Opinion/Aktualitet

Pse duhet të mendojmë dhe të veprojmë gjeopolitikisht?

Europa në raport me Serbinë po bën të njejtin gabim siç bëri në raport me Moskën që nga vitet shtatëdhjeta e tutje, me theks pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Është koha t’i jipet fund përgdhelieve dhe të startohet një politikë e re me Serbinë.

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Hyrje

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, me ç’rast u shkel e drejta ndërkombëtare, nuk është vetëm një pikë kthese për rendin e paqes në Evropë, por edhe për rendin ndërkombëtar. Kjo luftë në veçanti duhet të reflektojë në politikën shqiptare ndaj Serbisë. Pikërisht ky reflektim i pritshëm është pjesë e kësaj eseje politike. Ai reflektim fillon me pranimin e realitetit që ndërlidhet me këtë pikë kthese, është shenjë e mjaftueshme që ne si komb, më në fund, duhet t’i kthehemi vlerave tona.
Ruajtja e lirisë, funksionalizimi i plotë i Republikës së Kosovës, sovraniteti i dy republikave, duke pas në konsideratë edhe interesat jetike të kombit tonë para së gjithash në Maqedonin e Veriut, dhe solidariteti i plotë me dy republikat fqinje në këtë rrafsh — Malin e Zi dhe Maqedonin e Veriut, ruajtja e paqes në rajon — janë dhe duhet të mbesin synimet e politikës së jashtme të dy qeverive tona në Tiranë dhe Prishtinë.

Gjykata Speciale alias filmi Ex Machina i Alex Garland-it

Aleksandër Vuçiqi është i përkushtuar për vazhdimin e politikave agresive dhe neokoloniale në raport me Kosovën. Ai, në fakt, përmes të ashtuquajturit proces të “shkëmbimit të territoreve”, respektivisht përkufizimin [“razgraniçenje”] me shqiptarët, kishte investuar shumë për të realizuar aneksimin e veriut të Kosovës, zonës më të pasur me thesaret e nëntokës e mbitokës [mineralet e pasura e Liqenin e Ujmanit]. Rrjedhimisht Republika e Kosovës pretendohej shqeto të shlyhet nga harta politike e Europës.
Ndërhyrjet e Bashkësisë ndërkombëtare në formatin që bënin regjisorët antik përmes një mjeti nga jashtë — Ex Machina, në rastin e Kosovës përmes Dhomave të Specializuara me seli në Hagë (Gjykatës Speciale), ka shumëçka që të rikujton filmin fantastiko-shkencor po me këtë titull [Ex Machina] të vitit 2014, i shkruar dhe drejtuar nga Alex Garland në debutimin e tij regjisorial.
Por nëse regjisori i filmit në fjalë ishte përqëndruar në katër personazhe, të luajtur nga Domhnall Gleeson, Alicia Vikander, Sonoya Mizuno dhe Oscar Isaac, skenari i Vuçiqit që kishte për objekt aneksimin e veriut të Kosovës në shkëmbim të ca katundeve në zonat e thella të Preshevës (Malet e Zeza të Shkupit, respektivisht Karadakut) dhe ca “lagje” periferike të Bujanocit dhe dy-tri katunde të Medokës, të cilin pretendonte ta realizojë me dy-tre “aktorë”, nëse nuk ia arrinte dot me vetëm një. Ishte Gjykata Speciale që ndërhyri, si një regjisor antik përmes mekanizmit Ex Machina, me ca elemente shtesë të filmit të Alex Garland-it.

Ndërkaq rikthesa e madhe në politikën e jashtme të Tiranës dhe Shkupit zyrtar dhe rendja për t’ju bashkangjitur idesë serbo-ruse për rimëkëmbjen e Jugosllavisë në një format tjetër, që nënkupton “Ballkanin e hapur” [katër ish republikat jugosllave plus Shqipëria], duke ia kundërvënë Procesit të Berlinit, respektivisht vet BE-së, dëshmoi se sa prezente ishte dhe mbetet Rusia në rajon.

