KryesoreOpinion/Aktualitet

Pse Grenell nuk kishte vërtet shans të bëhej Sekretar i Shtetit

Nga Ruben Avxhiu

Sa ishte vërtet i rrezikshëm, pse do të vazhdojë të ndikojë në çështjet e Ballkanit, dhe një mësim i vogël për politikën

Senatori Marco Rubio u është përshtatur mjaft pikëpamjeve të Presidentit-të-Zgjedhur Donald Trump në dy vitet e fundit. Megjithatë, ai bën kontrast me frymën e re që sjell Trump në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Atëhere pse është zgjedhur pikërisht ai që të drejtojë Departamentin e Shtetit?

Arsyeja më e besueshme është për të qetësuar Aleatët në NATO apo Evropë, që janë alarmuar nga kthimi i Presidentit Trump për një mandat të dytë.

Evropianët jo vetëm që janë të ndikuar nga alarmi në median kryesore amerikane, por shohin edhe një aleancë të qartë globaliste mes partive të tyre të djathta anti-emigracion me rrethin e Presidentit Trump. Fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale mund të paralajmërojë fitoret e të djathtës së re nacionaliste në kontinentin e vjetër. Ndërkohë që shumica e qeverive të vendeve anëtare të BE-së por përpiqen të izolojnë Viktor Orbanin e Hungarisë, për lidhjet e tij me Vladimir Putinin, refuzimin e politikave të emigracionit e të tjera, Trump dhe Orban kanë miqësi e aleancë të deklaruar.

Në botëkuptimin e Presidentit Trump, evropianët kanë gëzuar sigurinë që u ka dhuruar ushtria amerikane dhe kursimet duke mos investuar në industrinë e mbrojtjes i kanë përdorur për të krijuar një mirëqënie që ua kalon amerikanëve si dhe industri të cilat kanë konkurruar dhe nganjëherë falimentuar ato amerikane. Trump shpesh flet pa takt, por kritika ndaj partnerëve evropianë për kontributin e tyre të pamjaftueshëm në NATO ka nisur që nga Administrata e Presidentit Barack Obama.

Nëse izolacionistët fitojnë në betejën e tyre me ithtarët e tregut të lirë, në rrethin e Presidentit-të-Zgjedhur Trump, ai do të vendosë tarifa të rënda ndëshkuese ndaj produkteve evropiane që vijnë në tregun amerikan. Jo më kot, anketimet nga Gallup International tregonte se evropianët në pjesën më të madhe preferonin që të fitonte Kamala Harris.

Pavarësisht nga këto, amerikanët dhe evropianët i bashkojnë shumë gjëra jetike. Edhe sikur Trump të ishte vërtet një vegël e Putinit, si në fantazitë më të trembura të disa euroatlantikëve, ai nuk mund të imponojë një marrëveshje paqe në Ukrainë, pa ndihmën e evropianëve. Nuk mund të vendosë politika të reja ndaj Kinës, Rusisë, e vendeve të tjera pa bashkëpunimin me aleatët në Evropë. Megjithë, luftën e mundshme tregëtare, të dy krahët e Atlantikut janë kaq shumë të inkuadruara ekonomikisht me njëra-tjetrën, saqë evropianët mund ta ndëshkojnë ekonominë amerikane po aq sa mund ta ndëshkojë edhe Trump atë të tyren.

Lexo më shumë  Kisha serbe i ofron “mbështetje të palëkundur” Kishës ruse për pretendimet e saj kishtare në Ukrainë

Që nga Banka Botërore, te OKB, te shumë forume ndërkombëtare, te tregjet e investimeve, etj, Trump do të ketë nevojë për bashkëpunim, mbështetje dhe koordinim me Aleatët. Është në natyrën e tij të kërkojë bindje e respekt, por në fund, ai është një biznesmen që e di vlerën e një pazari.

Prandaj, pas alarmit fillestar, evropianët vrapuan për ta uruar dhe për t’i premtuar bashkëpunim. Trump ua ktheu mirësjelljen duke caktuar Senatorin Marco Rubio, një euroatlantist i dëshmuar, në krye të Departamentit të Shtetit. Zgjedhja e tij ka mërzitur turmën izolacioniste që e mbështet Presidentin Trump është një sinjal i hapur bashkëpunimi me Aleatët e NATO-s dhe BE-në. Është një dorë e zgjatur, një përgjigje kritikëve dhe një shenjë se pluralizmi gjallon në rrethin e presidentit të ri e të vjetër.

Pikërisht për këtë, Richard Grenell nuk kishte asnjë shans që të bëhej Sekretar Shteti. Zgjedhja e Grenellit do të sinjalizonte të kundërtën. Do të konceptohej si një fyerje nga Gjermania, vendi më qendror i BE-së, në një kohë kur Trump dhe diplomacia gjermane po përpiqen të lënë pas një komunikim aspak diplomatik me njëri-tjetrin, që u konsumua kryesisht në publik e rrjetet sociale. Është për të mirën e të dy palëve që të kërkohet një klimë bashkëpunimi.

