KryesoreOpinion/Aktualitet

Pse 500 mijë vota?

Shkruan Jeton Zulfaj

E vërteta është që Kosovës dhe kombit shqiptar i duhet Albini.

Historia na mëson se kombi shqiptar ka pasur raste që kanë mundur të ndryshojnë rrjedhën e historisë së tij.

Historianët mund të numërojnë shumë raste të tilla, por unë po marr këtu vetëm dy nga shekulli i kaluar.

Në dhjetor të vitit 1921, Hasan Prishtina bëhet Kryeministër i Shqipërisë, por atë e lufton Ahmet Zogu me ushtrinë jugosllave dhe me mercenarë rusë.

Në qershor të vitit 1924, Fan Noli bëhet Kryeministër i Shqipërisë, por atë e lufton sërish Ahmet Zogu me ushtrinë jugosllave dhe me mercenarë rusë.

Serbia ka qenë aktivisht kundër çdo politike dhe politikani në Shqipëri që mendonte për Shqipërinë si të tërë, pra edhe për Shqipërinë Veriore.

Në vitin 2020, Kryeministri Kurti u rrëzua vetëm 51 ditë pasi mori detyrën e Kryeministrit.

Përgjatë katër viteve të kaluara, pas rikthimit historik më 14 shkurt të vitit 2021:

− Strukturat paralele u mbyllën, edhe në Skenderaj.

− Rojet e urës dhe Brigada e Veriut, që ushtronin terror në veri, u shpallën organizata terroriste.

− Zgjedhjet dhe referendumet e Serbisë në Kosovë u ndaluan, së bashku me tabelat, letërnjoftimet dhe dokumentet e tjera ilegale.

− Radoiçiqi dhe banda e tij kriminale iku nga Kosova.

− Serbia humbi kontrollin në veri kurse Kosova shtoi prezencën dhe forcoi sovranitetin.

Në kundërpërgjigje, Serbia e solli katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, ndërkohë që patëm dy sulme terroriste më të mëdha: një në Banjskë dhe një në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në Zubin Potok.

Serbia historikisht në Shqipëri e ka luftuar një udhëheqës që mendon për Kosovën; në Kosovë, ka luftuar udhëheqës që mendojnë për Shqipërinë. Kjo, sepse Serbia i urren shqiptarët. Ajo i do vetëm ata shqiptarë që e luftojnë shqiptarin.

Tek Albini, Serbia sheh politikanin që nuk mendon për vete, që nuk mund të blihet, frikësohet e shantazhohet.

Lexo më shumë  Kurti: Rahovecin do ta mbështesim me afro 8 milionë euro për ndërtimin e rrugës me katër korsi Rahovec-Xërxë

Albini është kryeministër i Kosovës dhe i gjithë qytetarëve të saj, edhe i komunitetit Serb i cili është përfituesi kryesor nga largimi i bandave që terrorizonin ata. Por Serbia nuk është e interesuar për të drejtat. Ajo është e interesuar për territorin.

Po bëhen 7 vite që punoj me Albinin.

Për gjatë kësaj periudhe jemi përballur me sfida dhe kriza të mëdha:

− Nga pandemia, që ndodh një herë në një shekull,

− Tek presioni që çoi në rrëzimin e Kurtit 1,

− Tek krizat botërore të energjisë dhe inflacionit,

− Tek sulmet e vazhdueshme të Serbisë.

Me të gjitha këto, Albini është përballur me qetësi, durim dhe qartësi të pashembullt.

Ajo që kam arritur të njoh, kuptoj dhe mësoj nga Albini është se, përtej njohurive të gjera e të thella mbi pothuajse çdo fushë, ai qeveris mbi disa parime të thjeshta dhe të qarta.

Ai e ka të qartë rolin dhe pozitën e tij. Për atë, Kryeministri është kryeshërbëtor në shërbim të popullit dhe interesave të tij. Ai kurrë nuk e ngatërron pozitën me veten e tij.

Këtë e dëshmonte në takimet e shumta në dialogun e nivelit të lartë dhe në takimet me partnerët ndërkombëtarë.

“Unë, si Albin, mund t’ju jap çka është e imja: kostumin apo këpucët. Këto mund t’ua jap, pasi janë të miat, por si Kryeministër nuk mund t’ju jap diçka që i takon popullit dhe që cenon interesat e tij.”

Ishte kjo përgjigja e Albinit Kryeministër ndaj kërkesave të panumërta që cënonin sovranitetin e Kosovës.

Askush nuk dështonte të kuptonte domethënien e këtyre fjalëve.

Albini është utilitar për nga natyra e vendimmarrjes. Secilin vendim e mat me të mirën më të madhe për numrin më të madh të njerëzve. Nëse nga secili vendim i qeverisë ata që kanë më pak e që janë më keq fitojnë më shumë dhe bëhen më mirë, atëherë ai është vendim i mirë.

Albinit nuk i duhen 500 mijë vota për të vendosur ndonjë rekord personal.

Lexo më shumë  Murati: Për herë të parë kemi ndarë mbi 150 milionë euro buxhet për shtesat e nënave lehona dhe për fëmijët

Ai i kërkon 500 mijë vota sepse Kosova është në një periudhë kyçe të historisë së saj.

Periudhë që do të përcaktojë nëse Kosova do të bëhet një vend normal evropian me demokraci e sundim të ligjit dhe me një ekonomi që lulëzon, apo do të kthehet mbrapa në kohën e lulëzimit të korrupsionit, nepotizmit dhe zhvatjes nga kompanitë e afërta me pushtetarë.

Në fakt nëse Vetëvendosja nuk do të kishte 50% të votave në Kuvend, Kosova do të kishte shkuar dy-tre herë në zgjedhje në katër vitet që shkuan, për shkak të presionit të madh ndërkombëtar për të mos e shtrirë sovranitetin në veri.

Për këtë nuk duhet të shkojmë më larg se 25 marsi i vitit 2020. Të gjithë e kujtojnë që kur erdhi presioni i parë ndërkombëtar, Lidhja Demokratike e Kosovës e lëshoi qeverinë dhe e rrëzoi atë.

Pra, 500 mijë vota për:

− Një qeveri stabile që i bën ballë presioneve të padrejta ndaj Kosovës,

− Një Kuvend stabil që miraton ligje të rëndësishme për drejtësinë dhe ekonominë,

− Një qeveri që forcon sovranitetin e Kosovës në çdo cep të saj,

− Një qeveri që investon në ushtri dhe në forcimin e kufirit me Serbinë,

− Një qeveri që lufton krimin dhe korrupsionin dhe forcon liritë themelore e barazinë.

− Një qeveri që e ngrit Kosovën në çdo indeks të avancimit demokatik dhe progresit shqorëror.

Nëse dikush do të thoshte më 14 shkurt të vitit 2021 që Vetëvendosje do të fitonte afër 440 mijë vota, do të thonin se kjo është e pamundur. Por kjo ndodhi.

Në këtë shkurt të vitit 2025, populli i Kosovës do të ngrihet i tëri për të kaluar 500 mijë vota. Jo sepse po i kërkon Albini por sepse i duhen Kosovës.

✅Momenti historik është më 9 shkurt,

✅Thirrja e historisë dhe për ardhmërinë është për secilën dhe secilin,

✅Përgjigja është tek numri 118.

Rruga Press

YouTube player