Probleme me qarkullimin e ndërprerje të energjisë elektrike, dëbora na kap në befasi
Reshjet e dëborës që në zona të caktuara po vijojnë ende kanë lënë shumë fshatra pa energji elektrike si dhe shumë të tjerë të bllokuar plotësisht.
TIRANË- Dëbora e nisur që nga dita e hënë duket se e ka kapur vendin në befasi, duke shkaktuar probleme të shumta në të gjithë territorin. Reshjet e dëborës që në zona të caktuara po vijojnë ende kanë lënë shumë fshatra pa energji elektrike si dhe shumë të tjerë të bllokuar plotësisht.
Në zona si Korça dhe fshatrat përrreth si dhe Dibra trashësia e dëborës ka shkuar në mbi 30 centimetra. Ndërkohë që më keq është fshati i Panaritit, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 40 centimetra, duke e izoluar të gjithë fshatin dhe e lënë atë pa energji elektrike. Zona e Lurës si dhe në fshatrat përrreth ka ndërprerje të energjisë elektrike.
Në disa rrugë të caktuar në vend kalimi është pothuajse i pa mundur pa zinxhirë, ndërsa shumë rrugë janë bllokuar nga reshjet e shumta të dëborës dhe nga ngricat. Rruga e Arbrit është një nga këto rrugë, e cila edhe pse u hap ditën e djeshme për qarkullim, u bllokua pas disa orësh. Për këtë gjë, kreu i emergjencave civile, Haki Çako fajësoi dyndjet e njerëzve në këtë rrugë.
Në zonat e Peshkopisë, Kukësit, Hasit dhe Tropojës trashësia e dëborës ka arritur nga 15 deri në 20 centimetra, por fatmirësisht këto zona nuk kanë qenë problematika. Probleme janë shënuar në zonën e Thethit, e cila që prej të hënës mbetet e bllokuar, për shkak të reshjeve të shumta të dëborës.
Nga lumenjtë probleme kanë shfaqur Vjosa si dhe Shkumbini, të cilat dolën nga shtrati ditën e djeshme, ndërsa u fry edhe lumi i Erzenit. Edhe në det situata është e njejtë, ku probleme janë shfaqur në Portin e Vlorës pasi tragetet nuk mund të ankoroheshin, ndërsa në Portin e Durrësit, ka pasur disa vonesa në nisjen e trageteve./burimidosja/