Bota

Prokuroria franceze kërkon dënimin me 5 vjet burg për Marine le Pen

Prokuroria franceze ka kërkuar 5 vjet burg dhe 5 vjet përjashtim nga kandidimi për poste publike, përfshirë edhe presidencën, për lideren e ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Prokurorët kërkuan që ajo të shpallet fajtore për përvetësim.

Le Pen dhe 24 individë të tjerë ku përfshihen ligjvënës aktualë dhe ish-deputetë francezë dhe eurodeputetë akuzohen se kanë përdorur në mënyrë të paligjshme fondet e Parlamentit Evropian për të paguar asistentët parlamentarë për punë në çështje të partisë së tyre dhe jo për çështjet e BE-së nga viti 2004 deri në vitin 2016. Le Pen dhe të pandehurit e saj i kanë mohuar të gjithë akuzat.

Prokurorët kërkuan që Le Pen të merrte dënimin më të ashpër nga të gjithë, duke vënë në dukje se ajo ishte edhe eurodeputete dhe udhëheqëse e partisë, “Fronti Kombëtar” ku supozohet se kanë ndodhur manipulimet. Prokurorët i kërkuan gjykatësit ta dënonte atë me 5 vjet burg, 3 prej të cilave do të pezulloheshin si dhe një gjobë prej 300 mijë €.

Lexo më shumë  Ukraina qëlloi depo municionesh me sistemin amerikan ATACMS

Ndalimi për të kandiduar për poste publike do të shtrihet pas vitit 2027, kur janë planifikuar të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Më e rëndësishmja është se prokurorët kërkuan gjithashtu që dënimi të ekzekutohej menjëherë edhe nëse Le Pen do të apelonte. Zakonisht një apel do të thotë që dënimet pezullohen përveç nëse kryetari i trupit gjykues vendos ndryshe. “Është e qartë se e vetmja gjë që kërkonin prokurorët publikë ishte përjashtimi i Marine Le Pen nga jeta politike,” – u tha ajo gazetarëve.

Lexo më shumë  Ukraina me raketat britanike Storm Shadow ka goditur bunkerët e Putinit në Kursk

Gjatë gjyqit javën e kaluar, Le Pen tha se ajo po planifikonte të kandidonte për presidencën franceze për herë të katërt dhe se “miliona francezë do të privohen nga kandidati i tyre presidencial” nëse asaj i ndalohet ta bëjë këtë. Pak përpara se të shpallte pretencën, prokurorja Louise Neyton i kërkoi gjykatës të merrte parasysh natyrën “e paprecedentë” të përvetësimit për shkak të periudhës së gjatë kohore gjatë së cilës dyshohet se ka ndodhur ky shpërdorim.

Mbrojtjes do t’i jepet mundësia të paraqesë pretendimet e saj para gjyqtarit, i cili do të shpallë një datë vendimi përpara 27 nëntorit. Vendimi pritet të jepet në fillim të vitit të ardhshëm.

Rruga Press

YouTube player