Profesori nga Beogradi: Politika e Millosheviqit është rikthyer në Serbi, tensionet në veri janë pasojë e veprimeve të Vuçiqit
Parimet e kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviqit janë ende të pranishme në Serbi, thotë profesori universitar në Beograd, Ivan Videnoviq, derisa shton se një politikë e tillë vetëm se është kthyer në rrethana të reja ndërkombëtare. Thekson se tensionet në veri të Kosovës janë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Në intervistën për The Geopost, Videnoviq shqyrton pozicionin e pakicave kombëtare në Serbi, veçanërisht në kontekstin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Të drejtat e popujve pakicë në Serbi janë shumë më të këqija se të drejtat e serbëve në vendet e ish-Jugosllavisë ku jetojnë si minoritete”, thotë ai.
Diskutimi prek edhe strategjitë e ndjekura nga qeveria serbe, duke trajtuar veprimet diplomatike dhe propagandistike të presidentit Aleksandar Vuçiq në lidhje me Kosovën dhe marrëdhëniet rajonale.
“Politika e Slobodan Millosheviqit në fakt është rikthyer në Serbi, duam apo s’duam, duhet ta pranojmë. Disa nga parimet themelore të politikës së Slobodan Millosheviqit janë ende të gjalla dhe të pranishme, dhe në një masë të mirë edhe vetë aktorët e ngjarjeve në të cilat ai ishte fajtori kryesor janë të pranishëm sot në publikun serb. Natyrisht, ajo politikë është rikthyer sot në rrethana të reja ndërkombëtare dhe me një vetëdije mjaft të qartë se mënyra e zbatimit të asaj politike ishte e keqe dhe joefektive… Nuk ka kurrfarë dallimi mes qeverisë dhe opozitës, të dyja qëndrojnë në pozicione identike. Ata ndryshojnë vetëm në atë, pra, akuzojnë njëra-tjetrën se kush do ta zbatonte në mënyrë më efektive të njëjtën politikë, e cila nuk vihet aspak në dyshim.”
Nënvizon se Aleksandër Vuçiq është përgjegjës për ngritjen e tensioneve në veri të vendit, dhe tregon nëse Serbia e ka njohur de facto shtetin e pavarur të Kosovës duke e pranuar planin fanko-gjerman.
“Tensionet aktuale në veri janë pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të Aleksandar Vuçiqit… Ai po përpiqet të luajë një lojë mace me miun me Kosovën, ose siç sapo citoi vetë një varg nga filmi ‘Unë jam muzikant – jo, jo, nuk jam muzikant’. Kështu sillet në raport me Kosovën – pra e pranon Kosovën, e pastaj nuk e pranon se e ka njohur. Pastaj e pranon planin franko-gjerman-BE për Kosovën, por mohon se e ka pranuar dhe se praktikisht, siç e kanë thënë publikisht zyrtarët më të lartë të Evropës, do të thotë njohje de facto e pavarësisë së Kosovës. Për këtë lojë të tij, e cila në fakt shërben që serbët nga Kosova të mos e kuptojnë se ai në fakt e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ai e ka edhe mbështetjen e heshtur të komunitetit ndërkombëtar, sepse ata e shohin si politikisht të nevojshme për ta”, thotë ai derisa shton se “kjo përbën padrejtësi ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës, pasi ata janë pengje dhe viktima të lojës së tij”.G.E.
Rruga Press