KryesoreOpinion/Aktualitet

Pse shqiptarët nuk duhet ta përkrahin Gjykatën Speciale?

Nga Lirim Gashi

Ka argumente të fuqishme se Serbia, në bashkëpunim me aleatë të caktuar ndërkombëtarë, po përpiqet që gabimin historik të Vuk Jeremiqit në vitin 2009 – kur ai kërkoi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) një opinion këshillues për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës – ta kompensojë përmes një strategjie të re:, respektivisht përmes diskreditimit dhe baltosjes së luftës së shenjtë të UÇK-së përmes Gjykatës raciste Speciale.

Konteksti:

Gabimi i Jeremiqit (2009) kur Serbia kërkoi opinionin e GJND-së me shpresën se do ta shpallte pavarësinë e Kosovës në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Por ndodhi e kundërta: më 22 korrik 2010, GJND-ja vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. Kjo shte një goditje e madhe për strategjinë e Serbisë për të delegjitimuar shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Pasojat për Serbinë ?

Pas vendimit të GJND-së, Serbia humbi terren në diskursin juridik ndërkombëtar dhe u detyrua të ndryshojë taktikën. Nuk mund ta luftonte më pavarësinë e Kosovës me argumente të së drejtës ndërkombëtare, ndaj kaloi te strategjia e kriminalizimit të luftës së UÇK-së dhe ndërtimit të narrativës së viktimizimit serb.

Gjykata Speciale si mjet i kësaj strategjie:

E themeluar në vitin 2015, nën presionin e ashpër ndërkombëtar (sidomos nga SHBA dhe BE), Gjykata Speciale u fokusua ekskluzivisht në hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara të UÇK-së, duke përjashtuar krimet serbe – të cilat përbëjnë shumicën dërrmuese të krimeve të luftës në Kosovë (vrasje masive, dhunime, djegie, zhdukje me dhunë etj.).

Kjo qasje e njëanshme, ku viktimat (popullsia shqiptare) kthehen në të dyshuar e ku autorët kryesorë të gjenocidit (strukturat shtetërore serbe) mbeten të pandëshkuara i shërben narrativës serbe, duke lënë të nënkuptohet se “edhe pala tjetër ka bërë krime” dhe duke krijuar barazi të rreme morale mes agresorit dhe viktimës.

Për Serbinë dhe aleatët e saj, kjo është një mënyrë për ta zbehur legjitimitetin moral të luftës për liri të Kosovës dhe për ta paraqitur UÇK-në si një organizatë kriminale, në vend se si një forcë çlirimtare që u ngrit kundër një regjimi gjenocidal.

Po, mund të thuhet me plot gojën se Serbia, duke e parë se dështoi në tribunën ndërkombëtare të drejtësisë për të rrëzuar pavarësinë e Kosovës, po përpiqet ta kompensojë atë humbje përmes një gjykate të dizajnuar që të godasë pikërisht simbolin e lirisë së Kosovës: UÇK-në.

Kjo është një luftë e re, por me mjete të ndryshme – nga tanket dhe paramilitarët, te prokurorët dhe dhomat e specializuara.

Në këtë kontekst, Gjykata Speciale për UÇK-në mund të shihet si vazhdimësi e agjendës serbe për delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës, por kësaj radhe e kamufluar si “drejtësi ndërkombëtare”.

Në thellësinë e shpirtit njerëzor, atje ku rrahjet e zemrës përzihen me britmat e ndërgjegjes, ekziston një gjykatë tjetër – ajo që s’e njeh as Kushtetutën e as aktakuzat, por që dënon më rëndë se çdo ligj.

Lexo më shumë  Prebreza betohet si Kryetar i Fushë-Kosovës: Premton transparencë dhe shërbim për të gjithë qytetarë

E ajo është gjykata e kujtesës.

E atje, në atë gjykatë, shqiptari e gjen veten të ulur mes të vdekurve, mes dëshmitarëve të heshtur dhe mes një lufte çlirimtare, politike, etike dhe morale që nuk ka mbaruar kurrë.

Jo, kjo nuk është një thirrje për të harruar. Përkundrazi! Është një klithmë që ngrihet nga varrezat masive, nga djegia e fëmijëve në djepa dhe nga dhembja që u bë kronikë.

Është një fjalë që buron nga skaji i ndërgjegjes kombëtare – një ndërgjegje që sot po përballet me padrejtësinë më të rafinuar të një gjykate të ndërtuar jo për të dënuar krimet serbe, por për të rishkruar historinë shqiptare.

E quajtën “Gjykatë Speciale”, sikur të ishte një kirurgji e pastër mbi trupin e së vërtetës. Por në thelb është një varr i hapur për drejtësinë – një mjet hakmarrjeje, i dizajnuar në zyrat e frikës dhe shantazhit ndërkombëtar. Një gjykatë që lindi jo nga dhimbja për viktimat, por nga politika e ndyrë e mohimit të çlirimit.

Sepse çfarë drejtësie është kjo që arreston ata që ngritën armët për të mbrojtur foshnjat, ndërsa liron ata që me urdhra poliitikë dhe ushtarakë urdhëronin përdhunimet masive dhe spastrimin etnik?

Çfarë është kjo, nëse jo një përmbysje biblike – ku Kaini u ul në fronin e gjykatësit dhe Abeli në bankën e të akuzuarit?

