KryesoreLajme

Pula: S’ka normalizim derisa Serbia të mos e heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj

Analisti Shqiprim Pula ka vlerësuar se nuk do të ketë përparim të theksuar në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Kjo sipas tij, për shkak të përkëdheljes së Serbisë nga ndërkombëtarët.

“Dialogu do të vazhdojë por kam hezitime të mëdha që kjo qasje e Serbisë dhe kjo tolerancë e Brukselit dhe qendrave të tjera vendosëse karshi Serbisë e pamundëson arritjen e një përfundimi të dëshiruar”, ka thënë ai.

Pula ka thënë se gjatë gjithë procesit disavjeçar Serbisë i janë bërë lëshime nga ndërkombëtarët, ndërsa ka përmendur se asnjëherë nuk i është kërkuar që ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj. Te mostrysnia e bashkësisë ndërkombëtare karshi Serbisë, ai e sheh problemin e madh të ngecjes në proces.

“Gjatë gjithë procesit të dialogimit kemi pasur momente që na kanë befasuar dhe më së miri kësaj periudhe dialogimi i përshtatet romani ‘Liza në botën e çudirave’. Kosova ka kaluar në një periudhë 13 vjet sikur në këtë roman sepse ndërkombëtarët vazhdimisht na kanë çuditur me lejimet që i janë bërë Serbisë. Thuhet të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi, ndërkaq Serbisë asnjëherë nuk i është kërkuar e aq më pak t’i bëhet trysni që ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj. Nuk mund të ketë normalizim derisa veprimet e Serbisë zyrtare kundër shtetit të Kosovës janë në përputhje me Kushtetutën e tyre. Këtu është thelbi i problemit që ndërkombëtarët nuk kanë insistuar që Serbia ta heqë Kosovën nga Kushtetuta, ta pranojë ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe t’i heqë pretendimet territoriale”, ka theksuar ai në “60 Minuta” në KTV.

Lexo më shumë  Gazetari "ndërkombëtar" i Kosovës

 Pula është shprehur se njohja e ekzistencës së shtetit të Kosovës nga Serbia dhe ngritja e marrëdhënieve diplomatike do ta ndihmonte normalizimin. Por, siç ka përsëritur ai më tej, problemi është se “ndërkombëtarët nuk i bëjnë presion Serbisë”.

“Njohja e ekzistencës së shtetit dhe ngritja e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash do ta ndihmonte këtë normalizim marrëdhëniesh. Por, faktori evropian dhe amerikan ndër vite kanë besuar në një garniturë serbe të gabuar. Kjo garniturë tani është e njëjta me atë të Millosheviqit. Në momentin kur evropianët, amerikanët, besojnë në personat e gabuar kthehen në zhgënjim sepse janë të njëjtit ata që kanë kryer gjenocid në Kosovë. Janë të njëjtat figura sot, vetëm me kostume të tjera”, ka potencuar ai.

Lexo më shumë  Muja: Saimir Mane njëfarë vakti edhe në Kosovë ka bë ligje kur ka qenë Qeveria Hoti

E, për shkak të potencialit destabilizues që ka Serbia, Pula ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk e ushtron trysninë.

“Serbia në rajon ka potenciale të mëdha për të shkaktuar kriza dhe konflikte dhe potencialin e Serbisë shtetet në rajon nuk e kanë. Duke pasur parasysh potencialin e saj, Serbia është përqafuar si e tillë”.

Rruga Press

YouTube player