Për ironi, Ambasadori Grenell po paguan besnikërinë e tij të tepruar ndaj Presidentit Trump. Në vitet kur shërbente si Ambasador në Gjermani, ai duket se ka treguar akoma më pak takt, duke u bërë jehonë kritikave amerikane të asaj kohe ndaj Berlinit. Në fakt, karriera e tij në diplomaci mund të kishte marrë fund nëse nuk do të ishte ringjallur në Ballkan me idenë e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.

Për arsye të ngjashme, vështirë se Grenell mund të marrë postin e Ndihmësit për Çështjet Europiane që do t’i jepte mbikqyrjes të drejtpërdrejtë mbi rajonin tonë sepse edhe ai post vjen me të njëjtin bezdi për evropianët.

Ambasadori Grenell në fakt ka qenë një nga shqetësimet kryesore që shumë shqiptarë kanë pasur lidhur me një fitore nga Donald Trump në këto zgjedhje. Droja e tyre nuk është pa bazë. Grenell ka zhvilluar një armiqësi personal ndaj kryeministrit Albin Kurti që ngjan pak si obsesion kundër tij. Ndërkohë, ndërmjetësimi i tij për një investim të Ivanka dhe Jarred Kuchner në Beograd, sjellja e tij gati e nënshtruar ndaj Presidentit Vuçiq, roli i tij personal në rithemelimin e Kaukusit Serb në Kongresin Amerikan, vetëm sa i shtojnë dyshimet e shqiptarëve ndaj tij.

Nga ana tjetër, pavarësisht nga akuzat, Grenell nuk është shpikësi i idesë së shkëmbimit të territoreve. Diplomacia amerikane edhe nën Administratën Biden ka qenë e butë me Vuçiqin dhe kritike ndaj Kurtit (ndonëse jo me armiqësinë flagrante të Grenellit). Vërtet që Grenell ka krijuar afërsi me Vuçiqin, por kështu ka bërë edhe me Edi Ramën në Shqipëri dhe Hashim Thaçin në Kosovë. Ai ka folur kundër shpalljes non-grata të Sali Berishës si dhe jo më vonë se mbrëmë ka ripostuar një mesazh ë X që e quan të paligjshëm arrestmin dhe mbajtjen në burg të Hashin Thaçit. Gjatë kësaj fushate presidenciale ka krijuar marrëdhënie të reja me shqiptarë në Michigan, Pennsylvania etj.

Lexo më shumë  Një delegacion prej 70 vetësh nga Beogradi shkon në Shën Petersburg: Serbia e kthen tregtinë me Rusinë në nivele rekord

I shkuaj këto për të nënvizuar se ndërsa është e mundshme që po të ishte ngjitur në postin e Sekretarit të Shtetit mund të kishte dëmtuar Kosovën, është gjithashtu e mundshme që faktorë të ndryshëm mund të ndikonin për ta kufizuar armiqësinë e tij të paarsyeshme ndaj Kurtit. Apo më saktë që ndoshta etiketimi i tij si “anti-Kosovë” apo më keq “anti-shqiptar” mund të jetë i diskutueshëm dhe se realiteti si gjithmonë është më kompleks sesa duket.

Kudo që të jetë, në çfarëdo posti që të marrë Grenell do të vijojë të ndikojë në Ballkan dhe veçanërisht në Kosovë. Madje duke mos u zgjedhur në poste të rëndësishme, ai mund të ruajë një epërsi ndaj të tjerëve, sepse si President Trump ka dëshmuar se i pëlqen të ruajë një rreth jozyrtar këshillimi.

Nga gëzimi për zgjedhjet e Rubios, Chris Hillit, O’Brien-it, te alarmi për emërimet e John Bolton e Ric Grenell ajo që nuk ka ndryshuar është bindja se problemi i vërtetë për Kosovën është ndryshimi në interesat dhe nevojat amerikane, jo emrat e përveçëm në krye të institucioneve.

Në politikë zakonisht nuk ka armiq të përkryer, apo miq të vërtetë. Nuk ka fitore përfundimtare apo humbje shkatërruese. Vetëm ndryshime raportesh, shkallëzim ndikimi e ndërlikimi. Në vend të alarmit apo haresë, reagimi ideal është hartimi i planeve alternative, duke besuar se çdo gjë është e mundshme deri diku.

(Shënim: Emërimet nuk janë teknikisht zyrtare derisa paraqiten në Senat dhe aprovohen nga Senati. Po ashtu, Sekretarët shërbejnë për aq kohë sa dëshiron Presidenti dhe se Trump ka dëshmuar një prirje për të ndryshuar kabinetin e tij më shpesh se çdo president tjetër në kohën moderne. Për momentin, Rubio është ende Senator dhe Grenell ende njeriu që u ul me Trumpin në takimin e tij me Zelenskyn apo që ishte pranë tij kur foli në telefon me Vuçiqin. )

Rruga Press

YouTube player