ArgumentKryesore

Prodhimi industrial i normës nga gjykata supreme!

Nga Vigan Qorrolli

1. Parimi më themelor i një demokracie kushtetuese është ky: gjyqtarët e zbatojnë ligjin, nuk e shpikin atë. Në vendimin e saj të fundit ndaj U.A. të Ministrisë së Financave për Pajisjet Fiskale, Gjykata Supreme e Kosovës e harron këtë parim bazik.

2. Gjykata Kushtetuese (në rastin KO 124/25) ka folur qartë: “Kuvendi është ende i pakonstituar dhe mandati i deputetëve nuk ka filluar” (par. 138). Ky konstatim i saj është normë juridike detyruese, që ka efekt të drejtpërdrejtë në hirearkinë institucionale të shtetit të Kosovës.

3. Supremja, megjithatë, vepron sikur ky realitet nuk ekziston. Nuk e citon, nuk i referohet, nuk e merr parasysh. Përkundrazi, e injoron plotësisht dhe mbi këtë injorim, ndërton një arsyetim që bie ndesh me vetë Kushtetutën.

4. Pastaj, në një akt që përbën një prej ndërhyrjeve më të pashembullta në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, Supremja në faqen 9, paragrafi 3 të Aktgjykimit (PA 09/25), konstaton se, “Qeveria në dorëheqje nuk mund të nxjerrë akte nënligjore”. Ky paraqet një përfundim arbitrar të kësaj Gjykate, një fjali që nuk ekziston në asnjë nen të Ligjit për Qeverinë. As në nenin 31, askund.

Lexo më shumë  113 vjet nga themelimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë

5. Pikërisht neni 31, që Gjykata e citon me siguri formale, nuk përmban asnjë ndalesë eksplicite për nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat në detyrë. Madje, logjika e këtij neni si dhe e tërë strukturës së Ligjit për Qeverinë, bazohet në vazhdimësinë e funksionimit të Qeverisë edhe pas dorëheqjes, deri në emërimin e një Qeverie të re.

6. Asnjë ndalesë e tillë nuk parashihet. Përkundrazi, ligji presupozon funksionimin e Qeverisë edhe pas dorëheqjes, për të ruajtur vazhdimësinë e qeverisjes dhe funksionalitetin e shtetit.

7. Në një shtet të së drejtës, nuk mund të ketë kufizime të paproklamuara në ligj. Asnjë qytetar dhe asnjë ministër nuk mund të mbahet përgjegjës për shkeljen e një norme që nuk ekziston. Kjo është një kërkesë themelore e sigurisë juridike dhe parimit të legalitetit.

8. Në esencë, ky është një dekonstruksion i vetë rolit të gjyqësorit në një rend demokratik. Kur një gjykatë vendos përtej fjalës së ligjit, ajo nuk është më arbitri neutral mes palëve, por një aktor politik i maskuar me petkun e autoritetit juridik. Dhe ky është momenti kur interpretimi bëhet krijim, e drejtësia pushtet i pakufizuar.

Lexo më shumë  Prebreza betohet si Kryetar i Fushë-Kosovës: Premton transparencë dhe shërbim për të gjithë qytetarë

9. Në një rend kushtetues të bazuar mbi hierarkinë e normave, çdo gjykatë duhet të veprojë brenda kufijve të normës më të lartë. Vendimi i Gjykatës Supreme në këtë rast përbën një devijim sistemik, sepse ajo nuk gjen mbështetje në normën pozitive ekzistuese të rendit ekzistues juridik të Kosovës, por e zëvendëson atë me një ndalesë të pashkruar.

10. Ky veprim nuk është interpretim naiv dhe/ose paushall, por paraqet një krijim të normës “ex nihilo”, që bie ndesh me metodologjinë themelore të rendit juridik të vendeve demokratike.

11. Dhe, këtë gjë e bën pikërisht Supremja në rastin PA 09/25, duke e cenuar rëndë parimin e sigurisë juridike. Gjykata Supreme, në këtë formë, nuk ka funksionuar në këtë rast si strukturë e sigurisë juridike, por si makineri gjuhësore që prodhon bindje pa tekst, ndalesa pa dispozitë të shkruar dhe ka krijuar një normë të re pa burim fare.

Rruga Press

YouTube player