Fushata, ndërkohë, e përqëndruar, e një lagjeje politikanësh dhe qarqeve gazetareske në Tiranë dhe Prishtinë, për gjoja mbrojtjen e UÇK-së në emër të një patriotizmi folklorik, rezulton të jetë edhe një përpjekje shtesë kundër dekriminalizimit të segmenteve të veçanta që vepruan në emër të saj gjatë dhe pas luftës në shpërputhje me interesat strategjike të Kombit. Emblema e UÇK-së prandaj nuk duhet e nuk guxon të përdoret tutje si gjethe fiku. Këto akte nuk mund të shërbejnë si mbulesë për proekte si “Ballkani i hapur” që nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e themeluesve real të UÇK-së dhe spartanëve të shumtë të saj.

“Na e lini fuqinë në duart tona, përndryshe do të përmbyset çdo gjë”, duket se na kërcnonë oligokratët përmes politikanëve të zënë peng.

Rutger Bregman përshkruan një qast specifik në jetën e filozofit frëng Zhan Zhak Rusoso [Jean-Jacques Rousseau], që do t’i ndryshojë jetën për 180 shkallë. Ai qast i ndodhë derisa po qëndronte nën hijen e një peme dhe po shfletonte numrin e fundit të revistës Mercur de France, kur i mbeti shikimi i ngulitur mbi një shpallje të veçantë, e cila do të duhej t’ia ketë ndryshuar rrjedhën e jetës tutje. Ishte një grishje e Akademisë së Dion-it që ofronte një çmim të veçantë për një ese po ashtu të veçantë. Akademia po kërkonte pjesëmarrës në konkursin e saj, prej të cilëve kërkonte përgjigjen e saktë në pyetjen pasuese: A ka kontribuar përparimi i shkencave dhe i arteve në ashpërsinë apo fisnikërimin e sjelljeve?

Rusoi, shkruan tutje Bregman, e dinte përgjegjen në çast. “Menjëherë, me t’i lexuar këta rreshta”, do të shkruante ai më vonë, “pashë rreth e qark meje një botë tjetër dhe unë vet u shndërrova në një njeri tjetër”. Papritmas ai e hetoi se civilizimi nuk ishte bekimi i gjakuar, por ishte vet helmi. Ndërkaq derisa po i afrohej burgut, ku po mbahej peng një mik i tij krejt i pafajshëm, ai e kuptoj se “njeriu nga natyra është i mirë, por përmes institucioneve ai shndërrohet në qenie të keqe”.
Rusoi kishte fituar çmimin e parë. [1]

Në këto rrethana, “Ballkani i hapur”, respektivisht gjakimi për ta ruajtur me çdo çmim puhtetin, se si merrë trajtën e institucionit që një lagje politikanësh tanë i ka tjetërsuar tej mase, ndërkaq vetëm tek rikthimi i Procesit të Berlinit jam i prirë ta shoh jo vetëm prologun e fundit të tij, siç ndodhi me atë të “razgraniçenjes” së Vuçiqit, por edhe rikthimin e mundshëm të Shtetit në duart e idealistëve të shkollës së Rusoit.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Rikthimi i Procesit të Berlinit po ndodhë falë angazhimit diplomatik të qeverisë gjermane, me ç’rast të premtën që lamë pas, rezultoi me marrëveshjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për nënshkrimin e tri marrëveshjeve të reja në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Këtë e bëri të ditur të premten në Berlin, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në kuadër të ministerialit të ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit.

Disa paralele mes Edi Ramës dhe Villi Brandit

Disi ngjashëm me Gjermaninë që nga epoka e Villi Brandit, me theks nga epoka e ribashkimit të saj, është kultivuar konsensusi kombëtar, i mbështetur nga një pjesë e mëdhe e shoqërisë, që gjykonte se lidhjet e ngushta me Rusinë janë në përputhje me interesat jetike gjermane. Duket se edhe brenda një pjese të mirë të elitës politike shqiptare, që gjatë këtyre viteve të tranzicionit demokratik, natyrisht të mbështetur nga oligarkët tanë që janë lidhur shumëfish me oligarkët rus, veçmas pas vitit 2007, kur Putini hapur po paralajmronte idenë për rikthimin e Rusisë si superfuqi, po pregadisnin terrenin për largim nga paradigma e demokracisë europiane, që do të duhej t’na rikthente natyrshëm në gjirin e familjes politike perendimore, duke shfrytëzuar “Ballkanin e hapur” si një zonë të ndikimit rus.

