Pse ndihma ushtarake e Kosovës për Ukrainën është kaq domethënëse?
Shkruan Prof. Dr. Enver Bytyçi
Ka kaluar pa vëmendje një lajm që të martën e kaluar u njoftua përmes ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci. Ministri bëri me dije se ai në emër të shtetit më të ri në Europë kishte njoftuar mbledhjen e 20-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të zhvilluar në Ramstein të Gjermanisë, se Republika e Kosovës do të dërgojë javën e ardhshme ndihma të konsiderueshme ushtarake në Ukrainë. Pjesë e këtyre ndihmave do të jenë disa dhjetëra kamionë taktikë, automjete gjithashtu taktike dhe autoblinda ushtarake, si edhe mijëra predha të mortajave në një fazë të dytë. Kjo është hera e parë që Kosova dërgon ndihma ushtarake në Kiev.
Kjo deklaratë e rëndësishme e ministrit të Kosovës për Mbrojtjen u bë para 50 përfaqësuesve të 50 shteteve pjesëmarrëse në takimin e Ramstein. Ndërkohë që këtë deklaratë e përshëndeti me entuziazëm ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rhode. Ai tha se “Edhe pse Ukraina ende nuk e njeh Kosovën, qeveria kosovare po e ndihmon Ukrainën në luftën kundër pushtimit rus, duke e mbështetur me pajisje ushtarake. Shumë e lavdërueshme, chapeau”.
Ky lajm është ndoshta më i miri dhe më interesanti ndër lajmet e tjera kohës së sotme për Kosovën! Megjithatë ai shkoi pa u vërejtur, kryesisht për shkak të agjendave politike e mediatike të pista. Ndihma ushtarake e Kosovës për Ukrainën është ngjarje historike. Dhe për këtë ka argumente pa fund.
Së pari, se Kosova pozicionohet e prezantohet në formatin e shtetit të konsoliduar! Me këtë akt ajo u thotë partnerëve ndërkombëtarë se „Liria, pavarësia, shtetësia, integriteti territorial i Kosovës nuk kanë alternativë“! Partnerët e saj dhe shtetet që e kanë njohur Kosovën konsolidojnë bindjen e tyre për aktin e njohjes së këtij shteti dhe ndjehen krenar me këtë akt.
Së dyti, sepse Kosova po i jep ndihmë ushtarake një vendi dhe një shteti, i cili ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Kjo ve në sprovë Ukrainën dhe jo Kosovën. Çka do të thotë se ky veprim do të pasohet herët a vonë me njohjen nga ana e Ukrainës të shtetësisë së Kosovës dhe me krijimin e një lidhjeje e miqësie të ngushtë midis të dy vendeve. Do ishte në nderin e Kievit që njohjen ta shpallë menjëherë në shenjë mirënjohjeje për solidaritetin kosovar!
Së treti, ndihma ushtarake e Kosovës për Ukrainën e luftën e saj për t’u çliruar plotësisht nga agresioni i Rusisë dhe Vladimir Putin relativizon mitin e furnizimit me municione të ushtrisë ukrainase nga ana e Serbisë. Pika më e fortë e Serbisë, të cilën ajo e ka përdor me sukses kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj deri tani, ishte arsyetimi se „Serbia po ndihmon Ukrainën“! Aq shumë është thënë kjo sidomos nga propagandistët pro-serbë të medieve shqiptare dhe disa diplomatë perëndimore gjithashtu pro-serbë, saqë gati u shndërrua në mit. „Serbia furnizon me armë Ukrainën?! Waaa – thonë këta suflerë të Beogradit. Dhe krijojnë kështu mitin e „shkëputjes së Serbisë nga ndikimi rus“!
Kaq i mjaftoi Aleksandër Vuçiq që të marrë zemër e guxim ta kërcënojë Kosovën gati çdo ditë me agresion ushtarak. Ndërsa miqtë e tij në Beograd e kudo gati sa nuk i justifikojnë provokimet e presidentit të Serbisë me „mitin“ se Serbia ndihmon ushtarakisht Ukrainën. Tani që po e bën të njëjtën gjë Kosova, shteti më i ri i Evropës, bie përfundimisht hiperbola e „sakrificës serbe“ për paqen!
Së katërti, Kosova e ndihmon Ukrainën me autoblinda, predha murtajash e mjete të tjera për të dëshmuar se është palë e në anën e aleancës politiko-ushtarake të NATO-s dhe se po bën të njëjtën gjë si edhe vendet anëtare të këtij Pakti. Me këtë rast i jepet përgjigja edhe ambasadorit amerikan, zotit Hill, sipas të cilit “Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova“! Kosova po eksporton me shpejtësinë e një dinozauri angazhim për paqe e siguri në Europë. Ajo trajnon prej kohësh forcat ushtarake të Ukrainës dhe demonstron se është e përgatitur që sot profesionalisht për të qenë anëtare më e denjë se shumë shtete të tjera tashmë pjesë e Aleancës Atlantike. Nuk ka më dyshim se profesionalizmi i ushtrisë së Kosovës është i admirueshëm edhe për ushtritë më të konsoliduara të NATO-s. Ndërkohë që kësaj i shtohet vullneti politik për të dhënë diçka e shumëçka nga vetja në ndihmë të fitores se Ukrainës kundër agresionit rus.
Dhe së fundmi, me këtë akt dhe shembullin që shteti dhe ushtria e Kosovës jep në përkrahje të fitores së Ukrainës vendi bëhet pjesë e të gjitha iniciativave euro-atlantike, si në rastin konkret, kur tashmë është pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Bëhet gjithashtu një zë i dëgjuar dhe i respektuar në këto iniciativa!
Për të gjitha këto arsye duhet të jemi krenarë të gjithë!
Rruga Press