Pse krijimi i një gjykate të vetme Apeli cënon shtetin e së drejtës
Gjykata e apelit është tani mundësia e fundit e qytetarit për të luftuar mbi të drejtën e tij në gjykim themeli. Krijimi i vetëm një gjykate Apeli në të gjithë vendin do të passjellë gjykim të vonuar ndaj qytetarëve dhe rritje të kostove.
Qëllimi kryesor i një harte gjyqësore është eficenca në dhënien e drejtësisë, që do të thotë garantimi i aksesit në drejtësi dhe dhënia e drejtësisë brenda një kohe të arsyeshme. Qëllimi duhet të jetë ofrimi i shërbimeve gjyqësore cilësore, jo vetëm në një periudhë afatshkurtër, por në periudhë afatmesme dhe afatgjatë.
Argumenti që krijimi i një gjykate kombëtare apeli do të minimizonte efektet e tanishme të numrit të reduktuar të gjyqtarëve bie në kundërshtim me efektet afatgjata të ndryshimit të hartës gjyqësore. Ndryshimi i hartës gjyqësore nuk duhet të ndikohet nga efektet e vetingut, i cili është një proces kalimtar.
Vendimi për hartën e re gjyqësore duhet të bazohet në kriteret bazë dhe standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të dhënies së drejtësisë dhe aksesit në drejtësi, siç janë: garantimi i aksesit në drejtësi në kuptimin e afërsisë së qytetarëve me gjykatat, ulja e kostove me qëllim përdorimin me efektshmëri të burimeve publike, si dhe përmirësimi i cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve të ofruara.
Vendimi mbi shkrirjen e disa gjykatave në një të vetme nuk duhet bazuar vetëm në kriterin ligjor mbi numrin minimal të gjyqtarëve, por edhe në kushtet gjeografike, klimaterike dhe infrastrukturën e zonës, elementë këto që ndikojnë drejtpërdrejtë në aksesin e qytetarëve në drejtësi. Sa i përket treguesit për distancën dhe kohën e udhëtimit, bazuar në raporte të vendeve të tjera europiane, distanca e pranueshme për udhëtim për të arritur në gjykatë nuk duhet t’i kalojë 2 orë duke përdorur transport publik.
Sa i përket gjykatave të Apelit, ligji nr. 98/2016 parashikon që numri minimal i gjyqtarëve në gjykatat e Apelit duhet të jetë së paku dhjetë gjyqtarë. Sipas vlerësimit të paraqitur nga ana e KLGJ-së mbi ngarkesën e punës në gjykata, rezulton se vetëm 2 nga 6 gjykatat e apelit (Gjirokastër dhe Korçë) nuk e përmbushin kërkesën ligjore për të justifikuar 10 ose më shumë gjyqtarë në organikë, duke marrë parasysh kërkesën për ngarkesë të ekuilibruar. Në bazë të këtij vlerësimi, nuk mund të jetë e arsyeshme shkrirja e të gjitha gjykatave të apelit në një të vetme.
Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, gjykata e Apelit mbetet e vetmja gjykatë me kompetenca me gjykim rishikues themeli, duke theksuar domosdoshmërinë e ekzistencës së më shumë se një gjykate të tillë, pasi apeli tani është mundësia e fundit e qytetarit për të luftuar mbi të drejtën e tij në gjykim themeli. Krijimi i vetëm një gjykate Apeli në të gjithë vendin do të passjellë gjykim të vonuar ndaj qytetarëve për shkak të ngarkesës së madhe që do të ketë kjo gjykatë.
Sipas standardeve ndërkombëtare mbi eficencën në drejtësi dhe garantimin e shtetit të së drejtës, rëndësi primare në përcaktimin e vendndodhjes dhe numrit të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit kanë së pari parimi i aksesit në drejtësi, në analizën e të cilit duhet të mbahen parasysh elementët që lidhen me vendndodhjen e gjykatave që të jenë sa më pranë qytetarëve, lidhje të mirë me transportin publik për në gjykata, dhe së dyti garantimi i një ngarkese të barabartë të punës mes gjykatave dhe gjyqtarëve në mënyrë që drejtësia të jepet brenda një kohe të arsyeshme dhe të shmangen vonesat për shkak të mbingarkesës së punës.
Propozimi i KLGJ-së nuk i përmbush asnjërin prej këtyre standarteve.
Sipas standarteve ndërkombëtare të Komisionit Europian për Eficencën në Drejtësi (CEPEJ), gjykata nuk duhet të jetë shumë e madhe me një numër të madh gjyqtarësh të përqendruar në një gjykatë, sepse ndikon në uljen e produktivitetit të gjykatës. Po sipas CEPEJ, një ndër kriteret esenciale për zgjedhjen e vendndodhjes së gjykatave është që gjykata të ketë lidhje të mira me transport publik. Mungesa e mjeteve të përshtatshme për transport, dhe mosmarrja parasysh që jo të gjithë kanë një makinë personale, mund të cënojnë të drejtën e aksesit të barabartë në drejtësi.
