Art & Kulturë

Pse Buster Keatoni sot është aktori më me ndikim?

Stili pa emocione i aktrimit të yllit të filmit pa zë, i kombinuar me energjinë e tij kinetike, ka frymëzuar yjet më të njohur të ditëve të sotme. Nicole Davis analizon për BBC se pse stili i aktorit dhe regjisorit Buster Keaton është ende model për kohët moderne. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi sjellë më poshtë.

Buster Keaton ishte enigmë për epokën e tij. Ylli i filmit pa zë e nisi karrierën mes çative, luftoi me stuhitë dhe dunat e rërës, hipi në automjetet që lëviznin – shpesh zvarritej pas tyre, krejtësisht horizontalisht dhe pezull po aq sa mosbesimi ynë – në emër të komedisë. Historiani i filmit, Peter Kramer, në esenë “Krijimi i yjeve të komedisë”, thotë se performanca pa emocione e Keatonit ishte reagim i duhur ndaj karaktereve të besueshme. Qetësia e tij e paepur u keqinterpretua si mungesë e shprehjes emocionale, ose ndoshta e aftësisë së aktrimit.

Në ditët e sotme i duartrokasim performancat që kanë një nivel kufizimi, i brohorasim gjestet mikroskopike që lënë të kuptohet nënteksti, por që refuzojnë ta shqiptojnë atë. Siç thekson Dana Stevens – autorja e librit “Njeriu i kamerës” – Keaton ishte para kohës së tij. Lloji i tij i minimalizmit, i stoicizmit dhe lirizmit e kapërceu shekullin XX dhe mund të shihet sot më shumë se kurrë. Stevens citon “qetësinë e vetëpërmbajtur” të Keatonit si “armën e tij sekrete”.

Kjo qetësi ose stoicizëm, pavarësisht nga trazirat e thella të brendshme, është diçka që mund të gjendet edhe në performancën e vlerësuar nga kritikët të aktorit Oscar Isaacut në filmin “Inside Llewyn Davis” (2013). Ai thotë se pikënisja për personazhin e Llewynit ishte Buster Keatoni. “Ishte frymëzim i madh për mua”, thotë Isaac, i cili donte ta përdorte atë që ai e quan “komedi elastike” dhe ta përshtaste me një shprehje fytyre që “nuk ndryshon, por që ka një melankoli në të”. Kështu e krijoi personazhin që është i frustruar me botën dhe gjithçka në të. Kur kupton se shoku i tij Mike bëri vetëvrasje, nuk ka as një shenjë pikëllimi, pos një vështrim të ngurtë teksa sytë përqendrohen në rrugën përpara. Por, sytë e tradhtojnë me trishtimin që ka përbrenda.

Ky shikim është trashëgimia e Keatonit. Në librin “Shikimi i Buster Keatonit”, kritiku francez i filmit Robert Benayoun, pohon se qëllimi i xhirimeve të fytyrës së tij ishte të na përballë me shikimin. Kur Buster shikon një pengesë të papritur, në hapësirën jashtë ekranit, vështrimi i tij e bën atë pengesë të duket si befasi ose rrezik … Keaton ishte komediani i vëmendjes së qëllimshme, i reflektimit intensiv dhe dinamik; mund ta shohim duke menduar ashtu siç mund ta shohim Llewynin duke menduar për shokun..

Isaac nuk është i vetmi që shfaq prirje për aktrimin minimalist, ose atë që autori Shonni Enelow e quajti “estetikë recesive”. Për dallimi nga aktrimi sipas Metodës, që funksionon brenda një kuadri “tensioni dhe çlirimi”, e që na ofron lojë “të ethshme, të trazuara e buzë shpërthimit”, loja e largët karakterizohet me shprehjet e vogla, me intensitet të përmbajtur dhe një refuzim ndaj reagimeve të mëdha apo momenteve të zhurmshme. Enelow flet për aktorët Jennifer Lawrence (në filmin “Winter’s Bone”), Rooney Mara (në “Carol”) dhe Michael B Jordan (në “Fruitvale Station”) që e japin këtë “tërheqje emocionale si përgjigje ndaj një mjedisi të dhunshëm ose kaotik.

Keaton mund ta ketë bërë këtë për të qeshur të tjerët, por e pa vlerën e kësaj – si përgjigje ndaj ngjarjeve të paparashikueshme dhe të rrezikshme, me reagime stoike. Ky minimalizëm i ka rezistuar kohës. Kritikja dhe historiania e filmit, Imogen Sara Smith, thekson se “ftohtësia dhe finesa e stilit të tij është kinematografike, meqë e dinte se kamera mund të kapte detaje shumë të vogla”. Se aktrimi bashkëkohor është bërë më i brendshëm dhe më i natyrshëm, arsyeja mund të jetë se “sa i përket stilit të lojës, ai përkthente më shumë se yjet tjerë të epokës së tij”, pohon Smith.

