KryesoreOpinion/Aktualitet

Profkat internacionaliste të Enver Hoxhës në zyrat e larta të Shqipërisë

Shkruan Shaban Murati


Kushdo që ndjek, qoftë dhe rastësisht, diplomacinë qeveritare dhe diplomacinë parlamentare të Shqipërisë ngelet pa mend nga propagandimi i ri i profkave të Enver Hoxhës për internacionalizmin proletar të diplomacisë dhe të Shqipërisë. Më e freskëta u dëgjua nga kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Eliza Spiropali, e cila në takimin e saj në 4 shtator 2024 me ambasadoren e Izraelit në Tiranë ngriti një flamur të ri internacionalist të Shqipërisë, duke shpallur me iu tutur syri: “Shqipëria është lidere rajonale në luftën kundër antisemitizmit”. (ATSH)


Nuk ka burrë nëne të kuptojë se ç’punë ka Shqipëria me antisemitizmin në rajon? Nuk e di se cili këshilltar i kënduar në qeveri apo në parlament i ka sugjeruar kryetares së parlamentit se antisemitizmi qenka bërë problem i madh shqetësues ndërkombëtar në Ballkan dhe po priska me padurim që Shqipëria Socialiste “të mprehë shpatën edhe njëherë o për situatën” dhe të marrë komandën, të udhëheqë luftën dhe të shpëtojë gjithë Ballkanin me luftën e saj epokale ballkanike kundër antisemitizmit, të cilin e shohin vetëm zyrat qeveritare dhe parlamentare të Tiranës. Janë profka internacionaliste dhe kalorsiake, që kërkojnë një Servantes të ri për Don Kishotët e Tiranës.


Së pari, para se të marrë flamurin ballkanik të luftës kundër antisemitizmit, përse nuk kujtohen qeveria shqiptare dhe parlamenti I Shqipërisë të marrin në dorë flamurin e luftës kundër antishqiptarizmit, që është bërë fenomen i rrezikshëm në Ballkan? A jeton Tirana zyrtare në Ballkan? Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh se Serbia po përgatitet për luftë kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe shtetit të tij të pavarur të Kosovës. Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh se Greqia po ia kafshon Himarën dhe integritetin territorial të vendit si në kohrat e Venizellosit dhe ndalon të bisedohet dhe të përmendet çeshtja çame. Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e shikon se Shkupi tani po përpiqet ta fshijë gjuhën shqipe edhe nga e drejta e mangët e gjuhës së 20 përqindëshit? Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh që kisha ortodokse serbe në Mal të Zi po kërkon të zhdukë çdo identitet shqiptar dhe identitet malazez, pasi portat i hapi asaj dykanatesh kryeministri kuisling shqiptar Abazoviç, të cilin nuk dihet pse kryeministri i Shqipërisë e glorifikoi aq shumë pas marrëveshjes së turpshme kapitulluese, që ai nënshkroi fshehtas me kishën ortodokse serbe. Nuk e di pse Tirana zyrtare nuk e sheh që antishqiptarizmi ka infektuar sot edhe disa segmente të diplomacisë së BE.
Së dyti, Tirana nuk ka asnjë arsye të marrë përsipër rolin e liderit rajonal në luftën kundër antisemitizmit, sepse Tirana vjen e fundit në listën e preferencave diplomatike ballkanike të Izraelit. Le t’ja lerë këtë rol donkishotesk Greqisë, e cila blen miliarda dollarë armatime nga Izraeli dhe i ka vënë në dispozicion Izraelit hpësirën e saj ajrore për stërvitjen e aviacionit ushtarak izraelit. Le t’ja lerë këtë rol Serbisë, e cila furnizon me armë Izraelin sot në kulmin e konfliktit dhe gjenocidit në Gaza.

Lexo më shumë  Haxhiu mirëpret aktakuzën për sulmin terrorist në Banjskë: Serbisë t’i bëhet presion që t’i dorëzojë kriminelët


Tirana zyrtare nuk ka memorie shtetërore dhe nuk e di se i pari ministër i jashtëm izraelit, që ka zbritur në Tiranë, erdhi pas 17 vjetësh të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Dhe erdhi jo për vizitë zyrtare, por vetëm për të kërkuar votën e Shqipërisë në OKB kundër Palestinës. Ndërkohë gjatë atyre 17 viteve nuk kishte ngelur president, kryeministër dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë pa shkuar nga dy tri herë në Izrael. Për hatër të Serbisë Izraeli nuk e njohu Kosovën deri në vitin 2021, kur e detyroi Shtëpia e Bardhë, që i duhej ky akt për llogaritë e saj ballkanike.
Shqipëria Socialiste megallomane nuk ka as para që ta kryejë rolin e lideres rajonale dhe të investojë në vendet ballkanike për luftën e re internacionaliste kundër antisemitizmit. Edhe Enver Hoxha, që shihte ëndrra në diell për të bërë revolucionin socialist në të gjitha vendet, që nga Kina, Indonezia, Bashkimi Sovjetik, Europa Lindore e deri në Tanzani e Peru, shumë shumë mundi të ngrejë Radion e Jashtëme, që transmetonte çdo ditë në 22 gjuhë të huaja profkat revolucionare dhe internacionaliste të Enver Hoxhës.
Më e thjeshta është se 11 shtetet e tjera ballkanike nuk kanë deklaruar asnjera se i kanë dhënë mandat Shqipërisë që të udhëheqë në vendet e tyre luftën panballkanike kundër antisemitizmit. Dhe si mund ta kryesh rolin e liderit rajonal kur nuk ke mandat nga asnjë shtet ballkanik? Kjo nuk ka rëndësi për diplomacinë qeveritare dhe diplomacinë parlamentare të Shqipërisë, të ekzaltuar nga ëndrra e liderëve rajonalë. Ata besojnë si Enver Hoxha se bota do t’i hajë profkat e reja internacionaliste të Tiranës. Por ka një ndryshim. Enver Hoxha mendonte se po i shërben interesave të Shqipërisë. Kurse Shqipëria e sotme Socialiate po i shërben me ndërgjegje interesave të Izraelit. Përse? Shkoni dhe pyesni qeverinë dhe parlamentin e Shqipërisë.

Lexo më shumë  Zyrtari i NATO-s e mbështet përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina për ta goditur Rusinë

Rruga Press

YouTube player