Pse media në Kosovë është kaq e pabesueshme nga publiku?
Shkruan Donik Sallova
Nuk besoj të ketë vend në botë ku të ketë shkëmbim më të madh “kuadrosh” mes medias dhe politikës se sa në Kosovë. Kjo traditë e ndërtuar veçanërisht pas vitit 2007 kur “ajka” e gazetarisë iu bashkua Thaçit në ardhjen e tij në pushtet, duke e spinuar ardhjen e tij në pushtet gati si kusht pa plotësimin e të cilit nuk mund të shpallej as pavarësia, në thelb është traditë kundër gazetarisë, sepse gazetarinë e vërtetë pushteti nuk e sheh asnjëherë si aleatin e vet më të mirë.
Përkundrazi, në Kosovë gazetari ka qenë mik i pushtetit, prandaj sot kur bën si armik i pushtetit askush nuk e beson sepse publiku e kujton mirë se cilës traditë i takojnë shumica e atyre që sot po bëjnë jo gazetarinë e publikut, por të pushtetit që duan e ju mungon. Pra, gazetarë që pasi i kanë shërbyer pushtetit bëhen politikanë, pastaj kur pushteti ju bie, kthehen sërish në departamentin e gazetarisë së ish pushtetit dhe punojnë nëpër studio televizive për rikthimin në pushtet. Vetëm në Kosovë sheh të gjykojnë si opinionistë “të pavarur” ish kryetarë partish, ish ministra, ish deputetë, ish ambasadorë e ish këshilltarë. Të gjithë këta me opinionet e tyre kritike synojnë ta rikthejnë veten në pushtet.
Këtë nuk po e themi për faktin që këta ish pushtetarë, të shndërruar në opinionistë e gazetarë, po e kritikojnë pushtetin aktual. Edhe sikur ta marrim të mirëqenë shndërrimin e tyre në gazetarë, këta edhe kritikën ndaj pushtetit aktual e bëjnë në kundërshtim me parimet e profesionit të gazetarisë si promovuese e interesit publik. Këta gazetarë të opinionit e kritikojnë qeverinë se pse nuk po i lëshon pe Serbisë, pse nuk po e zbaton Asociacionin, pse po e shtrin pushtetin shtetëror në veri pa koordinim me interesat gjeopolitike të aleatëve, pse nuk po e certifikon Listën Srpska të Radojiçiqit etj.
Ndërkohë që kritika e tyre do duhej të ishte në të kundërt, këta analistë të opinionit të tyre, duan të përgatisin terrenin që nëse rikthehet pushteti i tyre, zbatimi i Asociacionit dhe kompromisi për Veriun të konsiderohen si veprimet e duhura që qeveria aktuale nuk po i bën. Pra, synimi i tyre është legjitimimi i veprimeve të gabuara në të kaluarën dhe potencialisht në të ardhmen i pushteteve që ata mbështesin.
Pse, rastësi është fakti që shkëmbimet media-politikë ndodhin vetëm në kampin e partive të ish-regjimit? Në vitin 2021 kur ndodhi përmbysja e madhe politike gazetarët në masë të madhe ishin kundër saj, sepse që në vitin 2019 e kuptuan që pushteti i ri me Vetëvendosjen nuk do të ishte më i mirë për ta se sa pushteti i vjetër. Prandaj, disa që kishin kritikuar ish regjimin për çështje interesash, tani po bëjnë çmos t’i lajnë ato mëkate duke u kthyer krejtësisht në instrument partiak, madje nga degë e gazetarisë së ish pushtetit në drejtori të PR-it të partive opozitare.
Në këtë kontekst, mediat në Kosovë janë përgjithësisht të pabesueshme, sepse askush nuk beson që këto media janë kundër pushtetit në parim. Ato janë kundër këtij pushteti, në funksion të një tjetër pushteti, me të cilin ishin të lidhur dhe duan ta rikthejnë. Duke qenë se kjo nuk është gazetaria dhe informimi mediatik, veprimtaria e tyre tashmë nga qytetarët dhe ndjeksit e mediave shihet pa asnjë dileme vetëm si marketing politik, PR dhe propagandë.
Rruga Press