Publikohen pamje tronditëse nga Kina, fëmijët e infektuar me COVID-19 ndahen nga prindërit
Rreth 25 milionë njerëz në Shangai, qyteti më i madh dhe qendra financiare e Kinës, mbeten të mbyllur ndërsa autoritetet përpiqen të shuajnë shpërthimin më të rëndë të virusit në vend që nga fundi i valës së parë pandemike në fillim të vitit 2020.
Nën kontrollet e vazhdueshme në Kinë, kushdo që rezulton pozitiv – edhe nëse është asimptomatik ose ka një infeksion të butë – duhet të izolohet.
Kjo përfshin dhe fëmijët që rezultojnë pozitivë,ndërsa anëtarët e familjes jo, konfirmuan zyrtarët shëndetësorë kinez të hënën, duke mbrojtur një politikë që ka përhapur ankth dhe zemërim në të gjithë qytetin.
“Nëse fëmija është më i vogël se shtatë vjeç, ata fëmijë do të marrin trajtim në një qendër shëndetësore publike,” tha të hënën Wu Qianyu, një zyrtar nga Komisioni Komunal i Shëndetit i Shangait.
“Për fëmijët më të rritur apo adoleshentët… ne po i izolojmë kryesisht në vende të centralizuara (karantinë).
Prindërit dhe kujdestarët ndërkohë kanë përdorur mediat sociale për të shprehur zemërimin e tyre ndaj kësaj politike.
“Prindërit duhet të plotësojnë “kushtet” për të shoqëruar fëmijët e tyre? Kjo është absurde duhet të jetë e drejta e tyre më themelore”, shkroi një komentues pa emër në platformën e mediave sociale Weibo.
Videot e paverifikuara të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël në repartet shtetërore janë shpërndarë gjerësisht.
Por zyrtari i Shangait, Wu tha se politika ishte integrale në ‘punën e parandalimit dhe kontrollit’ të virusit.
“Ne e kemi bërë të qartë se fëmijët, prindërit e të cilëve janë gjithashtu pozitivë mund të jetojnë në të njëjtin vend me fëmijët”, shtoi ajo.
Banorja e Shangait, Esther Zhao, e solli vajzën e saj dyvjeçare në spital me ethe më 26 mars dhe të dy rezultuan pozitivë me Covid tre ditë më vonë.
Mjekët u përpoqën ta merrnin fëmijën e Zhaos në një qendër karantine dhe e kërcënuan Zhaon kur ajo nuk iu bind.
Pasi vajza e saj u dërgua në Qendrën Klinike të Shëndetit Publik të Shangait, Zhao mori vetëm një informacion të shkurtër nga mjekët për vajzën e saj, pavarësisht lutjeve nga ajo dhe burri i saj.
Zhao i tha Reuters gjatë fundjavës:
“Nuk ka asnjë lajm. Jam shumë në ankth, nuk e kam idenë se në çfarë situate është vajza ime. Mjeku tha se rregullat e Shangait janë që fëmijët duhet të dërgohen në pikat e caktuara, të rriturit në qendrat e karantinës dhe ju nuk lejoheni të shoqëroni fëmijët.”
Diplomatët perëndimorë shprehën sot shqetësimin e tyre për politikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre në Kinë, ndërsa kërkuan garanci se ambasadorët dhe diplomatët e tyre nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve të tilla të rrepta.
Rruga Press