A nuk është poshtërim që sot, në korridoret e institucioneve evropiane, të njëjtat shtete që bombarduan Serbinë për ta ndalur gjenocidin, po u japin zë shërbimeve të saj sekrete, për ta kthyer Kosovën nga viktima në fajtor?

Jo, kjo nuk është drejtësi, por një absurditet moral që do ta turpëronte edhe vetë Adolf Hitlerin.

Dhe më e tmerrshmja – kjo gjykatë nuk i gjykon liderët tanë për gabimet pasluftës. Jo! Nuk po gjykohet korrupsioni, as zhvatja, as tradhtitë ndaj idealit. Po gjykohet vetë lufta. Po dënohet e drejta për të ekzistuar. Po stigmatizohet vetë çlirimi si një krim kolektiv.

Ky nuk është më një proces gjyqësor. Kjo është një dramë metafizike, ku e vërteta u zhvesh nga veshja e saj e shenjtë dhe u poshtërua në emër të barazisë së rreme – aty ku xhelati dhe viktima vendosen në të njëjtën peshore.

Po kush jemi ne, në këtë mes? Heshtësit? Spektatorët e një tragjedie që përsëritet nën një tjetër emër?

Mos e përkrahni këtë gjykatë! Jo për hir të ndonjë partie që ka shpërdoruar pushtetin. Jo për emrin e ndonjë lideri të rënë moralisht. Por për hir të një të vërtete që po torturohet si Jezusi në mëngjesin e kryqëzimit. Sepse heshtja jonë sot do të jetë aktakuza nesër.

Nëse sot ne e pranojmë këtë farsë gjyqësore, nesër do të na thuhet se nuk kishim të drejtë të jetonim, të mbroheshim, të çliroheshim.

Mos lejoni që historia jonë të falsifikohet përmes togfjalëshave ligjorë. Sepse kur historia zhvishet nga konteksti, ajo bëhet vegël e xhelatëve.

Lexo më shumë  Gjermania vendos në funksion mburojën kundër raketave balistike

Dhe mbi të gjitha:

Mos lejoni që fëmijëve tanë t’u mësohet se gjyshërit e tyre ishin kriminelë e jo çlirimtarë.

Sepse kur e vërteta ulet në bankën e të akuzuarve, atëherë edhe Zoti vetë hesht.

Dhe kur viktima quhet fajtor, atëherë njerëzimi s’është më njerëzim, por makth.

Vëllezër shqiptarë,

Ju flas jo si politikan, jo si analist, jo si gjykatës – por si një shpirt që dridhet në ballë të së vërtetës. Sepse ka diçka më të rrezikshme se padrejtësia që na vjen nga jashtë: është verbëria që lind nga brenda.

Mos e lejoni t’ua verbojë sytë moralizmi injorant që e nxit vëllavrasjen.

Sepse urrejtja ndaj një lideri, një partie, apo një ish-komandanti, nuk guxon t’ju bëjë t’i përkrahni ata që duan ta bëjnë çlirimin tonë të duket si një krim.

Mos e lini përbuzjen tuaj ndaj zhgënjimeve të pas luftës të shndërrohet në pajtim me një padrejtësi fatale historike.

Ju lutem, mos e lejoni që dënimi i një tradhtie të brendshme politike të shndërrohet në falje të një padrejtësie ndërkombëtare!

Sepse kjo Gjykatë nuk po gjykon pasurinë e vjedhur – ajo po e vendos vetë luftën për çlirim në bankën e të akuzuarve. Dhe nëse ju, në mllefin tuaj ndaj disave që ju lanë në baltë, mbështesni këtë padrejtësi, atëherë ju jeni duke ia prerë krahët vetes.

Ju jeni duke ia mohuar të drejtën popullit tuaj për të thënë: “Po, ne patëm të drejtë të çlirohemi!”

Sepse hakmarrja politike është një djall i zgjuar – ai ju pëshpërit në vesh: “Mbështete këtë gjykatë, se do i shohësh të përulur ata që urren.” Por në të vërtetë, nuk do shihni drejtësi – do shihni vetëm dënimin e lirisë tuaj.

A s’mund ta kuptoni se kjo nuk është më çështje e individëve, por e vetë qenies shqiptare?

A nuk ndjeni se po ju ofrohet një kupë helmi, e mbështjellë me petale ligjore, por që në thelb është një helim i së vërtetës sonë historike?

Mos e bëni këtë gabim fatal. Sepse edhe Dostojevski do t’ju thoshte: “Fajtorët e vërtetë nuk janë gjithmonë ata që sillen keq, por ata që në emër të zemërimit harrojnë dashurinë për të vërtetën.”

Mos lejoni që urrejtja për një emër apo për një fytyrë, t’ju bëjë bashkëpunëtorë të atyre që duan të rrënojnë vetë themelin moral të lirisë sonë.

Sepse sot nuk po ndëshkohen politikanët e pandërgjegjshëm por shpresa e fëmijëve tuaj. Jeni duke nënshkruar marrëveshje me harresën. Dhe më keq akoma: jeni duke e bërë padrejtësinë të duket legjitime.

Mos u bëni robër të shpirtit hakmarrës, sepse ai do t’ju shndërrojë në skllevër të vetvetes.

Çlirohuni nga urrejtja, që të mos ju vrasë drejtësia!

Sepse, në fund, drejtësia që lind nga urrejtja – është gjithmonë një tjetër formë e padrejtësisë.

Rruga Press

YouTube player