Propozimi për të bashkuar gjashtë gjykata të apelit të juridiksionit të përgjithshëm në një gjykatë apeli ndikon në parimin e afërsisë midis drejtësisë dhe qytetarëve. Në zonat e thella të vendit akoma mungon infrastruktura dhe mjetet publike të udhëtimit. KLGJ ka llogaritur si kohë maksimale të udhëtimit për në Tiranë 4 orë e 56 minuta, por nuk është mbajtur në konsideratë mungesa e mjeteve të transportit publik nëpër fshatra dhe vështirësia e lëvizjes në një pjesë të madhe të vendit gjatë stinës së dimrit. Kjo e bën pothuajse të pamundur për pjesën më të madhe të qytetarëve të këtyre zonave apo avokatëve të tyre, arritjen në kohë në kryeqytet duke humbur kështu afatet/seancat gjyqësore. Pa llogaritur këtu që edhe 4 orë e 56 minuta janë shumë për qytetarin apo avokatin, që do e bëjë rrugën vajtje-ardhje (rreth 10 orë).
Koha dhe shpenzimet e udhëtimit do të jenë më të larta edhe për transportin e të pandehurve, personave nën hetim dhe personave të dënuar.
Një problematikë e shtuar e hetimit në rrethe do jetë edhe menaxhimi i provave dhe transferimi/alokimi i provave të të gjitha çështjeve në Tiranë.
Gjithashtu, do të nevojitej ndërtimi i një godine shumë më të madhe, të përshtatshme për akomodimin e 78 gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe një stafi të gjashtëfishuar administrativ, gjë që kërkon kosto të shtuara për blerje trualli dhe ndërtim. Ky është një proces që zgjat të paktën dy vite.
Krijimi i një gjykate kombëtare apeli sjell mbylljen e të gjitha prokurorive të apelit dhe krijimin e një prokurorie të vetme apeli pranë gjykatës kombëtare të apelit. Kjo do të sillte nevojën edhe për ngritjen e godine të re prokurorie apeli në Tiranë. Këto problematika bien ndesh me synimin e një përgjigjeje të shpejtë dhe efektive ndaj pasojave të vettingut dhe do pengonin dhënien e drejtësisë në gjykimin rishikues gjatë këtyre dy viteve.
Problemi i godinës së papërshtatshme për të akomoduar ndryshimet e hartës gjyqësore përmendet disa herë në Raport Vlerësimin e KLGJ-së, por pa iu dhënë asnjë lloj zgjidhjeje, duke u mjaftuar me “kjo çështje duhet të adresohet.” Mbetet mister se nga kush dhe kur do të adresohet dhe si do të bëhet e mundur që ky problem thelbësor të mos pengojë dhënien e drejtësisë në periudhën afatshkurtër, ndërkohë që punohet për ti dhënë një zgjidhje afatgjatë.
Me mbylljen e prokurorive të apelit në rrethe duhen llogaritur edhe kostot për transferimin e burimeve njerezore të këtyre prokurorive në Tiranë për personat që do të transferohen me familjet e tyre në Tiranë, nëse duan të vazhdojnë në atë punë, apo rritje të papunësisë nëse zgjedhin të mos transferohen. Këto kosto vërtetë nuk bien në buxhetin e shtetit, pasi flasim për kostot familjare, (jo vetëm financiare) të personave që do transferohen (qeraja, ndryshimi i shkollës së fëmijëve, puna e partnerëve), nuk mund të mos merren parasysh. Vërtetë do hapen vende pune në Tiranë, por kjo në kurriz të atyre që jetojnë në rrethe, duke rritur edhe më shumë diferencat ekonomike mes Tiranës dhe rretheve.
Pavarësisht që paraqitja e palëve në seancë apeli nuk është e detyrueshme sepse palet mund të përfaqësohen nga avokati, nuk është marrë parasysh që edhe avokatëve të palëve do t’i duhet të udhëtojnë për në Tiranë. Gjithashtu këta avokatë mund të kenë edhe çështje të tjera në shkallë të parë brenda të njëjtës ditë, duke e bërë të pamundur për ta që të jenë të pranishëm në të dyja gjykatat brenda ditës.
Në një vendim të GJEDNJ “Cani kundër Shqipërisë”, gjykata gjeti një shkelje të nenit 6 mbi të drejtën për një gjykim të drejtë vetëm sepse prania e palës nuk ishte garantuar në procedurat para gjykatës së apelit dhe më vonë në Gjykatën e Lartë, pavarësisht se ai ishte përfaqësuar nga një avokat në gjykim. Kjo do të thotë, që pavarësisht që paraqitja e palëve në seancë apeli nuk është e detyrueshme, shteti nuk mund ta vështirësojë aksesin e qytetarëve në këtë gjykatë me këtë pretekst.