Por 24 shkurti i 2022 ka përmbysur edhe këtë skenar.

E vetkuptueshme, në këto rrethana të reja që ka imponuar impenjimi i Putinit në Ballkan, duket se koordinimi mes BE-së dhe SHBA-ve në raport me përmbylljen e procesit mes Kosovës dhe Serbisë është hedhur në ofensivë të plotë. Gjasat që ky proces të rezultojë me njojen e Republikës së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk na kanë njohur [katër prej të cilave janë edhe anëtarë të NATOs], të jetë hapi vendimtar për izolimin e Serbisë. Me këtë akt i hapet rrugë procesit të përshpejtuar të aderimit të Kosovës në NATO. Kështu Kosova hynë nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, duke i dhënë fund ëndrrës serbe për rikthim në Fushën e Dardanisë.

Tashmë është e qartë, afrimi me Serbinë dhe Rusinë nuk ka se si të cilësohet si hap strategjik për ruajtjen e paqes në Europë! Në fakt kjo lagje politikanësh shqiptarë që ishin kapur me kohë nga oligarkët e lidhur shumëfish me sivëllezërit e tyre rus e serb, nuk po arrinin dot të kuptonin se kushtet kornizë të këtyre marrëdhënieje me Serbinë dhe Rusinë kishin ndryshuar prej kohësh. 24 shkurti vetëm po rikthente në vëmendje edhe te aleatët tanë, disa prej tyre, si psh. gjermanët, se “bota para 24 shkurtit nuk ekziston më”.

Regjimi serb ndërkohë, duke u ndodhur mes Perendimit dhe Lindjes, nën presionin e madhë perendimor për ripozicionim të qartë, po detyrohet të heq maskat.

Si shoqëri ne duhet të mësojmë nga këto oshilime të elitës politike në Tiranë dhe gabimet e saj në raport me Beogradin, duke nxjerrë përfundimet e duhura.
Politika e kryeministrit Edi Rama ka shumëçka të përbashkët me atë të Villi Brandit, sidomos në rrafshin e politikave të jashtme. Por nëse Willi Brandi që atbotë ishte Ministër i Jashtëm [1967], tek po negocionte doktrinën e NATO-s për kombinimin e afrimit dhe parandalimit përmes forcës ushtarake, Edi Rama ka marrë bashkëatorësinë e “Ballkanit të hapur” për të kombinuar afrimin me Serbinë me idenë e parandalimit të përplasjes së mundshme ushtarake, duke e cilësuar atë disi të ngjashëm me “Ostpolitikën” Villit.
Natyrisht kjo paralele nuk qëndron. Arsyeja themelore pse nuk qëndron konstatimi i kryeministrit Rama se, gjoja Ballkani i hapur” na përafron me BE-në, është ngase ai “tashmë po shndërrohet në zëvendësim për anëtarësim në BE. […] Open Balkan-i nuk e faktorizon Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë Veriore përmes anëtarësimit në BE, por i ekspozon ekonomitë e tyre ndaj një shteti më të industrializuar, Serbisë”[2], duke i shndërruar ato në neokoloni moderne të saj.

Prandaj konkluzioni se, nëse Ostpolitika socialdemokratëve gjermane ishte në përputhje me interesat strategjike gjermane që do të shpienin drejt ribashkimit të saj, duke i nëdrlidhur këto politika përafruese me Rusinë edhe me hapa novator për kultivimin e paqes dhe sigurisë në Evropë dhe në fund zgjerimin e BE-së, ideja për “Ballkanin e hapur” është krejtësisht në shpërputhje me interesat jetike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe me sigurinë në Europën Juglindore dhe më gjerë në plan afatgjatë.

“Ballkani i hapur” mbetet në shpërputhje me interesat jetike shqiptare

Villibrandi ynë në Tiranë duhet të ketë parasysh se raportet mes shqiptaërve dhe Serbisë kanë një histori të gjatë luftrash dhe përplasjesh, që nuk rrafshohen dot lehtë e shpejt. Po i sjellë disa arsye temelore.