Kjo melankoli recesive është e dukshme edhe në performancën e aktores Awkwafina në tragjikomedinë e vitit 2019, “The Farewell”. Në rolin e Billit – e lindur në Kinë dhe e rritur në ShBA – kthehet në Çangçun kur merr vesh gjyshes së saj Nai-Nai i ka mbetur veç një javë jetë. Kur familja e Billit vendos të mos i thotë Nai-Nait se po vdes, ajo kalon në represion. Tronditja prej këtij lajmi është skalitur në gjithë fytyrën e saj, që nuk kalon pa u vënë re nga e ëma: “Shihe veten, nuk i fsheh dot emocionet”. Tjetërsimi i Billit në një kulturë që është e saj dhe nuk është e saj, bie në sy në mënyrën se si Keaton shpesh luante me konventat shoqërore. Xhaxhai i Billit, Haibini, shpjegon: “Nuk po i themi Nai-Nait, sepse është detyra jonë ta mbajmë për të këtë barrë emocionale”, dhe e qorton Billin dhe dëshirën perëndimore të babait të saj për ta thënë të vërtetën. Billi e kupton se duhet të përshtatet me vlerat lindore, sado të pakëndshme janë ato. Po kështu, Keatoni shpesh luante me arketipin “i pafajshëm jashtë vendit”; naiv në mënyrat e jetës dhe të dashurisë. Ngjashëm, Awkwafina lëviz midis stileve të performancës sipas asaj që kërkohet nga Billi: ka momente të çlirimit emocional kur përqendrohet te Metoda, por më pas tërhiqet dhe i dorëzohet pafajësisë.

Një pjesë më pak e diskutueshme e stilit të Keatonit ishte atletizmi, ose ajo që Stevens e përshkruan si “kinetizmi”. Kjo më çon te Adam Driveri. Mund ta vë në dukje prehjen dhe zhytjen në mendime te filmi “Paterson”, humorin e çuditshëm te “Marriage Story” ose dorëzimin te “The Dead Don’t Die”, si tregues të kitonizmit. Megjithatë, është filmi “Annette” i vitit të kaluar ku Driver demonstroi një “fizik të plotë”, shpirtin e Keatonit. Revista “IndieWire” e quajti “precizion baletik”, që ngjan me atë të aktorit Denis Lavant në filmin “Mauvais Sang” (1986) dhe të Keatonit në “Grand Slam Opera” (1936). “Gjëja tjetër që është dalluese për Keatonin”, shpjegon Smith, “është kjo qartësi dhe saktësi”. Edhe pse nuk ishte balerin i trajnuar, akrobacitë e tij janë plot lirizëm dhe ritëm që do ta donin çdo balerin. “Çdo lëvizje e vogël që bën me fytyrën ose trupin e tij është shumë e qartë, por që nuk duket mekanike”, vazhdon Smith. “Kishte kontroll të jashtëzakonshëm mbi gjithçka që bënte”. Ndaj, nuk është për t’u habitur se pse disa aktorë-valltarë (përfshirë Lavantin) e simulojnë Keatonin me nivelin e kontrollit. Miranda July ka thënë se ka një “brishtësi të çeliktë të Buster Keatonit”. Ndërkaq, regjisorja Athina Rachel Tsangari, në një intervistë për “Culture Whisper” ka thënë se Keatoni ishte “kompozitor i lëvizjes njerëzore”.

Aspekti tjetër i fizikës që e kanë Keatoni dhe Driveri është tërheqja e tyre fizike! Duke iu rikthyer fjalëve të Benayounin, ka një sens të “sublimitetit te Keatoni … Është magjepsës. I mrekullueshëm. Ka një skulpturë seksi”. Për të mos e tepruar, Driver është një tjetër ekzemplar i tillë sublim; figurë e maskulinitetit të skajshëm. Keaton dhe Driver kanë një prani komanduese kur ata janë në ekran sa që nuk mund t’ua heqësh sytë.

Stili i Keatonit është i njohur për mos shprehje të emocioneve. Pa marrë parasysh sa qesharak është, fytyra e tij ka seriozitet të patundur. Regjisori dhe komediani Richard Ayoade shpesh e analizon këtë dhe e përmend si pikë referimi kur punon me aktorët. Në një intervistë të vitit 2014, Ayoade zbuloi se kishte kërkuar nga Jesse Eisenberg që t’i shikonte filmat e Keatonit përpara se të luante në filmin e tij “The Double”, sepse duhej ta shfaqte “ndjenjën e dikujt që pranon se gjithçka e keqe që i ndodhë nuk duhet të jetë e papritur”.

Filmat e Keatonit janë konsideruar gjithashtu si reagim ndaj absurditetit të ekzistencës moderne. Personazhet e tij luftojnë pafundësisht me fatkeqësinë, duke ekzistuar në një botë ku strukturat – si mekanike ashtu edhe arkitekturore – janë në një gjendje të vazhdueshme të pasigurisë dhe ku vetë elementet (ai lufton edhe me erën dhe shiun) janë kthyer kundër tij.

Mënyrës sesi Keaton ka migruar nëpër kulturën e ekranit, ka ndikim meqë aspektet e stilit të tij janë adoptuar e modifikuar që t’ju përshtaten një sërë trupash, zhanresh dhe qëllimesh. Por, nuk ka asnjë si Keatoni: tensioni dhe kontradikta në komedinë e tij është po aq unike tani sa ishte edhe në vitet 1920. Ndaj, mund të thuhet tërheqja dhe prania në realizimet e njohura të shekullit XXI i detyrohen vetëm një regjisori dhe një interpretuesi.

Rruga Press

YouTube player