Protesta/ Akuzohen se dogjën flamujt e Serbisë, 2 të arrestuar, 6 të tjerë procedohen penalisht
Dy persona janë arrestuar dhe 6 të tjerë u proceduan penalisht për djegien e 4 flamujve të Serbisë, të vendosura përgjatë bulevardit përballë Kryeministrisë, gjatë protestës së djeshme.
Policia njoftoi këtë të Marte se, “pas provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe shoqërimin e 8 personave që u përfshinë në veprimtari të kundërligjshme gjatë zhvillimit të protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Në përfundim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të Policisë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. C., 41 vjeç, banues në Tiranë dhe B. B., 56 vjeç, banues në Krujë. Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas të mitur të moshës 15 e 16 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës. Këta shtetas, gjatë zhvillimit të protestës pasditen e djeshme, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, para Kryeministrisë, kanë djegur katër flamuj kombëtar të Serbisë”, njofton më tej policia.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” dhe “Poshtërimi i Republikës dhe i simboleve të saj”, shtuan të njëjtat burime.
Rruga Press