 mijë dollarë në vit, një shifër ndjeshëm më e ulët se në vendet fqinje, si Maqedonia e Veriut (mbi 30 mijë dollarë), Serbia (31.6 mijë) dhe Mali i Zi (mbi 36 mijë). Kjo e vendos Shqipërinë në fund të listës në rajon, përballë një tregu pune të fragmentuar dhe me rendiment të ulët.
Edhe pse shqiptarët punojnë më shumë se mesatarja europiane – me një mesatare rekord prej 43.7 orësh në javë – shpërblimi ekonomik mbetet ndër më të ulëtit në kontinent. Shkaku kryesor është përqendrimi i madh i fuqisë punëtore në sektorë me vlerë të ulët të shtuar si bujqësia informale, tregtia e vogël dhe shërbimet joproduktive, që nuk gjenerojnë mjaftueshëm të ardhura.
Krahasimi me vendet e Bashkimit Europian nxjerr në pah kontrastin e thellë: ndërsa Zvicra dhe Irlanda prodhojnë mbi 90 mijë dollarë për frymë të korrigjuar për orë pune, dhe vende si Gjermania, Suedia e Austria luhaten mes 70–80 mijë dollarësh, Shqipëria mbetet shumë larg me vetëm 26 mijë dollarë.
Raporti jep një mesazh të qartë: rritja e të ardhurave nuk arrihet vetëm duke punuar më shumë, por duke punuar më mirë – në sektorë me teknologji të lartë, eficiencë më të madhe dhe pagë më të drejtë. Pa reforma të thella në arsim, në politikat e punësimit dhe në nxitjen e sektorëve me vlerë të shtuar, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend ku punohet fort, por fitohet pak.
Rruga Press

