Protokolli diplomatik i një bandustani
Nga Shaban Murati
Nëse doni të kuptoni degradimin e dinjitetit shtetëror mjafton të shikoni foton e publikuar nga ATSH për bisedimet e zhvilluara në 6 tetor në kryeministri midis ministrit të jashtëm të Greqisë G.Gerapetritis dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i jashtëm i Shqipërisë. Në tavolinën e bisedimeve janë ulur përballë njeri-tjetrit dy delegacionet e dy qeverive, siç zhvillohen bisedimet e niveleve të njejta në protokollin diplomatik ndërkombëtar.
Cila perëndi greke e Olimpit zbriti në kryeministri, që duhej nderuar përtej prokollit sa të uleshin me përunjësi përballë saj dyshja më e lartë qeveritare e Shqipërisë, kryeministri dhe ministri i jashtëm? Si mundet kryeministri i Shqipërisë të zhvillojë bisedime zyrtare delegacionesh me një rang më të ulët se posti i tij, në një kohë kur sipas protokollit shtetëror dipomatik ai mund ta takonte ministrin e jashtëm grek duke qendruar në dy kolltukë apo karrike të ndara anash njeri tjetrit, por kurrsesi të zhvillonte bisedime zyrtare delegacionesh dypalëshe me të. Nuk po bëjmë pyetjen tjetër se përse kryeministri i Shqipërisë zhvilloi bisedime dhe priti në zyrën e tij vetëm ministrin e jashtëm grek dhe nuk priti as ministren e jashtëme të Gjermanisë dhe asnjë nga 24 ministrat e jashtëm, që ndodheshin në Tiranë në 6 tetor për mbledhjen e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor në kuadrin e “Procesit të Berlinit” të drejtuar nga Gjermania. Nuk po bëjmë as pyetjen tjetër se çfarë do të bëjë më tepër protokolli i fandaksur kryeministror kur të vijë në Tiranë kryeministri grek.
Ministri i jashtëm i Greqisë ka për homolog ministrin e jashtëm të Shqipërisë dhe me atë ka tagrin që të zhvillojë bisedime dyalëshe. Ndoshta Shqipëria, që ende nuk ka kuptuar se ç’është dinjiteti i shtetit, ndjek manualin diplomatik të bandustanit, kur i pari i fisit ka monopolizuar gjithçka, dhe është bërë si xholi që hyn kudo vend e pa vend. Kryeministri i Shqipërisë e ka bërë praktikë këtë shkelje protokollare diplomatike, sepse një skandal të tillë e ka bërë në 8 janar 2021 kur në mënyrën më antidiplomatike shkon në selinë e ministrisë së jashtëme greke në Athinë dhe zhvillon atje bisedime dypalëshe me ministrin e jashtëm grek Dendias. Në librin tim “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” kam shkruar lidhur më këtë: ”Asimetria e nivelit të bisedimeve tregon se si do t’i nënvleftësojë Greqia çeshtjet e hapura me Shqipërinë”. Në një situatë të tille shtrohet çështja nëse është Shqipëria, që i nështrohet si shtet raja protokollit fyes grek, apo është profanizmi diplomatik i kryeministrit të saj.
Mirë e bënë turpin diplomatik dhe personal, duke zhvilluar bisedime një ministër grek me dyshen qeveritare kryeministër dhe një ministër shqiptar, por si kanë faqe dhe ia bëjnë të njohur publikut këtë dëshmi të re të uljes së dinjitetit të Shqipërisë. Dhe kur sheh se si shtiret bandustani si shtet, kupton pse “bota qesh, dhe bota tallet” me ne.
Rruga Press