Një pasojë e mundshme është edhe që qytetarët do preferojnë të kontraktojnë avokatë me vendbanim në Tiranë, për të shmangur nevojën e pagesës së kostove të udhëtimit të avokatit për në Tiranë. Si pasojë do ulet ndjeshëm puna e avokatëve të rretheve, të cilët do të kontraktohen vetëm në cështjet e shkallës së parë.
KLGJ parashtron si një arsye për kalimin në një gjykate kombëtare apeli mundësimin e menaxhimit më të mirë të gjyqtarëve dhe karrierës së tyre nga ana e KLGJ-së. Kjo nuk mund të jetë një arsye e pranueshme në kurriz të qytetarëve. Qëllimi kryesor për ndryshimin e hartës gjyqësore duhet të jetë ofrimi i shërbimit efikas, pra aksesi në drejtësi dhe dhënia e drejtësisë në kohë, dhe jo lehtësimi i punës së KLGJ për procese që ligji i ka caktuar këtij institucioni.
KLGJ argumenton që një gjykatë kombëtare apeli do të zgjidhë problemin e mungesës së gjyqtarëve në gjykatat e apelit ekzistuese. Një adresim më i mirë dhe më në shërbim të drejtësisë në këtë drejtim do të ishte zgjidhja e problemit faktik, atij të mungesës së gjyqtarëve, dhe jo mbyllja e gjykatave që aktualisht nuk kanë numër të mjaftueshëm gjyqtarësh, zgjidhje që passjell problemet e tjera të përmendura në këtë shkrim.
Një tjetër benefit i pasjes së një gjykate kombëtare apeli, sipas KLGJ-së është uniformizimi i praktikës gjyqësore të gjykatës së apelit. Me këtë argument nënkuptohet së pari që aktualisht paskemi probleme me praktikën gjyqësore. Por duke e lënë mënjanë këtë pohim të KLGJ-së, i cili duhet adresuar veçmas, zgjidhja e propozuar për këtë problematikë, të bën të mendosh që uniformizimi mund të arrihet vetëm kur kemi një gjykatë të vetme. Atëherë edhe për të uniformizuar praktikën gjyqësore të juridiksionit të shkallës së parë, do të duhej të shkriheshin të gjitha gjykatat e shkallës së parë në një të vetme. Kjo bie ndesh me të gjitha parimet e dhënies së drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
Nuk duhet të harrojmë këtu që gjykata e re që do të krijohet do të përbëhet nga po ata gjyqtarë që aktualisht ushtrojnë profesionin në gjykatat e apelit ekzistuese. Pra do të jenë po ata gjyqtarë që do të krijojnë praktikën gjyqësore, duke sjellë me vete në Tiranë arsyetimin e tyre ligjor. Pa i hyrë pastaj këtu argumentimit që ndryshimet në praktikën gjyqësore i shërbejnë zhvillimit të arsyetimit ligjor dhe përmirësimit të dhënies së drejtësisë.
Së fundi, ndryshimet e propozuara nga KLGJ sjellin kosto të shtuara edhe në shpenzimet mbi ndryshimet dhe transportimin e arkivave dhe kostot mbi ripërcaktimin e numrave/ ri-etiketimin e dosjeve të 6 gjykatave të apelit që do të duhet të mblidhen në një arkivë të vetme; shpenzimet e transportit dhe dietat për avokatët e caktuar kryesisht për qytetarët e rretheve; si dhe për shoqërimin e të burgosurve nga IEVP-të për në Tiranë.
Për të shmangur problematikat e mësipërme, nevojitet ekzistenca e të paktën 3 gjykatave të apelit (psh Tiranë, Vlorë, Shkodër) me së paku 10 gjyqtarë secila, duke plotësuar kështu kriteret ligjore. Vetëm në këtë mënyrë do të mundësohet akses në gjykata në një kohë të arsyeshme për të gjitha zonat e vendit dhe do merret parasysh situata reale e vendit sa i përket infrastrukturës, ekzistencës së transportit publik dhe kushteve financiare të popullsisë. Madje, po të marrim parasysh që zona e Korçës nuk ka lidhje të mira rrugore me Vlorën, do të nevojitej një gjykatë apeli edhe në Korçë, për të lehtësuar kështu aksesin e banorëve në gjykatë.
Po ashtu, në një vlerësim objektiv të impaktit ekonomik dhe kostove të ngritjes së një gjykate të vetme apeli, arrihet në konkluzionin që impakti negativ ekonomik do ishte ndjeshmërisht më i lartë sesa impakti në eficencën e gjykatave në dhënien e drejtësisë.
Ndaj edhe krijimi i një gjykate të vetme apeli nuk është një vendim praktik dhe as nuk i shërben përmirësimit të shtetit të së drejtës.
*Desara Dushi është kërkuese shkencore pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Kriminologjisë së Vrije Universiteit Brussel në Belgjikë. Në Shqipëri, Desara ka punuar si lektore pranë Universitetit Epoka dhe si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë nëpërmjet programit LEAD Albania 2019-2020./reporter.al/
Rruga Press