Propaganda bajate – Rama dhe Lukashenko, merita personale për letrën e Trumpit
Ministria e Jashtme e Shqipërisë, njësoj si ajo e Bjellorusisë. Të dyja bashkohen në pikën se merita për letrën e Trump është e liderëve, Edi Rama dhe Aleksandër Lukashenko
Për tre ditë me radhë, Shqipëria ka qenë më afër paqes botërore se kurrë më parë. Shkak është bërë letra që Edi Rama mori nga Donald Trump, ku kryeministri ftohet të jetë prezent në një nga bordet për rindërtimin e Gazës. Një copë letër, që këto ditë është valëvitur si flamur i sukseseve të qeverisë me në krye Edi Ramën.
Për tre ditë rresht, daullet e propagandës nuk kanë pushuar për “suksesin historik” dhe situata ka kaluar në kufijtë e qesharakes.
Fillimi i festës ishte të shtunën në mbrëmje, kur kryeministri dha lajmin në Facebook me tone triumfaliste. Shkrimi ishte me gërma kapitale. Aty flitej për “një majë krejt e paimagjinueshme pak vite më parë” për Shqipërinë. Një arritje që, sipas tij, shënjonte kthimin e një Shqipërie tjetër, “të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë më parë”.

Pas Ramës, u fut në punë një ushtri me qindra njerëz për ta shpërndarë sihariqin në rrjete sociale. Ministra, deputetë, drejtorë, militantë, patronazhistë dhe një ushtri e tërë trollash e shpërndanë mesazhin nga të gjitha anët. Sot, postimi i Ramës numëron mbi 500 shpërndarje, sipas skemës se entuziazmi shpërndahet me pëlqime dhe klikime.
Para se të vinte ftesa për Gazën, mesazhet nga presidenti i SHBA, Donald Trump, sekretari i shtetit Marko Rubio dhe nga e ngarkuarkuara me punë e ambasadës, Nancy VanHorn kishin një të përbashkët: shqetësimin për krimin e organizuar dhe organizatat kriminale. Duke parë edhe nxitjen e ndaj SPAK për hetimin e korrupsionit, në radhët e opozitës ka një valë të ngrohti se amerikanët janë kundër Ramës.
Prandaj letra e Trump për Ramën ishte një fije bari e mirë për t’u kapur.
Atmosfera e lajmit të gëzueshëm duhej mbajtur gjallë. Pikërisht për këtë u përdor edhe një truk të vogël. Nuk u publikua letra të shtunën në mbrëmje, por u ruajt për të dielën paradite, që festa të mos shuhej aty për aty.
Të dielën, sërish, ushtria e propagandës u vu në lëvizje për të ndarë kësaj here duke shpërndarë letrën “autentike”. Edhe e pandehura Belinda Balluku, që në këtë periudhë ka halle të tjera e postoi në Instagram sepse edhe populli i Instagramit e meritonte ta shihte nga afër këtë vlerësim madhështor që po i bëhej Edi Ramës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të hënën, tamburët e propagandës u zhvendosën zyrtarisht në Ministrinë e Jashtme, ku doli në një konferencë të jashtëzakonshme Elisa Spiropali. Ajo foli për miqësinë e palëkundur me Amerikën dhe me të njëjtin frymëzim me të cilin dikur e ka krahasuar Edi Ramën me Skënderbeun, pa iu dridhur qerpiku deklaroi se ftesa e Trump ishte edhe një vlerësim për Edi Ramën, i cili, sipas saj, ishte ftuar “personalisht” në bordin për Gazën.
“Nuk ka dyshim se ftesa e presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e kryeministrit Rama i cili është ftuar personalisht si anëtar i Bordit të Paqes”, tha Spiropali, duke plotësuar rrethin e narrativës heroike.
Tre ditët e festës nuk kanë të mbaruar dhe jehona do të zgjasë në emisionet e mbrëmjes. Lapsi.al ka raportuar më herët se në bordin e Trump për Gazën janë ftuar dhjetëra liderë të tjerë shtetesh, në një përpjekje të qartë të presidentit amerikan për të krijuar një mbështetje sa më të gjerë politike për planin e tij.
Mes tyre është, për shembull, edhe shefi i Partisë Komuniste të Vietnamit, Tô Lâm, i cili e ka pranuar ftesën, sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme të Vietnamit. Po ashtu, është konfirmuar edhe ftesa për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që të jetë pjesë e të njëjtit proces, së bashku me liderë nga Lindja e Mesme dhe pjesë të tjera të botës.
Por deklarata e sotme e Spiropalit, në ditën e tretë të festës për letrën e Trump dhe “miqësinë me Amerikën”, ka një ngjashmëri të frikshme me reagimin e bërë sot nga Ministria e Jashtme e Bjellorusisë.
Sepse, po, një ftesë identike nga Donald Trump i është dërguar edhe presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, një autokrat që ka burgosur, shtypur dhe vrarë qytetarët e tij për të qëndruar në pushtet, dhe që gjithashtu e ka pranuar ftesën e Trump.

Edhe atje, Ministria e Jashtme ka reaguar njësoj si kjo e jona, duke ia atribuar meritat liderit dhe autoritetit të tij personal.
“Ne e vlerësojmë shumë që pala amerikane e sheh Bjellorusinë si një vend të gatshëm të marrë përsipër përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme… dhe e shohim këtë propozim si njohje të meritave personale dhe autoritetit ndërkombëtar të kreut të shtetit bjellorus”, thuhet në reagimin zyrtar nga Minsku.
Kaq mjafton për të kuptuar se çfarë kriteresh ka përdorur Shtëpia e Bardhë në dërgimin e ftesave për Bordin Themelues për Gazën. Dhe po aq mjafton për të kuptuar se ku ka degraduar qeveria jonë, përmes një propagande bajate që nuk i ngjan demokracive perëndimore ku pretendojmë të integrohemi, por atyre të regjimeve të njohura botërisht për shtypjen e qytetarëve të tyre.
Pala bjelloruse mori një mesazh personal nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Trump, drejtuar Presidentit të Republikës së Bjellorusisë, Alexander Grigoryevich Lukashenko. Në kontekstin e zgjidhjes së situatës në Gaza, apeli i Bjellorusisë propozon të bëhet themeluese e Këshillit të Paqes – një organizatë e re ndërkombëtare. Ne e vlerësojmë shumë që pala amerikane e sheh Bjellorusinë, dhe kjo shprehet qartë në tekstin e fjalimit, si një vend të gatshëm të marrë përsipër përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme dhe të udhëheqjes me shembull, duke investuar në një të ardhme të sigurt dhe të begatë për brezat e ardhshëm. Ne e shohim këtë propozim gjithashtu si njohje të meritave personale dhe autoritetit ndërkombëtar të kreut të shtetit bjellorus. Propozimi iu raportua Presidentit të Republikës së Bjellorusisë dhe u prit pozitivisht. Qëndrimi ynë është si më poshtë: ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në aktivitetet e Këshillit të Paqes, duke marrë parasysh dhe duke shpresuar që kjo organizatë do ta zgjerojë fushëveprimin dhe kompetencat e saj shumë përtej mandatit të propozuar në iniciativë. Kjo do t’i lejojë asaj të marrë pjesë aktive në proceset globale për zgjidhjen e çdo konflikti ndërkombëtar, gjë që në fund të fundit do të kontribuojë në ndërtimin e një arkitekture të re sigurie, të cilën Bjellorusia e ka promovuar në mënyrë aktive vitet e fundit./Lapsi.al
Rruga Press