Së pari: Shqipëria dhe shqiptarët në raport me Serbinë i ndanë një histori e veçantë. Pala shqiptare nuk guxon të vihet në lajthitje dhe të ushqejë shpresat se kjo histori ka ndërgjegjësuar palën serbe për një angazhim të ri dhe korrektim të këtyre raporteve në dobi të ndërtimit të paqes dhe bashkëpunimit. Rama dhe oligarkët rreth tij, tok me atë shtresë të hollë politikanësh pa ego, nuk po arrijnë ta kuptojnë dot se Vuçiqi nuk e sheh këtë histori shekullore ndërmjet dy kombeve tona në këtë mënyrë. Vuçiqi duke u katapultuar në krye të pushtetit në Beograd pikërisht në kohën kur raportet gjermano-ruse po lulëzonin, filloi të manipulojë dhe instrumentalizojë historiografinë — që për objektiv kishte konsolidimin autokratik në vend dhe politikën e fuqive të mëdha të drejtuara nga interesat jashtë vendit. Duke vepruar kështu, kjo elitë që tashmë ndodhet në krye të pushtetit në Tiranë, ka përvetësuar një imazh të tjetërsuar të Serbisë që ishte formësuar nga e kaluara. E zhytur në llumin e korrupsionit dhe amoralitetit politik, duke gjykuar se Serbia tashmë nuk mund të ishte e rrezikshme për ne si komb, ndërkaq duke qenë si palë në “Ballkanin e hapur”, do të mund të realizonim interesat bashkarisht. Me këtë qëndrim kjo e ashtuquajtur elitë politike jona i lë hapësirë të lirë Serbisë për realizimin e interesave jetike serbe në Bosnjë e Mal të Zi, duke harruar tërësisht Sanxhakun e Tutinin.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Së dyti, pozicionimi politik për ndryshime pozitive nëpërmjet afrimit me Serbinë, qoftë edhe përmes aderimit në “Ballkanin e hapur”, duket të jetë paradigma përcaktuese e Tiranës zyrtare aktualisht. Në këtë rast, është e qartë, ne si komb nuk kemi reflektuar sa duhet e në mënyrë kritike mbi disa supozime bazë të politikës sonë ndaj Serbisë. Edhe pse Serbia deklarohet qartë në raport me Kosovën — ajo tutje nuk e pranon realitetin e krijuar nga qershori i vitit 1999. Madje ajo projekton rikthimin me armatë, me çmimin që të largohet gjithnjë e më shumë nga Perendimi. Pa përfillur realitetin e krijuar pas 24 shkurtit në Ukrainë, rrjedhimisht edhe raportete saj Perednim-Lindje. Lidhjet gjithnjë e më të ngushta ekonomike nuk kanë kontribuar në një përafrim real. Ndryshimi përmes ndërveprimit ekonomik pa një axhendë politike me Serbinë, e qartë, nuk funksionon.

Së treti: Shqipëria dhe Kosova nuk guxojnë të futen në raporte varësie me Serbinë me politikat tona në fushat jetike, si ajo e energjetikës, agrokultura etj. Eksperti amerikan Edward P. Joseph në një intervistë për DW, duke shprehur pikëpamjet e tij me nismën e “Open Balkan” konkludon se ajo “minon “Procesin e Berlinit” dhe i jep më shumë fuqi ekonomike dhe politike Serbisë.”[3] Ndërkaq nënvlerësimi i ambicieve nacionaliste të Serbisë të shprehura hapur për kthim në Kosovë, që ndërlidhet automatikisht me dimensionin e sigurisë, mund të jetë fatal për ne si komb.
Ky veprim duhet të stopohet urgjentisht.

Së katërti: Duke hyrë në aranzhmane për “Ballkanin e hapur” ne nuk kemi marrë mjaftueshëm parasysh interesat dhe perspektivat e fqinjëve tanë, sidomos ato të Malit të Zi dhe Bosnjës, por edhe interesat e partnerëve tanë perendimor, para së gjithash ato gjermane, kroate etj. për rajonin.
Kjo mund t’na shpjerë në një humbje masive të besimit. Sidomos ndërkohë, kur politika serbe në këtë rrafsh mund të bëhet më agresive. Në këto rrethana ne duhet të koordinohemi më shumë me partnerët tanë real.

