Protesta e banorëve të 5 Majit: “Më 22 bëhemi rrafsh me tokën”
E pranishme në protestë ishte edhe Laureta Nikolli, e cila u gjobit me afro 13 milionë lekë të vjetra për ndërtim pa leje një ditë më parë. Nikolli tha se gjoba i është vendosur për hakmarrje.
Banorët e lagjeve “5 Maji” e Pasuqan paralajmërojnë se më datë 22 shkurt, ditë kur edhe rinis aksioni për shembjen e banesave të tyre do të mblidhen të gjithë bashkë për të kundërshtuar operacionin. Ata kanë dalë sërish në rrugë pasditen e sotme nga ku shprehen se do të shtrihen në rrugë më datë 22 dhe nuk do të lejojnë që Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit tu shembë banesat.
E pranishme në protestë ishte edhe Laureta Nikolli, e cila u gjobit me afro 13 milionë lekë të vjetra për ndërtim pa leje një ditë më parë. Nikolli tha se gjoba i është vendosur për hakmarrje pasi ka dalë në shumë media se nuk do të tërhiqet nga protesta kundër shembjes së banesave të saj e të shumë qytetarëve të tjerë.
“Më është vënë vetëm për hakmarrje,”- tha ajo.
Një tjetër qytetar tha se do të kishte qenë shumë mirë që në fillim, kur kanë ndërtuar, shteti t’i kishte ndaluar dhe të mos i kishte lejuar të ndërtonin.
“Ne jemi popull, ne jemi të pashkollë, shteti prandaj është. Të kishte ardhur dhe të na kishte thënë mos ndërton. Tani vjen e na vë kazmën, na shemb shtëpinë që e kemi bërë me gjak. Do bëhemi rrafsh me tokën, s’e lirojmë, deri në vdekje,”- tha ai.
Protestat e banorëve kanë nisur prej disa muajsh, por më 19 janar të këtij viti, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e 5 majit në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit. Asnjë prej tyre nuk ka dalë kundër projekteve, por kërkojnë shpronësimin sipas rregullave, duke marrë parasysh se një pjesë e tyre kanë certifikatë pronësie, ndërsa pjesa tjetër janë në proces legalizimi në pritje të marrjes se statusit të plotë të pronësisë. Në Laprakë, për shkak të lotit të Unazës do të preken 700 shtëpi banimi, ndërsa tek “5 maji”, 430 të tilla.
Rruga Press