“Projekti” i (pa)kuptueshëm i Federatës së Shqipërisë: Evropian me Serbinë
Në prag të “Euro 2024”, ku Shqipëria pretendon të përfaqësojë të gjithë shqiptarët, Federata Shqiptare e Futbollit prezantoi projektin që shkon kundër idesë së “përfaqësimit gjithëshqiptar”.
FSHF-ja planifikon të organizojë ngjarje të madhe, Kampionat Evropian për grupmoshën U21, së bashku me Serbinë. Projektin, që më herët e kishte përmendur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e bëri publik presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Më pas e zyrtarizoi edhe FSHF-ja përmes faqes zyrtare. Bëhet fjalë për “Euro 2027” për futbollistët deri në 21 vjet.
FSHF-ja ka arsyetuar vendimin për të bashkëpunuar me Serbinë e jo me ndonjë vend tjetër të regjionit. Në Shqipëri në vitin 2022 u zhvillua finalja e Ligës së Konferencës, ndërsa në vitin 2025 organizohet Evropiani U17.
“Duke qenë se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen në mënyrë që vendi ynë të presë të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Evropian U-21, FSHF-ja do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur së bashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21. Ky është pa asnjë dyshim një projekt shumë ambicioz, që do ta vendoste Shqipërinë në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit”, shkruan në komunikatën e FSHF-së.
Po të enjten për projektin shumë të kritikuar, të paktën në Kosovë, diskutoi edhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Nuk ka pasur raportime që dikush të ketë kundërshtuar idenë.
Me një reagim, goxha të zbehtë, doli tifo-grupi i Shqipërisë, “Tifozat kuq e zi”. TKZ-ja nuk ka kundërshtuar qartë Evropianin e përbashkët me Serbinë.
Grupi i tifozëve ka shkruar se ky projekt do të duhej të prezantohej më mirë nga FSHF-ja.
“Mirë do të ishte që FSHF-ja të tregojë nëse paraprakisht ka kërkuar të organizojë ‘Euro 2027’ së bashku me Maqedoninë e Veriut apo me Malin e Zi. Për sa kohë nuk përmbushim kërkesat teknike, të mos shesim fytyrën dhe interesat etnike. Fqinjë kemi boll, s’kemi pse kapërcejmë Kosovën për t’i dhënë ndihmë Serbisë”, kanë shkruar “Tifozat kuq e zi”.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që tani është prej figurave të forta edhe në UEFA, ka arsyetuar për KOHËN vendimin për bashkëpunim me Serbinë. Duka ka thënë se Kosova nuk i plotëson kushtet për shkak të infrastrukturës.
“Opsioni i parë ka qenë Kosova. Duke qenë se Kosova nuk i plotëson kriteret dhe ne gjithashtu nuk i plotësojmë kriteret për ta organizuar të vetëm, atëherë e pamë se aplikuesit që ishin Shqipëria, Serbia, Turqia dhe Belgjika. Dy të tjerat nuk kishin interes të bashkohen me ne, atëherë e vetmja mbetej Serbia. Ne kemi interesa, sepse organizojmë një event madhor në Shqipëri dhe ekipi ynë kualifikohet automatikisht në ‘Euro 2027’”, ka thënë Duka për KOHËN.
Nga Federata e Futbollit e Kosovës nuk kanë komentuar projektin e FSHF-së për Evropian të përbashkët me Serbinë.
Ideja ishte përmendur që më 1 maj nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo do të thotë se ideja nuk është e re dhe se është shqyrtuar për kohë më të gjatë.
Serbia ditë më parë nisi ndërtimin e një stadiumi nacional, që ndër të tjera pritet të shfrytëzohet edhe për “Euro 2027”. Madje mund të hapet në atë ngjarje, ku organizatore tjetër pritet të jetë Shqipëria.
“Do të vazhdojmë të zhvillojmë infrastrukturën, ndërsa planifikojmë në të ardhmen që së bashku me Hungarinë të kandidojmë për Lojëra Olimpike. Njëjtë si me Shqipërinë që mund të kandidohemi për Evropianin për futbollistët deri 21 vjet. Tek ata hapja, te ne mbyllja”, kishte thënë Vuçiqi më 1 maj.
Mediat në Serbi i kanë dhënë jehonë kandidaturës së përbashkët të Shqipërisë e Serbisë. Thuajse të gjitha mediat serbe kanë shkruar se një projekt i tillë i përbashkët nuk pritej.
Më të befasuar se mediat në Serbi kanë mbetur tifozët e futbollit në Kosovë. Shumica e përkrahin Shqipërinë aq sa edhe Kosovën, një pjesë madje edhe më shumë. Ndërkohë që Serbia vazhdon të punojë fuqishëm kundër Kosovës, ndër të tjera edhe në futboll. Dhe tani federatat e këtyre dy vendeve bashkohen për të organizuar ngjarje evropiane./ Koha.net
Rruga Press