Lajme

Prokuroria i ngren aktakuzë për falsifikim të dokumenteve zyrtare Nexhat Fazliut, teksa “gazetari” Mehmetaj tentoi ta manipulojë opinionin publik duke e shpallur “hero”

Me 29 korrik 2022 pas orarit të punës (16:00) Nexhat Fazliu, Udhëheqës i Divizionit të Koordinimit në Rajonin e Mitrovicës pranë Inspektoratit të Punës, kishte zbarkuar për një inspektim të befasishëm në punishten e kompanisë ndërtimore “Haxha Com Sh.p.k.” e cila ndodhet në jug të Mitrovicës pranë magjistrales Mitrovicë-Prishtinë.

Sipas burimeve të KosovaNews në vendin e ngjarjes Nexhat Fazliu ishte i shoqëruar edhe më një person tjetër, ndërsa para kryepunëtorit të kompanisë “Haxha Com”, Bedri Shabani ishin paraqitur si inspektor të punës dhe kishin kërkuar të gjithë dokumentacionin për punëtorët që ishin duke punuar në atë  moment në punishte.

Të gjitha këto veprime Nexhat Fazliu, si Udhëheqës i Divizionit të Koordinimit në Rajonin e Mitrovicës pranë Inspektoratit të Punës i kishte bërë në mënyrë krejtësisht të jashtëligjshme duke qenë se ai në pozitën që kishte nuk kishte të drejtë të kryente punën e inspektorit dhe për më tepër me vete kishte një person që nuk ishte fare pjesë e inspektoratit të punës dhe ishte jashtë orarit të punës.

Mirëpo skandali nuk përfundon këtu; i vetëdijshëm se nuk kishte të drejtë të kryente detyrën e inspektorit, Nexhat Fazliu në raportin zyrtar të  inspektoratit ka vendosur nënshkrimin e inspektores Laura Mustafa e cila ishte vartëse e tij,  e që dyshohet ta ketë falsifikuar duke qenë se ajo atë ditë nuk kishte qenë fare në vendin e ngjarjes.

KosovaNews ka siguruar raportin zyrtar në të cilën figuron nënshkrimi i inspektores Laura Mustafa. Sipas të dhënave të raportit, inspektrati kishte gjetur shumë shkelje nga kompania “Haxha Com” ku nuk ishin paraqitur kontratat e punëtorëve, hyrje-daljet, pushimet vjetore etj.

Raporti i inspektimit ku figuron nënshkrimi i inspektores Laura Mustafa, i cili dyshohet të jetë i falsifikuar nga Nexhat Fazliu.

Inspektorati i punës i kishte dhënë dy javë kohë kompanisë që t’i sillte në inspektorat të gjithë dokumentacionin përkatës për procedura të mëtutjeshme e nëse nuk plotësohen kërkesat sipas ligjit të inspektoratit mund të kishte dënime të rënda për kompaninë.

Dyshime për shantazh ndaj kompanive nga Udhëheqës i Divizionit të Koordinimit në Rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliu

Pronari i kompanisë Haxha Com, Haxhi Zejnullahu kishte dyshuar se ishte duke u shantazhuar dhe si palë e dëmtuar me datë 29.08.2022, kishte  paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kundër të dyshuarit Nexhat Fazliu.

Gjithashtu për këtë rast ishte aktivizuar edhe Policia e Kosovës dhe me datë 30.08.2022,Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK – Mitrovicë) ka ngritur kallëzim penal të dytë kundër Fazliut, për veprat penale të parashikuara në nenin 391 dhe 414 të KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë heziton ta hetojë rastin e më pas disa herë mbyll kundërligjshëm hetimet duke mos ngritur  aktakuzë ndaj Nexhat Fazliut.

1.

Por për çudi, përkundër ekzistimit të dy kallëzimeve penale me prova të pakontestueshme , për gati një vit Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda nuk kishte filluar hetimet ndaj Nexhat Faliut, çka bie ndesh me dispozitat ligjore të Kodit të Procedurës Penale.

Pala e dëmtuar kishte bërë ankesë me datën 17 mars 2023, në Prokurorinë e Apelit në Prishtinë dhe me aktvendim të datës 27 mars 2023, kishte  aprovuar ankesën duke urdhëruar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë fillimin e hetimeve ndaj Nexhat Fazliut.

2.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, me datë 08 qershor 2023, kishte filluar hetimet, ku kishte marrë në pyetje të pandehurin Nexhat Fazliu, si dhe dëshmitarët: Murat Vokshi, Bedri Shabani, Sabri Shabani, Laura Mustafa dhe palën e dëmtuar Haxhi Zejnullahu.

Rasti ishte zvarritur qëllimisht nga prokuroria për gati një vit dhe me datë 20 shkurt 2024, Prokuroria Themelore në Mitrovicë përkundër provave dhe dëshmive të pakontestueshme ka nxjerrë aktvendim për pushimin e hetimeve.

