Protesta e parë e nxitur nga një lajm i rremë
Nga Besnik Krasniqi
Mimoza nuk e sulmoi as UÇK-në e as veteranët, në komunikimin me Sllavkon. Mimoza i mbrojti veteranët dhe UÇK-në.
Dëgjone bisedën në audioincizim. Mos i dëgjoni interpretimet e rreme mbi bisedën.
Mimoza nuk po koordinohet me Sllavkon për ta votu Ligjin për pagën minimale, me të cilin veteranëve u pamundësohet ta marrin pensionin në lartësinë e pagës së re.
Është e kundërta.
Dhe, është lehtë për ta kuptu secili që biseda po zhvillohet “post-festum”, pra pasi ka ndodhë votimi i ligjit.
Sllavko po i ankohet Mimozës se ajo e provokoi dhe e ofendoi në seancën kur u miratu ligji. Po e kualifikon si “provokim serioz”.
E, të gjithëve duhet të na kujtohet çfarë ndodhi në seancë: Lista Serbe për kohë të gjatë nuk kishte marrë pjesë në votim dhe papritmas kur u vu në rend dite Ligji për pagën minimale, ajo u aktivizu. Vota e Listës Serbe nuk ishte përcaktuese. Vetëvendosja i kishte votat për ta kalu Ligjin, e Mimoza i pyet deputetët serbë se pse kishin ardhë për votim. Pra, ajo u anku se pjesëmarrja e befasishme e tyre ishte për ta njollosë vendimmarrjen, në mënyrë që nga jashtë me u pa sikur Vetëvendosja u bë bashkë me Listën Serbe për t’ua mohu veteranëve të UÇK-së pensionet në lartësinë e pagës së re minimale. Edhe në audioincizim Mimoza e problematizon këtë. I thotë Sllavkos: ju brenda në sallë, e protestat jashtë.
Ky është konteksti i bisedës për veteranët, që e dëgjoj në audioincizim.
Dëgjone vet, e mos u ndikoni nga interpretimet. Madje, as nga ky i imi.
Po e zëmë, unë e kam dëgju Mimozën tek e pranon se ka komuniku në interfon me Millanin për disa minuta. Ky është problem.
Ama gjithçka në komunikimin me Sllavkon për veteranët, ishte në mbrojtje të tyre dhe në mbrojtje të UÇK-së. E kam fjalën për veteranët e vërtetë. Aty dëgjohet Mimoza tek thotë se nëse buxheti që tash është i dedikuar për ta, shkon tek veteranët e vërtetë, atëherë ata do të merrnin 450 deri 500 euro pension në muaj.
Këtu të ofenduar dhe kërcënuar mund të ndihen veç veteranët e rremë. Nejse, edhe komandantët që i kanë fry listat.
U problematizua edhe përmendja e dy eksponentëve të UÇK-së: Ramush Haradinajt dhe Bekim Haxhiut.
Pse duhet kuptu sulm ndaj Haradinajt, zënia në gojë e faktit që gjatë qeverisjes së tij janë fry listat e veteranëve? A ka njeri që thotë se nuk janë fry? Prej ish-presidentit Hashim Thaçi e poshtë, publikisht është kontestu numri i veteranëve.
Bekim Haxhiun nuk sulmohet si njeri i UÇK-së. Mimoza foli për të në kontekstin e iniciuesit të Ligjit për t’i tërheqë paratë nga Trusti, votimin e të cilit Sllavko e mbështeste. Në këtë pikë, Sllavko diskutonte si mbështetës i nismës së Haxhiut.
Pra, është i rremë lajmi se pati koordinim “kundër luftëtarëve të UÇK-së”, qoftë me Sllavkon, qoftë me Millanin.
Dhe, këtë lajm të rremë e gjeni në qendër të thirrjes për protestën e sotme, që s’e mora ende vesh se kush po e organizon, por që u kuptua se organizata e veteranëve e mbështet, sikur edhe disa eksponentë politikë të PDK-së e PSD-së.
…
P.S.: Tash po e shoh që Sveçla paska shkru për luftën hibride. Pres akuzë për postim me koordinim.
Rruga Press