Produktet serbe nuk kalojnë, rreth 700 kamionë nga Serbia po presin të hyjnë në Kosovë
Rreth 700 kamionë janë duke pritur në parkingje nga Kraleva deri në Jarinjë, për të hyrë në territorin e Kosovës, ka njoftuar “Radio Televizioni i Serbisë”.
Kamionëve me mallra nga Serbia u është ndaluar hyrja në Kosovë, në një masë që mori Qeveria e Kosovës pas kidnapimit të tre policëve kosovarë në Leposaviq nga forcat serbe më 14 qershor.
Shoferët e kamionëve u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të lejohet kalimi. Ata kanë thënë se nuk u intereson politika dhe po ashtu as se çfarë targa kanë kamionët, a thua se tensionet ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk janë politike dhe a thua se marrëdhëniet tregtare janë më të rëndësishme se ato parimore politike.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka rekomanduar të gjithë qytetarët që vinë drejt Kosovës të mos kalojnë nëpërmjet Serbisë, por t’i drejtohen pikave tjera kufitare, ndër to atyre me Maqedoninë e Veriut.
Shkaku i tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka ftuar këtë javë një takim për menaxhim të krizës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të jetë në Bruksel ditëve në vijim, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën ka thënë se nuk do të bisedojë me Kurtin, duke lënë të nënkuptojë se nuk do të udhëtojë në Bruksel. Ai ka vendosur disa kushte për takim, ndër to lirimin e gjithë banditëve serbëve të arrestuar, largimin e kryetarëve nga komunat në veri të Kosovës e po ashtu tërheqjen e Policisë së Kosovës nga objektet komunale.
Rruga Press