BotaKryesore

Provokime të rrezikshme ruse në ngushticat daneze: Moska teston kufijtë e NATO-s

Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake të Danimarkës ka ngritur alarmin mbi një sërë provokimesh të qëllimshme nga marina ruse në ngushticat që lidhin Detin Baltik me Detin e Veriut. Episodet përfshijnë manovra të rrezikshme, synime me radarë e armë drejt anijeve dhe helikopterëve danezë, si dhe bllokime të sistemeve të navigimit – veprime që, sipas Kopenhagës, janë pjesë e një strategjie hibride për të ushtruar presion mbi Perëndimin.

Në një konferencë të posaçme për shtyp, Thomas Ahrenkiel, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Mbrojtjes, paraqiti prova konkrete mbi incidentet. “Kemi parë disa raste ku helikopterë dhe anije të marinës daneze janë ndjekur nga radarë të armatosur rusë dhe madje janë kërcënuar me armë nga bordi i luftanijeve”, deklaroi ai.

Një nga praktikat më të rrezikshme, sipas tij, ka qenë vendosja e anijeve ruse në kurs përplasjeje me mjetet daneze që kalojnë përmes ngushticave. Për më tepër, një luftanije ruse ka qëndruar e ankoruar në ujërat daneze për më shumë se një javë, gjë që inteligjenca e Danimarkës e lexon si një mesazh të qartë politik nga Moska: Rusia është e gatshme të shkojë deri në kufirin e forcës nëse Kopenhaga përpiqet të pengojë lëvizjet e të ashtuquajturit “flotë hije” – tankerë të përdorur për të anashkaluar sanksionet ndaj eksporteve të naftës.

Lexo më shumë  Murati: Depozitat e familjeve arrijnë rekord. Faktet rrëzojnë propagandën

Incidentet nuk kanë qenë vetëm vizuale apo të dukshme. Ahrenkiel raportoi përdorimin e sonarëve aktivë dhe pajisjeve të luftës elektronike nga anijet ruse, të cilat, me shumë gjasë, kanë shkaktuar ndërprerje të GPS-it në Danimarkë.

“Rusia po përdor mjete ushtarake, përfshirë forma agresive, për të ushtruar presion mbi ne pa kaluar kufirin në një konflikt të armatosur tradicional,” tha ai, duke e përshkruar këtë si pjesë të luftës hibride që Kremlini po zhvillon kundër Danimarkës dhe Perëndimit.

Në Washington, Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Karoline Leavitt, theksoi se raportet e Danimarkës “merret jashtëzakonisht seriozisht” dhe se SHBA mbetet në kontakt të përhershëm me aleatët e NATO-s.

Sipas “The Telegraph”, provokimet e fundit përkojnë në mënyrë të dyshimtë me lëvizjet e një tankeri të flotës hije ruse, “Boracay”, i cili lundroi në Baltik pikërisht në ditët kur mbi Danimarkë dhe Gjermani u panë dronë të paidentifikuar pranë objekteve strategjike.

Për momentin, incidentet mbeten në kufirin midis testimit të durimit perëndimor dhe provokimit të hapur. Por mesazhi i Moskës duket i qartë: në Baltik, Rusia synon të tregojë se kufiri mes paqes dhe konfliktit mund të bëhet gjithnjë e më i paqartë.

YouTube player