Projekti i lungomares në Durrës ngre shqetësime për dëmtimin e plazhit
Në fillim të janarit, kryeministri Edi Rama postoi në faqen e tij në Facebook foto nga ai që e quajti “kantieri i lungomares së Durrësit” dhe premtoi se ky projekt do t’i jepte një vlerë të re “krejt zonës bregdetare të qytetit turistik”.
Projekti i lungomares së Durrësit shtrihet nga Ura e Dajlanit deri te godina e Kavalishencës së Ministrisë së Brendshme dhe pritet t’u kushtojë taksapaguesve rreth 284.9 milionë lekë. Ajo parashikon ndërtimin e një shëtitoreje për këmbësorë, një piste vrapimi si dhe korsi për biçikletat, por jo të gjithë duken të kënaqur me këtë projekt.
Inxhinieri urbanist, Agim Koçi i tha BIRN se shëtitorja që po ndërtohet është e panevojshme dhe se zëvendësimi i rërës me betonin do ta komplikojë edhe më shumë situatën për pushuesit e plazhit të Durrësit.
“Mjafton të riparohej trotuari i ngushtë që ishte ndërtuar para pallateve në mesin e viteve 2000, si dhe të hiqej bordura prej tulle në krah,” tha Koçi. “Lëvizja e kalimtarëve mund të bëhej si më parë në trotuarin që ndan rërën nga bar-restorantet,” shtoi ai.
Ndërsa makineritë e rënda po vazhdojnë punën për ndërtimin e lungomares, operatorët turistikë në qytetin e Durrësit janë të shqetësuar se ndërhyrjet në infrastrukturë do të zvogëlojnë hapësirën e rërës si dhe do t’i ndryshojnë fytyrën plazhit.
Eksperti i turizmit, Edmond Basho thotë se bazuar në kontratat e deritanishme të hoteleve të mëdha të Durrësit dhe Kavajës pritet një rritje me 10-15 e numrit të turistëve të huaj krahasuar me vitin 2022.
“Mungesa e ndërhyrjeve ndërtimore e ka ruajtur mirë mjedisin detar, gjerësinë e plazhit si dhe pjesën e gjelbëruar dhe të pyllëzuar,” tha Basho për BIRN.
Edhe Përparim Shala, një pushues nga Kosova që ka blerë prej vitesh një apartament në zonën e plazhit, thotë se shëtitorja e re do të lehtësojë lëvizjen përgjatë bregdetit, por ai është i bindur se “rana për pllazhistët do të pakësohet”.
“Unë mendoj se do të ketë shumë më pak vend për çadra dhe shezlonge, e po ashtu nuk do të ketë hapësira për plazhe publike,” thotë ai.
Edhe më kritikë për projektin që po zbatohet janë pronarët e bareve dhe restoranteve që shtrihen përgjatë bregdetit, të cilët ankohen se bashkia nuk i ka konsultuar.
Niko, administrator i një hoteli prej 14 vitesh, thotë se projektin e morën vesh përmes mediave dhe se i shqetësohen faktit se shëtitorja do të pakësojë fondin e rërës në dispozicion të pushuesve.
“Çakulli tashmë është hedhur në gjërësinë prej 7-8 metrash dhe janë betonuar bordurat mbajtëse,” thotë Niko.
“Në stabilimentet Apolonia dhe Hekurudha, ku edhe gjërësia e rërës është më e vogël, do të vendosen me siguri vetëm gjysma e çadrave që instalohen zakonisht. Pra do të pushojnë diçka më shumë se sa gjysma e plazhistëve të sotëm,” shtoi ai.
Admiri, i cili zotëron gjithashtu një biznes në zonë, thotë se vendosja e ndriçuesve përgjatë lungomares do t’i rikthente plazhit traditën e shëtitjeve të viteve ’70-’80. Megjithatë, Admiri shton se projektuesit nuk i kanë bërë mirë llogaritë me kushtet atmosferike.
“Nuk duhet harruar se era që fryn nga deti në dimër do ta mbushë me rërë trotuarin e gjerë me emrin shëtitore,” shtoi ai, ndërsa kujton se e njëjta gjë ndodhte edhe në fund të viteve ’80.
Sipas pushtetit vendor, pakësimi i fondit të rërës për shkak të projektit do të zgjidhet duke mbushur metrat e para të ujit dhe duke fituar një sipërfaqe të re plazhi.
Por Luciano Ventriglia, një pensionist 72-vjeçar nga Italia thotë se një sipërmarrje e tillë është mjaft e vështirë.
“Sado i cekët të jetë bregdeti, rëra që do ta mbushë në mënyrë artificiale nuk do të mbetet gjatë aty,” thotë Vetriglia, i cili kujton se një projekt i ngjashëm në Rimini u parapri nga një studim paraprak dhe ngritja e barrierave me gurë për të shmangur “konfliktin me detin”.
“Natyra bën atë që do vetë dhe jo atë që duam ne,” përfundoi ai./BIRN
Rruga Press