Pala e dëmtuar përsëri kishte bërë ankesë në Prokurorinë e Apelit në Prishtinë dhe me datë 07 mars 2024, Prokuroria e Apelit kishte anuluar aktvendimin për pushimin e hetimeve duke urdhëruar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore, përkatësisht ngritjen e aktakuzës ndaj Nexhat Fazliut.

Lexo më shumë  Kërcënohet me jetë gazetari Osman Stafa, për denoncimet tek Onkologjiku i Tiranës

3.

Përsëri Prokuroria Themelore në Mitrovicë qëllimisht kishte zvarritur vendimin për gati një vit dhe me datë 10 shkurt 2025, ka marrë aktvendim për rastin PP.I.nr.339/22, për pushimin e hetimeve ndaj të pandehurit Nexhat Fazliu për veprën penale nga neni 414 par.1 të KPRK-së, ndërsa për veprën penale nga neni 391 par.1 pika 1.1 të KPRK-së, hetimet kanë vazhduar.

Odisejada vazhdon përsëri, ku kundër këtij aktvendimi, përfaqësuesi ligjor i palës së dëmtuar “Haxha Com Sh.p.k.”, më datë 21 shkurt 2025, ka parashtruar ankesë në Prokurorinë e Apelit në Prishtinë. Prokuroria e Apelit, pas shqyrtimit të ankesës, ka marrë aktvendim duke e aprovuar si të bazuar dhe ka urdhëruar vazhdimin e procedurës penale ndaj të pandehurit.

4.

Dhe, më në fund për herën e 4-të Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me datë 18 mars 2025, “ ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Fazliut për dy vepra penale:

Pika I: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar – neni 414 par.1 KPRK;

Pika II: Falsifikim i dokumenteve – neni 391 par.1 pika 1.1 KPRK
 KosovaNews për këtë rast ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë ku zëdhënisi i saj Valon Preteni ka konfirmuar ngritjen e aktakuzës ndaj Nexhat Fazliut.

“Njoftoheni se për personin N.F., në një rast është ngritur aktakuzë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe “Rastet e veçanta të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 391 par.1 pika 1.1 të KPRK-së.

Me aktvendim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është hedhur aktakuza për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar“ nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet në aktakuzë.

Njoftoheni se lidhur me këtë aktvendim të gjykatës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka parashtruar ankesë brenda afatit ligjor. Ndërsa për veprën penale “Rastet e veçanta të falsifikimit të dokumenteve“ nga neni 391 par.1 pika 1.1 të KPKR-së vazhdon procedura.” thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Por Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, me aktvendim PKR.nr.14/2025, datë 16.09.2025, ka hedhur poshtë pikën I (Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar) të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë  , me arsyetimin se “nuk ka prova të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë”.

Mirëpo vendimin e  Gjykatës Themelore në Mitrovicë e kanë atakuar dy palët në Gjykatën e Apelit në Prishtinë  pra edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë edhe pala e dëmtuar në këtë rast kompania “Haxha Com” dhe rasti është duke vazhduar.

Por përderisa po zhvillohej kjo betejë në mes tri palëve në Mitrovicë, një betejë tjetër po zhvillohej në Inspektoratin e Punës në Prishtinë e ku në qendër të saj ishte përsëri Nexhat Fazliu.  

ish-Kryeinspektori i Punës Hekuran Nikqi kishte marrë informacione për të gjitha të bëmat e Nexhat Fazliut dhe pasi që e kishte konfirmuar nga organet e drejtësisë se Fazliu ishte duke u hetuar , sipas procedurës administrative, me 13 nëntor 2024 e kishte suspenduar nga puna Nexhat Fazliun.

Tashmë i akuzuari nga prokuroria për falsifikim të dokumenteve zyrtare Nexhat Fazliu, pas pezullimit nga puna në shenjë hakmarrje kishte filluar një fushatë të ashpër mediatike  ndaj kryeinspektorit Hekuran Nikqi. Kësaj fushate propaganduese po i printe portali i Baton Haxhiut, “Albanian Post” ku kryeredaktori Lirim Mehmetaj përmes paraqitjeve publike tentonte ta manipulonte opinionin publik duke e viktimizuar Nexhat Fazliun gjoja se suspendimi i tij është bërë për shkak se ai është djalë i dëshmorit të UÇK-së.

Fushata shpifëse e orkestruar ndaj kryeinspektorit Hekuran Nikqi shkoi deri aty sa përmes disa komunikimeve të brendshme të Nexhat Fazliut me Hekuran Nikqin ia keqinterpretuan opinionit publik emailat duke thane se Nexhat Fazliu ishte suspenduar vetëm se ka dënuar kompaninë RAD të Milan Radojçiqit. Në fakt kjo gjë s’kishte të bënte aspak me realitetin,  pasi rasti i kompanisë RAD ishte trajtuar në vitin 2019 nga Inspektorati i Punës, ndërsa Nikqi ishte emruar kryeinspektor në vitin 2022.

