Opinion/Aktualitet

Protesta, të gjithë u larguan të qetë dhe të lumtur

Nga Andi Bushati

Protesta e sotme ishte e madhe, entuziaste, dhe e suksesshme në raport me konfirmimin e Berishës si lideri i padiskutueshëm i PD, por e vogël, e zbehtë dhe e pashpresë, për të simbolizuar pakënaqësisë anti Ramë që ekziston në vend.

Përtej folësve që u ngjitën në tribunë me vargjet e Fishtës apo Ali Asllanit, përtej slloganeve ironike me “Burg Brother Vip” dhe shpalljes së fillimit të revolucionit demokratik, gjithçka i ngjau një deja vu-je. Televizionet e lajmeve filluan që në mëngjes transmetimin e militantëve që niseshin nga rrethet, bulevardi u zaptua për dy tre orë, në fund u hodhën disa shashka kuq e blu dhe pastaj të gjithë u larguan të qetë dhe të lumtur.

Pra, ndonëse kjo protestë është një konfirmim më shumë në vazhdën e atyre që e kanë vulosur lidershipin e Berishës mbi opozitën, ajo është tepër larg asaj që PD-ja na ka ofruar në të shkuarën. Si masivitet ajo nuk i afrohej mitingjeve madhështore nën siglën “Nano IK” në 2004, që sollën, një vit më pas, ndryshimin me votë të pushtetit. Ndërsa për nga ashpërsia, forca dhe tregimi i dhëmbëve ajo as nuk krahasohej me atë që realizoi PD-ja e Bashës në 2019, e cila falë provokimit arriti të nxjerrë në pah, dhunën, arbitraritetin e policisë dhe përdorimin e shproporcionuar të gazit lotësjellës, që vizatonin më së miri fytyrën autoritare të regjimit. 

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Pra pyetja që shtrohet sot përpara iniciuesve të “revolucionit demokratik” është: ç’vlerë ka të vazhdohet me këto manifestime, që nga njëra anë konfirmojnë një qëllim të arritur, atë se kujt i takon selia, vula dhe sigla, por nga ana tjetër janë krejtësisht të pamjaftueshme për të tronditur regjimin?

Natyrisht, e artikuluar në mënyrë kaq të vrazhdë, pyetja mund të tingëllojë cinike, sepse kushdo që e njeh situatën reale në Shqipëri, e di se në klimën e terrorit të patronazhistëve dhe aktiv1stëve qytetarët e punësuar kanë frikë të shfaqen në krah të opozitës, se një pjesë e militantëve të Laçit dhe Mamurrastit, me të cilët Berisha mburrej dikur se mund të rrëzonte çdo qeveri, janë rekrutuar me kohë nga bandat e dorogës e krimit, të lidhura me pushtetin, se në atmosferën e propagandës së shfrenuar mediatike, e institucioneve të “pavarura” të vëna në shërbim dhe të milionave të hedhura për të mbajtur opozitën të përçarë, ngjizja e një uragani ndryshimesh dhe shprese është shumë e vështirë për të marrë formë.

Por, sërisht pyetja mbetet pezull: çmund të bëjë opozita në këto kushte?

Njëra rrugë, më me risk, por më afat shkurtër, është ajo e sjelljes si një pakicë radikale. Duke i tejkaluar caqet e protestave të ligjshme, duke flirtuar me prishjen e paqes së rreme, ajo mund të prodhojë efektin psikologjik të një pushteti që nuk është i pa sfidueshëm. Kështu, nga njëra anë, do të trimëroheshin ata që e urrejnë këtë regjim kleptokratësh, por janë të tulatur ta demostrojnë ndjenjën e tyre me zë të lartë, ndërsa nga ana tjetër, do të krijonte përshtypjen e përgjithshme se kjo klikë që mendon vetëm për të grabitur, nuk është më në gjëndje të garantojë as siguri.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Rruga tjetër është më afatgjatë dhe kërkon shumë më tepër sakrificë dhe moral. Ajo do duhej të synonte mbledhjen e gjithë kundërshtarëve të regjimit rreth kësaj opozite, e cila, nga ana e saj, duhej të bëhej streha e njerëzve të vyrtytshëm e të besueshëm, përmes bashkimit fillestar të tërë faktorëve, që do të shërbente më pas si premisë për zgjerimin e radhëve përtej militantëve. Por ky projekt duket tepër idealist dhe i mundimshëm për njerëz që kanë objektiva imediatë.

Prandaj, si rrezultat i kësaj, PD dhe PL nuk po bëjnë as njërën as tjetërën. Ata po e shmangin radikalizmin duke u shtirur si një shumicë e rreme, duke qenë të pa aftë në këtë manyrë, të mos ngjallin, as fikë dhe as shpresë.

11 shkurti ishte produkti më i dukshëm i kësaj kontradikte. Prandaj ata që ishin mbledhur në bulevard, erdhën, panë dhe u larguan të qetë dhe të lumtur duke i’u gëzuar vetëm fitores së luftës brenda llojit./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *