Propozimi i taksave për miliarderët amerikanë duket se bashkon demokratët
UASHINGTON, 26 tetor (Reuters) – Një propozim i parë në llojin e tij nga ligjvënësit demokratë për të taksuar miliarderët amerikanë mbi asetet që ata zotërojnë, pritet të përballet me sfida nga super-të-pasurit dhe të jetë i vështirë për t’u zbatuar, thonë ekspertët e taksave dhe investitorët.
Sipas njerëzve të njohur me këtë çështje, propozimi, paraqitja e të cilit do të bëhet jo më larg se të martën, do të kërkonte që afërsisht 700 miliarderë amerikanë të paguajnë taksa çdo vit kur stoqet dhe asete e tjerë të tyre të rriten në vlerë.
Aktualisht, taksa të tilla paguhen vetëm kur aksionet shiten. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi thotë se demokratët shpresojnë se plani do të mbledhë deri në 250 miliardë dollarë, për të ndihmuar në pagimin e zgjerimit të rrjetit të sigurimeve shoqërore dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike.
Provizionet mund të jenë të vështira për t’u zbatuar edhe nëse bëhen ligj. Ekspertët thonë se disa miliarderë do ta zhvendosin pasurinë e tyre nga asete që gjurmohen dhe tatohen lehtësisht sipas rregullave të reja, në ato që nuk kalojnë nëpër këtë proces. Ata gjithashtu paralajmërojnë se një rënie e ashpër e tregut mund t’u japë miliarderëve një lehtësim të ri tatimor. “Është një ide idiote,” tha miliarderi Leon Cooperman, një investitor që paralajmëroi se një ligj i tillë mund të shkaktojë reagime “të panatyrshme” ekonomike. “Progresivët kanë shkuar për drekë.”
Por Gabriel Zucman, një profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, hulumtimi i të cilit mbi këtë temë ndihmoi në frymëzimin e propozimeve të taksave të demokratëve, tha se “miliarderët kanë taksa më të ulëta se klasa e mesme” si përqindje e të ardhurave të tyre. “Do të ishte historike. Do të ishte taksa më progresive ndonjëherë,” tha Zucman.
T’i bësh miliarderët që ata t’i shlyejnë detyrimet mund të jetë një nga idetë që mund t’i bashkojë demokratët, të cilët po përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshje të tjera ideologjike mbi atë që duhet të jetë në paketën e tyre të shpenzimeve sociale.
Biden mbështet taksimin më të lartë të të pasurve dhe korporatave, si dhe e ka mbështetur privatisht propozimin i cili është i fokusuar në taksimin e miliarderëve. Senatori demokrat Joe Manchin, një centrist me një veto virtuale mbi axhendën e Bidenit në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, tha të hënën: “Unë jam i hapur për çdo lloj gjëje që i detyron njerëzit të paguajnë atë që tani nuk po e paguajnë.”
SFIDAT PËRPARA
Sipas ekspertëve tatimorë dhe ligjorë, propozimi, nëse miratohet, ka të ngjarë të përballet me një sfidë të menjëhershme në gjykatë dhe nga taksapaguesit e etur për t’iu shmangur rregullave.
“Shoh që potencialisht do të ketë njerëz të cilët do të përpiqen t’ia hedhin kollaj me vlerësimin e aseteve,” tha Tim Laffey, një avokat që drejton politikat tatimore dhe hulumtimin në Rockefeller Capital Management, i cili menaxhon paratë për familjet e pasura.
“Natyrisht, gjithçka që tregtohet publikisht ka një vlerë të përcaktuar, kështu që ndoshta ne shohim një shtytje për investime alternative.” Ai tha gjithashtu se mund të ketë sfida ligjore, të tilla si kontestimi, nëse asetet e vlerësuara që nuk janë shitur mund të trajtohen nga qeveria federale si të ardhura të tatueshme.
Republikanët nuk e mbështesin projektligjin e shpenzimeve sociale të Bidenit dhe gjithashtu ka të ngjarë të kundërshtojnë taksën e miliarderëve.
“Ata po flasin për rilidhjen e të gjithë ekonomisë, pas diskutimeve disa ditëshe”, tha kreu i pakicës në Senat, Mitch McConnell, duke shtuar se “skema mendjelehtë” nuk kishte marrë “asnjë studim apo shqyrtim kuptimplotë”.
Sipas planit, detajet e të cilit janë ende duke u finalizuar, fitimet mbi stoqet dhe asetet e tjerë lehtësisht të tregtueshme do të tatohen vetëm për taksapaguesit amerikanë me mbi 1 miliard dollarë asete ose 100 milionë dollarë të ardhura për tre vite rresht,- kjo sipas njerëzve që e njohin çështjen.
Miliarderët do të paguanin normat e fitimeve kapitale mbi fitimet e tyre atë vit, në vend që ta shtynin faturën për një kohë të pacaktuar duke mbajtur asetet. Humbjet do ta kompensonin atë detyrim. Aktualisht, tatimi mbi fitimet kapitale për asetet e mbajtura gjatë një viti është 23.8%, më pak se maksimumi prej 37% për të ardhurat e rregullta.
Një taksë e re do të vendoset gjithashtu për asetet që nuk tregtohen aq lehtë, si pasuritë e paluajtshme ose aksionet në një biznes. Në atë rast, miliarderët në thelb do të paguanin një shtesë kur shesin asetin.
Një raport i ProPublica në qershor tha se Soros nuk pagoi asnjë taksë federale mbi të ardhurat për tre vjet me radhë. Duke cituar të dhënat private të Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme, ai tha se Jeff Bezos i Amazon.com Inc (AMZN.O) dhe Elon Musk i Tesla Inc (TSLA.O) kishin qenë gjithashtu në gjendje të shmangnin të gjitha detyrimet federale të tatimit mbi të ardhurat në disa vite.
Propozimi i këtij ligji do të ushtronte presion të ri mbi IRS, e cila zbaton ligjin tatimor të SHBA-së dhe është zbrazur nga shkurtimet buxhetore, si dhe është penguar nga teknologjia e vjetëruar.
© Rruga Press