Lexo më shumë  Sot nisin punimet për ndërtimin e tribunave në Stadiumin ‘Zahir Pajaziti’
Postimi ku gazetari Lirim Mehmetaj gënjen publikisht duke thënë se Nexhat Fazliu u suspendua nga puna për shkak se gjobiti kompaninë e Milan Radojçiqit.

Krejt ky skenar ishte orkestruar nga gazetari Lirim Mehmetaj i cili njihet për manipulim të opinionit publik duke e fshehur tërësisht të vërtetën se pse ishte suspenduar nga puna Nexhat Fazliu, ky i fundit madje publikonte fotografi me “gazetarin” Lirim Mehmetaj pak kohë para se të arrestohej Hekuran Nikqi.

Postimi i Nexhat Fazliut me 2 shkurt 2025 ku shfaqet me Lirim Mehmetaj

Gjithashtu Fazliu publikonte fotografi në faqen e tij facebook me komandant të UÇK-së si Ismet Haxha, i cili njihet si njeri i afërt e ish kryetarit të PDK-së e ish shefit të ShIK-ut, Kadri Veseli.

Përveç kësaj Nexhat Fazliu së bashku me dy kolegë të punës,  zv. Kryeinspektorin Agim Millaku dhe ish menaxherin e personelit Florim Krasniqi kishin bërë kallxim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj Hekuran Nikqit dhe Naim Shalakut nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Krejt kjo kishte ndodh në shenjë hakmarrje ndaj z.Nikqi për shkak se ai këta të tre gjatë vitit 2024 i kishte dërguar në komisione disiplinore, i kishte pezulluar dhe u kishte bërë kallëzim penal në prokurori për keqpërdorim të detyrës.

Prokurori Arianit Salihu përdor standarte të dyfishta ndaj trajtimit të rasteve penale

Është interesante fakti që Nexhat Fazliu, Florim Krasniqi dhe Agim Millaku kishin bërë kallëzim penal ndaj Hekuran Nikqit dhe Naim Shalakut në fund të janarit të vitit 2025 dhe për këtë ishte aktivizuar menjëher prokuroria.

Pa u bërë një muaj, më 27 shkurt të këtij viti dy hetues policor të autorizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ishin paraqitur  në zyren e ish-kryeinspektorit të punës Hekuran Nikçi. Hetuesit e policisë i kishin thënë kryeinspektorit se kishin ardhur vetëm për ta intervistuar lidhur me një kallëzim penal që i kishte bërë dikush brenda Inpektoratit të Punës dhe se intervista më mirë është të zhvillohej në stacion policor.

Nikqi pa hezitim kishte pranuar ku bashkë me hetuesit policor ishte nisur për në stacionin e policisë. Pas tre orë intervistimi hetuesit e policisë i kishin paraqitur urdhëresën e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arianit Salihu duke i thënë se ishte i arrestuar dhe do të dërgohej në paraburgim prej 48 orësh nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërkohë në anën tjetër, Hekuran Nikqi kishte dërguar kallëzim penal në nëntor 2024 ndaj ish-zv. Kryeinspektorit për Siguri dhe Shendet në punë Agim Millaku dhe ish menaxherit të personelit Florim Krasniqi për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të punësimeve të paligjshme në këtë institucion.

Për çudi rasti është duke u trajtuar nga prokurori Arianit Salihu, i njëjti prokuror që kishte dhënë urdhër për arrestimin e Hekuran Nikqit, mirëpo deri më tani kanë kaluar më shumë se një vit dhe nuk është marrë asnjë veprim ndaj të dyshuarve.

Arianit Salihu , prokuror në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë

Pas mbajtjes në paraburgim prej 48 orësh Gjykata Themelore në Prishtinë, Hekuran Nikqit i kishte ndryshuar masën në arrest shtëpiak prej 30 ditësh. Pasi qëndroi në arrest shtëpiak prej 30 ditësh prokurori Arianit Salihi kishte bërë kërkesë në gjykatën themelore për vazhdimin e kësaj mase, mirëpo Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte hedhur poshtë kërkesën ku përveç kësaj ia kishte hequr edhe arrestin shtëpiak duke e lënë Nikqin të lirë.

Prokurori Arianit Salihu vendimin e Gjykatës Themelore e kishte atakuar në Gjykatën e Apelit mirëpo edhe Gjykata e Apelit me datë 14 prill 2025 ia kishte hedhur poshtë si të pabazuar kërkesën e prokurorit Salihu duke e konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore.



KosovaNews ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit Arianit Salihu për ta pyetur se ku ka mbetur rasti i Hekuran Nikqit, mirëpo as pas 3 ditësh nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje./KosovaNews

Rruga Press

YouTube player