GjeopolitikëKryesore

Pse Ukraina më parë do të luftonte sesa t’ia dorëzonte Krimenë Rusisë

Derisa presidenti Zelensky po inkurajohet që t’ia njohë Moskës kontrollin e gadishullit si pjesë të propozimit të Trumpit për paqe, Kievi druan se ky mund të jetë precedent i rrezikshëm, shkruan gazeta britanike “The Times” në një analizë zhvillimeve të lidhura me luftën në Ukrainë 

Për presidentin amerikan, Donald Trump, zgjidhja për luftën në Ukrainë është skajshmërisht e thjeshtë: Kievi do të duhej të njihte realitetet në terren dhe të hiqte dorë prej kundërshtimeve ndaj pushtimeve tokësore të Kremlinit. Megjithatë, për shumë ukrainas, kërkesat e Trumpit jo vetëm që nuk janë realiste, por përbëjnë edhe kërcënim për krejt ekzistencën e vendit të tyre.

Përderisa ai i jep zor për një ujdi të paqes para 100 ditëve të tij në presidencë, Trump e ka kapur me të vështirë çështjen e diplomacisë, duke kërcënuar se do të tërhiqet krejtësisht prej negociatave dhe duke sulmuar refuzimin e presidentit Volodymyr Zelensky për ta njohur sundimin rus në Krimem, gadishulli në Detin e Zi që uankesua nga Rusia më 2014.

“Janë deklaratat inflamatore, si e Zelenskyt, ato që e bëjnë të vështirë zgjidhjen e çështjes së kësaj lufte”, ka shkruar Trump në platformën e tij “Truth Social”. Ai ka thënë se Krimeja është humbur disa vite më parë dhe statusi i saj as që është “në pikën e diskutimit”.

“Precedent i rrezikshëm”

Për Kievin, njohja e kontrollit rus të Krimesë do të përbënte “precedent të rrezikshëm” dhe vetëm sa do t’i shtonte apetitet e presidentit Vladimir Putin për tokat ukrainase, ka thënë Volodymyr Fesenko, analist politik i cili konsiderohet si njeri i afërt me administratën e presidentit Zelensky.

Lexo më shumë  Orban: Hungaria kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian

Megjithëse propozimi për paqe i Trumpit nuk është publikuar ende nga Shtëpia e Bardhë, një kopje e draftit është parë nga Axios, portal informativ amerikan, që shkruan se do të përfshinte njohjen zyrtare amerikane të kontrollit rus të Krimesë dhe se do të pranonte sundimin de fakto të Kremlinit në rajonet në lindje dhe jug të Ukrainës.

“Nëse ne duhet të zgjedhim ndërmjet njohjes së Krimesë si ruse dhe tërheqjes amerikane nga procesi negociator, atëherë Ukraina ka më shumë mundësi që të përgatitet për tërheqje amerikane nga bisedimet. Për Ukrainën, kjo është më e vogla prej dy të ligave”, ka theksuar Fesenko.

“Natyrisht, këto janë rreziqe potenciale për Ukrainën. Por ne duhet ta pranojmë se rreziku i njohjes së Krimesë është rrezik më i gjatë se ai i tërheqjes amerikane nga procesi negociator. Krimeja është çështje shumë serioze dhe qenësore për ne. Nëse amerikanët pajtohen me këtë, atëherë pas njëfarë kohe, Putini pothuajse pashmangshëm do të kërkojë edhe njohjen e territoreve të tjera të aneksuara”, ka paralajmëruar ai.

Kërcënim taktik?

Në postimin e tij në “Truth Social”, presidenti Trump ka shkruar se Zelenskyt nuk po i kërkohet të njohë Krimenë si territor rus. Megjithatë, ka sugjeruar se pret një lloj angazhimi nga Zelensky se Ukraina nuk do të sfidonte më sundimin e Kremlinit mbi gadishullin, rajon i bukur ku liderët sovjetikë dikur i bënin pushimet.

Lexo më shumë  VLEN: 9 dhe 10 maji ditë të kobshme në Kumanovë, shtëpitë e shqiptarëve digjeshin ndërsa ministrat e BDI-së kriheshin

“Nëse ai e do Krimenë, pse nuk luftuan për të 11 vjet më parë, kur ajo iu dorëzua Rusisë pa asnjë shkrepje?” – ka shkruar Trump. Ai gjithashtu duket se përsëriti një nga arsyetimet e Putinit për marrjen e kontrollit të Krimesë, duke shkruar se kishte qenë vendi i bazave të nëndetëseve ruse “për shumë vite”.

Putin ka thënë se Rusia u detyrua të pushtonte Krimenë që Sevastopoli, baza e flotës ruse në Detin e Zi, të mos binte nën kontrollin e NATO-s pasi një qeveri pro-perëndimore erdhi në pushtet në Kiev në 2014.

Tamila Tasheva, deputete e cila deri vjet ishte përfaqësuese e përhershme e Zelenskyt për Krimenë, ka paralajmëruar se “tregtimi i territorit për një armëpushim” nuk do të sillte paqe të qëndrueshme.

“Përkundrazi, mund të shërbejë si një bazë për agresion të ripërtërirë”, ka theksuar ajo. “Precedent i dhënies së tokës agresorit do të kishte pasoja të gjera për sigurinë rajonale dhe globale. 11 vitet e fundit të okupimit (të Krimesë) kanë treguar se lëshimet e pjesshme nuk çojnë në depërshkallëzim. Rusia nuk i interpreton ato si kompromis, por më tepër si dobësi”, ka thënë Tasheva.

Fesenko megjithatë, ka theksuar se kërcënimet dhe presioni i Trumpit ndaj Ukrainës mund të jenë pjesë e një “sulmi psikologjik” nga Shtëpia e Bardhë që synon nxjerrjen e lëshimeve masive nga Kievi brenda kohës së shkurtër. “Pra, ne duhet të presim dhe të durojmë derisa të ndryshojë disponimi i Trump”, ka theksuar ai.

YouTube player
sqhrenfrdeit