Me siguri do të ketë pika të tjera të gabuara që ndërkohë kemi bërë.
Është e rëndësishme që tashti t’i emërtojmë ato gabime dhe të nxjerrim mësimet e duhura prej tyre, gjithmonë duke pasur parasysh të ardhmen.

Së pesti: Është koha të ndërtojmë politika të qarta, në raport me interesat tona jetike përballë Serbisë, tani dhe këtu. Bëhet fjalë për mbështetjen e Kosovës në betejën e saj të përditshme për funksionalizimin e Shtetit dhe forcimin e pozitës së Republikës në dialogun që i është imponuar nga Bashkësia ndërkombëtare.

Deklarata se nuk duhet ushtruar presion ndaj Serbisë në raport me sanksionet ndaj Rusisë dhe insistimi për rishikimin e raporteve shqiptaro-serbe përmes “Ballkanit të hapur” që duhet t’i imponohet Procesit të Berlinit, është në shpërputhje të plotë me interesat tona kombëtare. Sot, detyrë mbi detyra është të ndërtohet strategjia jonë kombëtare e qartë në raport me Serbinë.
Serbia përmes përafrimit të theksuar me Rusinë, sidomos në lëmin e sigurisë (Baza Ushtarake Ruse në Nish…) është rrezik permanent parasëgjithash për ne.

Prandaj “Ballkani i hapur” mbetet në shpërputhje me interesat jetike shqiptare.

Përfundim

Tani ne do të duhej bashkarisht të hartojmë politikat tona të sigurisë, të mbrojtjes dhe strategjinë kombëtare, duke investuar masivisht në sigurinë tonë, sepse forca jonë është parakushti bazë për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit. Pavarësisht nga rrjedha e zhvillimeve në prag të përvjetorit të luftës në Ukrainë ose pas, dy republikat tona duhet të jenë në gjendje të mbrohen në çdo kohë. Edhe nëse duhet t’i përmbahemi qëllimit të një rendi të përbashkët sigurie në afat të gjatë: për sa kohë që Serbia refuzon të jetë pjesë e Perendimit, ajo nuk ndryshon rrënjësisht asgjë, rrjedhimisht ajo nuk mund të jetë një partner serioz.

Ndoshta përgjigja më e mirë që duhet t’i japim Beogradit përgjatë gjithë kohës sa pushtetet atje hartojnë e projektojnë strategji për kthim në Kosovë, është ecja e përshpejtuar drejt integrimit brendakombëtar, që do të duhej të kurorëzohej me krijimin e Federatës Shqiptare të fortë dhe sovrane.

Pranimi i Shqipërisë politike në NATO [1 prill 2009], në këtë proces të rimëkëmbjes së kombit tonë të rikthimit në familjen perendimore, ishte një hap historik në kuadër të mendimit dhe veprimit konkret gjeopolitik. Ndërkaq integrimi në strukturat euroatlantike, e para së gjithash me procedura të përshpejtuara i Kosovës në NATO, mbetet objektivi qendror për sigurimin e prosperitetit dhe lirisë për dy republikat tona.

Por ne duhet të shkojmë më tej. Ne duhet të mendojmë dhe të veprojmë gjeopolitikisht.
Shih për këtë, është e rëndësishme që të mos i ngatërrojmë këta hapa. Kur bëhet fjalë për sigurinë në Evropën Juglindore, ne duhet të qëndrojmë qartë me partnerët tanë. Po kështu edhe kur bëhet fjalë për çështjen e shtetit ligjor apo lirisë së shtypit.
Ndërkaq, tashmë ka ardhur koha që ne duhet të bëjmë hapin tjetër dhe të çojmë përpara interesat tona kombëtare. Për ta arritur këtë, me hapa më të përshpejtuar, brenda periudhës sa Brukseli do gatitet për integrim të Ballkanit Perendimor, të bëjmë hapin e madhë historik të aderimit në BE tok, si Federatë Shqiptare.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *