Prokurori i Shtetit kërkon bashkëpunim nga qytetarët për kapjen e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan
Në vendin e ngjarjes, ku ka ndodhur vrasja e trefishtë nga një sulm i armatosur në autobusin në Gllogjan të Deçanit, kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Kryeprokurori i Prokurorisë në Pejës bashkë me zëvendësprokurorin e kësaj prokurorie, për të hetuar rrethanat e kësaj ngjarje tragjike.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton se Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, së bashku me Zëvendës-kryeprokurorin e kësaj prokurorie dhe prokuroren kujdestare të Departamentit të Krimeve të Rënda, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e autorit të krimit të ndodhur në Gllogjan të Deçanit.
Po ashtu, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, bën thirrje që kushdo që ka ndonjë informacion për këtë rast të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe Policinë, në mënyrë që kryerësi e këtij krimi të kapet dhe të dalë sa më shpejtë para drejtësisë.
Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale të Pejës, Veton Elshani, ka deklaruar se dyshimet e para bazuar në hetime, tregojnë se sulmuesi i autobusit mund të ketë qenë i vetëm, në kryerjen e veprës së rëndë në Gllogjan të Deçanit sonte, ku vdiqën tre persona, shoferi dhe dy nxënës.
Rruga Press