Publikimi i akuzave të Shkëmb Manajt në grupin e kryesisë së LDK-së në Whatsapp, vjen një reagim nga Vetëvendosja
Pasi publikimeve të akuzave të nënkryetarit të LDK-së, Shkëmb Manaj, që i kishte bërë në fillim të muajit mars në grupin e kryesisë qendrore të partisë në Whatsapp, për vjedhje votash e skema kriminale brenda partisë, ka ardhur një reagim nga Lëvizja Vetëvendosje.
Zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka ka thënë se ky publikim dëshmon që “skemat kriminale kanë ekzistuar qenka folur gjerë e gjatë aty, por që paskan pritur të bëhet ndokush nënkryetar e ndokush deputet për të blerë heshtjen.”
“Bisedat përbrenda Kryesisë së LDK-së paskan pritur fillimisht çertifikimin e rezultateve që të dalin. Pra, që skemat kriminale kanë ekzistuar qenka folur gjerë e gjatë aty, por që paskan pritur të bëhet ndokush nënkryetar e ndokush deputet për të blerë heshtjen.”, ka shkruar Manxhuka.-Advertisement-
Ai tha se ky publik është një dëshmi shtesë për Prokurorinë në kuadër të hetimeve që kanë nisur.
Reporteri.net ka publikuar pak minuta më parë akuzat e Manajt për LDK-në, për skema kriminale, manipulime e shitblerje të votave që pretendohet të kenë ndodhur brenda listës zgjedhore të LDK-së.
Akuzat ish-deputeti i ka ngritur pak ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një grup të brendshëm komunikimi të anëtarëve të kryesisë së partisë së Lumir Abdixhikut. Këtë të fundit, Manaj në mesazhin e tij thotë se e ka njoftuar personalisht për manipulimet. Megjithatë, pos Abdixhikut dhe anëtarëve të kryesisë së LDK-së, letra ka rënë edhe në duart e Prokurorisë së Shtetit, e cila po heton pretendimet e sapo të emëruarit nënkryetar të komunës së Prishtinës.
Kandidati për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka akuzuar bashkëpartiakët, që janë edhe pjesë e Kryesisë Qendrore të LDK’së, se ia vodhën mandatin e deputetit.
Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar përmbajtjen e mesazhit të cilin Manaj e dërgoi me 3 mars 2025 në grupin e komunikimit të brendshëm, në “WhatsApp”, të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së.
Rruga Press