Projekti i mbështetur nga Kina për ndërtimin e urës në Beograd nxit kritika për fshehje të kontratave
Punimet për zëvendësimin e Urës së Savës në Serbi tashmë kanë filluar, por ngurrimi i Qeverisë për të zbuluar plotësisht marrëveshjet me kompanitë kineze të përfshira në ndërtim, po nxit kundërshtime ndaj projektit dhe po ngre dyshime për transparencën e mënyrës së dhënies së kontratave.
China State Construction Engineering (CSEC), një nga dy kompanitë shtetërore kineze që janë pjesë e projektit, njoftoi se vendosja e strukturave prej çeliku në urën e re 420-metërshe në zemër të kryeqytetit, Beograd, ka nisur më 5 dhjetor.
PowerChina, një konglomerat gjigant shtetëror dhe një nga kompanitë më të mëdha në botë për inxhinieri, prokurim dhe ndërtim, është kontraktori kryesor.
Ajo mori pjesë në prishjen e urës së vjetër të Savës në korrik dhe po ndërton urën e re në vlerë prej 94.1 milionë eurosh, e cila pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026.
Por, mungesa e procedurave publike të tenderimit për kontratat, e cila mund të ketë ndikim në koston dhe cilësinë e përgjithshme të projektit, ka ngritur pikëpyetje të mëdha për transparencën.
Kjo është një çështje veçanërisht e diskutueshme në Serbi, pas shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, ku u humbën jetën 16 njerëz.
Incidenti shkaktoi protesta masive dhe çoi në dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviq në janar. Protestuesit fajësuan korrupsionin dhe cilësinë e dobët të punëve për shembjen.
Disa kontraktorë, përfshirë kompani kineze, morën pjesë në rindërtimin e stacionit hekurudhor. Autoritetet serbe këmbëngulën se konsorciumi kinez China Railway International Company (CRIC) dhe China Communications Construction Company (CCCC) nuk ishin fajtorë dhe të dy kompanitë deklaruan se çatia prej betoni e stacionit nuk ishte pjesë e punimeve të rindërtimit që ata kryen.
Një hetim për këtë incidentin u hap më pas, dhe prokuroria i akuzoi disa zyrtarë serbë se kishin “përfituar materialisht” të paktën 18.7 milionë dollarë nga konsorciumi kinez që po ndërton një projekt hekurudhor.
Drejtori i programit të Transparency International, Nemanja Nenadiq, i tha Radios Evropa e Lirë se përjashtimet dhe boshllëqet ligjore në Serbi e kanë krijuar praktikisht një “shteg të shkurtër për dhënien e punëve pa konkurrencë”.
“Ne mund të supozojmë përgjithësisht se çmimi është më i lartë se sa do të ishte në një tender publik, sepse kompania që fiton punën nuk ka motiv të ofrojë kushte më të mira kur e di se nuk ka konkurrencë”, tha Nenadiq, një avokat me përvojë në luftën kundër korrupsionit.
“Thanë se të gjitha janë të fshehta”
Ura e vjetër e Savës u ndërtua në vitin 1942 gjatë pushtimit nazist të Serbisë dhe u shpëtua pavarësisht se gjatë tërheqjes së tyre gjermanët e minuan para se të largoheshin nga qyteti. Që atëherë, ura është shndërruar në një pikë referimi dhe simbol të Beogradit.
Në maj, qyteti i Beogradit tha se ura kishte nevojë të zëvendësohej për shkak të “një sërë rreziqesh strukturore dhe sigurie” dhe sepse nuk i plotësonte “nevojat ekzistuese dhe në rritje të trafikut të qytetit të Beogradit”.
Ura e re, më e madhe, do të mund të përballonte më shumë trafik dhe të ofronte lidhje më të mirë me projekte të tjera të reja, tha qyteti.
Por, dyshimet për transparencën dhe ndërtimin e kanë shoqëruar projektin qëkurse ideja për shembjen e urës së vjetër mori hov në vitin 2017, dhe kontrata me PowerChina u nënshkrua në vitin 2020.
Qeveria serbe e ka anashkaluar procesin e prokurimit publik për urën e re të Savës duke iu referuar një marrëveshjeje ndërqeveritare mes Kinës dhe Serbisë të nënshkruar në vitin 2009, që lejon kontraktim të drejtpërdrejtë publik dhe rritje bashkëpunimi në ndërtimin e infrastrukturës.
Kushtetuta e Serbisë thotë se marrëveshjet ndërkombëtare janë pjesë e sistemit juridik dhe ligjet e brendshme nuk mund të jenë në konflikt me kontratat ndërkombëtare.
Shqetësimet lidhur me prokurimet bëhen edhe më të mëdha duke ditur se dokumentacioni i plotë i projektit nuk është bërë kurrë publik.
Rruga Press

