Prona private dhe kulla e re tek Pazari i Vjetër
Shkruan Doriana Musai
Çështja e pronës private të pazarit të vjetër është plaga më e madhe e Tiranës e cila ende nuk është mbyllur. 700 e më shumë dyqane, u shkatërruan barbarisht në vigjilje të 1960, për t’i lënë hapësirë ndërtimit të pallatit të kulturës i cili do t’i shërbente ideologjisë komuniste të kulturimit të masave popullore, propagandë kjo që shkatërroi më tej edhe kisha e xhami.
Pazari, (jo vetëm i Tiranës) u godit dy herë: një herë për të vrarë konceptin e tregëtisë, së dyti për të goditur pronën private. Ka edhe nga ata që prezumojnë se ishte edhe një arsye e tretë, ajo e zhdukjes së trashëgimisë me ndikim otoman.
Pronarët e dyqaneve të pazareve u persekutuan në shumë forma gjatë regjimit, përsiatje të cilat vazhduan edhe pas 90-s dhe vazhdojnë edhe sot. U quajtën ish-pronarë, si për t’i deklasuar sërish, dhe me ligje të njëpasnjëshme u lanë të pashpresë dyerve të gjykatave. Sot, shumë syresh kanë fituar njohjen e pronës të tjerë kanë patur edhe fatin t’i rikthehet.
Por çfarë ndodh me një pronë private në qendër të qytetit? A duhet ajo zhvilluar (lexo ndërtuar) patjetër edhe në kurriz të hapësirës publike dhe interesit të gjerë publik?
Ligji për planifikimin e territorit i 2009s e më pas në 2014s i dha një zgjidhje konfliktit të kudo gjendur të zhvillimit të pronës private aty ku interesi publik mbizotëron.
‘Transferimi i të drejtës së zhvillimit të pronës’ është instrumenti i cili u fut në legjislacion pikërisht për t’i njohur të drejtën e zhvillimit të pronës çdo pronari privat, prona e së cilit ndodhet në zona me interes të lartë publik, dhe si e tillë duhet të mbetet e qytetit; aty ku, plani parashikon: Parqe, Lulishte, Rrugë, Godina me interes publik si shkolla, kopshte, qendra kulturore, sheshe apo qoftë edhe hapësira boshe. Në mënyrë që zhvillimi i qytetit të mos ndodhë më, në kurriz të pronës private, themeli i zhvillimit ekonomik, instrumenti ligjor tenton të vendosë në ekuilibër përplasjen e interesave, publik versus privat.
Kjo realizohet me njohjen në vlerë financiare të zhvillimit të pretenduar, duke e tranferuar atë diku tjetër.
Konkretisht, supozojmë se në zonën e Pazarit të vjetër, mbrapa Pallatit të Operas, ka prona private të njohura dhe kthyera të cilat duan të zhvillohen nga pronarët legjitim. Supozojmë se Plani i Qendrës ka miratuar të jetë lulishte ajo zonë. Për të mos krijuar pabarazi mes pronarëve të të njejtit qytet, pronarëve “të prekur nga plani” i llogaritet sipas indikatorëve të miratuar në plan, zhvillimi i supozuar në sipërfaqe apo vlerë financiare X, e cila transferohet diku tjetër në territor.
Si ndodh transferimi?
Në Shqipëri nuk ka ende një rast të aplikuar, por modelet e shteteve të tjera nga ku ky instrument është marrë dhe adaptuar na sjellin raste të natyrës: Vlera X i shpërndahet pronarit në një zonë tjetër ku instrumenti i zhvillimit me kusht aplikohet; Vlera X i jepet në një zonë tjetër për tu zhvilluar me pronë shtet, ku interesi publik është i ulët; pronarit i njihet vlera dhe mund të aplikojë në skema financimi apo zhvillimi…e të tjera skema me formulime më komplekse dhe llogaritje specifike rast pas rasti.
Në parim, në një periudhë Y, pronari do të duhet patjetër të ketë marrë në formë kapitali të paluajtshëm vlerën X të njohur si të drejtë. Nëse shteti dështon së dhëni këtë të drejtë, ateherë jemi para shkeljes së të drejtës themelore të garantimit të pronës private dhe si rrjedhojë zhvillimit të saj. Për ta zgjidhur këtë konflikt hyn kushtetuta dhe karta e të drejtave të njeriut.
Rasti i qendrës së Tiranës, por jo vetëm, do të mund të zhvillohej pikërisht me këtë instrument, i cili sot do të mundësonte jo vetëm njohjen dhe garantimin e të drejtës së zhvillimit të pronës private por edhe të garantimit të interesit publik.
Pse nuk aplikohet ky instrument?
Pse përdoret prona private dhe e drejta e zhvillimit të saj si justifikim për të abuzuar me qytetin?
Kujt i shërben përballja konfliktuale e privatit me publikun?
Viti 1960 dhe prishja barbare e pazarit të vjetër të Tiranës na e jep një përgjigje se kush fiton nga kjo përballje: Partia-Shtet.
*Instrumenti i përmendur është vetëm një rast ilustrues i mungesës së vullnetit për të aplikuar drejtë ligjin, pasi të tillë instrumenta ka plot që legjislacioni jonë nuk i përfshin. Pra, zgjidhje ka, dhe nuk ka vetëm një të tillë, ajo çfarë mungon është vullneti politik.
Rruga Press