Protesta në Elbasan/ Fshatarët dalin me akuza ndaj vëllait të kryetarit socialist
Dhjetëra fermerë të fshatit Buqes në Elbasan kanë dalë sot në protestë para bashkisë së Elbasanit pasi pretendojnë se kanali me të cilin vadisin të mbjellat është bllokuar nga një person, për të cilin thonë se është vëllai i kryetarit të Partisë Socialiste.
Një nga fermerët në protestë thotë për mediat se kjo problematikë vijon prej tre vitesh por pavarësisht ankesave të shumta në disa institucione nuk kanë gjetur zgjidhje.
“Inxhinieri i tokës që ka përgjegjësi të madhe pasi unë si individ kam një hektar tokë me qira. Ku mund të bazohem unë që do të marr shpenzimet e mia. Pse duhet të digjem unë kur nuk kam asnjë të ardhur tjetër përveç bujqësisë. Dëmi është shumë i madh.
Nuk njomet toka me pompë pusi. Edhe për një person duhet të vije shteti jo 30 veta që jemi ne. Ka njerëz që ikin jashtë shtetit. Ne kemi marrë tokat me qira. Që të punësohemi. Ai ka mbyllur kanalin e shtetit dhe nuk është marrë asnjë masë. E ka lënë shteti vetë kanalin. Ne nuk duam t’i hyjmë në hak atij. Kemi tre vjet me këtë problem dhe bashkia nuk e ka zgjidhur. Kanë ardhur në terren por nuk vjen inxhinieri i tokës për ta hapur”, u shpreh ajo.
Ndërkohë një tjetër fermer shprehet se personi që u ka bllokuar kanalin vaditës është vëllai i kryetarit të Partisë Socialiste. Ata pretendojnë se kjo është arsyeja pse autoritetit nuk i kanë dhënë zgjidhje problemit të tyre.
“Ne jemi një grup fshatarësh të fshatit Buqes. Prej tre vitesh kemi problem me vaditjen e tokës që e na e ka bllokuar vëllai i kryetarit të Partisë Socialiste. Kemi denoncuar dhe ata kanë ardhur në terren për të bërë konstatimin. Kryetari i bashkisë u tregua i gatshëm. Na dërgoi ne kërkesën për ndryshimin. U mor vendimi i këshillit bashkiak i firmosur edhe nga prefekti. Gjithë verën kemi vaditur me pompa dhe kova me ujë. Kemi bërë gjithë ato denoncime. Nuk kanë bërë asgjë”, thotë fermeri.
Fermerët pretendojnë se janë kërcënuar nga personi në fjalë. “Para një jave unë kam 15 vjet që vuaj nga Halit Tafani. Ka nxjerrë një tubë në oborrin tim. Ai thotë nuk më kërcet fare çfarë thua ti. Ai u thotë fëmijëve do të vras. Edhe mua më ka kërcënuar. Para një jave është zënë me djalin. Polici i zonës i thotë çunit tim si merresh ti me një 60-vjeçar. Ne kemi bërë tre kërcënime se më thotë do të vras bashkë me fëmijët”, thotë fermerja.
Rruga Press