Protesta me tinguj e fisit të lashtë afrikan
Ritme të veçanta të daulleve, vallëzim dinamik, muzikë instrumentale me harpa dhe flaute.
Krejt këto janë dëshmi e pasurisë së kulturës indogjene që sot është nën kërcënim.
“Aka” është grup indogjen që jeton në veri të Republikës së Kongos dhe në Republikën e Afrikës Qendrore.
Muzika është zemra e kulturës së tyre dhe është përdorur nga grupi për të festuar, por edhe për të protestuar.
Disa këngë janë plot gëzim, të tjerat rrëfejnë pikëllim. Disa u këndojnë shpirtrave të pyjeve dhe gjahut, të tjerët për vështirësitë me të cilat grupi “Aka” përballet në ditët e sotme.
Ata frikësohen se kultura dhe tradita e tyre po zhduket.
Kjo rroki vëmendjen e etnologut, Sorel Eta, i cili ka studiuar grupin “Aka” që prej vitit 1996.
Ai vendosi që ta ndihmonte grupin afrikan dhe t’i ruajë kulturën e traditën. Në vitin 2003, Eta krijoi grupin muzikor “Ndima” që në gjuhën e Akas do të thotë “pylli”.
Grupi përbëhet nga këngëtarë dhe valltarë Aka.
Pjesë e grupit është edhe Angezhelike Manongo. Është anëtarja më e vjetër.
“Në grup unë këndoj dhe vallëzoj. Këngët tona flasin për gjithçka që përjetojmë në pyje. Kur shkojmë në turne jashtë vendit njerëzve të bardhë u mësojmë se si të këndojnë dhe vallëzojnë si ne”.
Grupi synon që të ruajë mënyrën e jetesës së popullit Aka ani pse është ndikuar shumë nga kulturat moderne.
“Aka” është në mesin e dhjetë grupeve të fundit me kulturë dhe zakone të lashta në Afrikën Qendrore.
Ekspertët besojnë se këto grupe kanë jetuar me mijëra vjet në Afrikë. Sipas tyre, njerëzit e grupit “Aka” mund të jenë banorët e parë të Kongos dhe të Afrikës Qendrore. /KTV/